Ndërlidhjet

Pagat e larta qeveritare mbi mjerimin social në Kosovë


Një lypsare ne sheshin Nënë Tereza në Prishtinë

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, nga ekspertë të çështjeve ekonomike, po cilësohet si diskriminues, skandaloz dhe pasurim mbi mjerimin social në vend.

Nisur nga fakti që Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe me shkallë të lartë të papunësisë, sipas ekspertëve të fushës së ekonomisë, kryeministri Haradinaj është dashur ta shikojë mundësinë për zvogëlim të numrit të madh të zëvendësministrave dhe jo t’i shpërblejë ata.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ngritjen e pagave të disa kategorive të të punësuarve, për siç është thënë, “me qëllim të përmirësimit të pozitës materiale të disa kategorive të të punësuarave me përgjegjësi dhe angazhime të veçanta”.

Kabineti qeveritar i Kosovës
Kabineti qeveritar i Kosovës

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha për Radion Evropa e Lirë se janë shqetësuese veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, si me punësimin e numrit të madh të zyrtarëve, ashtu edhe me vendimin për rritjen e pagave.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës është pronë e Kosovës dhe jo pronë e “privatizuar”.

“Sjelljet e fundit, qoftë me punësim të pakontrolluar të analfabetëve, qoftë me politizim të proceseve dhe së fundmi ngritja e pagave për këshilltarët dhe stafin në kuadër të kabinetit të kryeministrit, është një dëshmi që Kosova është shndërruar në hapësirë eksperimentale”.

“Në kohën kur shkalla e varfërisë ekstreme dhe papunësisë është në rritje dhe kemi një dyfishim të pagave për zyrtarë qeveritarë, kjo është diçka që më së paku i bën nderë Kosovës dhe reputacionit të saj”, thotë Gërxhaliu.

Sipas vendimit të Qeverisë, paga e kryeministrit nga 1500 euro sa ka qenë, nga ky muaj do të jetë në 2950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1300 euro, paga u është rritur në 2500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1200 euro, ndërkaq me vendimin e ri do të jetë 2000 euro. Kurse, rreth 70 zëvendësministrat e emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1150 euro.

Ndryshime të pagave kanë pësuar edhe pozitat e këshilltarëve të kryeministrit dhe disa zyrtarëve tjerë qeveritarë.

Rritjen e pagave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës e konsideron vendim të ngutshëm dhe skandaloz, edhe Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në Lëvizjen “FOL”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thekson ai, nuk është dashur që 100 ditët e para të qeverisjes t’i mbyllë me favore dhe privilegje për veten dhe stafin e tij.

“Mendoj që si kryeministër, duhet t’i shtrijë favoret dhe privilegjet për popullin dhe jo për vete. Nëse ai është aty sipas pretendimit për t’i shërbyer popullit, kurse në 100 ditshin e parë t’i rrisë pagat për vete, ky është një mesazh në kundërshtim me pretendimet që ka bërë”, thotë Zulfaj.

Edhe disa deputetë nga opozita kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave. Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje në profilin e saj Facebook, ka treguar se vendimin e Qeverisë e ka dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, për shkak të konfliktit të interesit.

Ajo ka thënë se këtë vendim do ta dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese sepse është në shpërputhje me gjendjen socio-ekonomike.

“Vendimi i Qeverisë, është vendim skandaloz. Me pas kryeministri rrogën më shumë se 10 fishi i pagës mesatare në vend është e papranueshme”.

“Një pensionist i merr 75 euro, qytetarët që marrin ndihmë sociale edhe më pak. Me një kalkulim të thjesht i bie se Haradinaj me ministra do t'i kenë pagat më shumë se 40 fishi i pensioneve”, ka shkruar Haxhiu.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2016 në Kosovë ishte 525 euro, kurse në sektorin privat 367 euro.

Por, ka gjashtë vjet që paga minimale vazhdon të mbetet e “ngrirë” në 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35-vjeç.

​Në anën tjetër, pensionistët e moshës marrin 80 euro në muaj, derisa pensionistët kontribut-pagues marrin prej 140 deri në 240 euro në muaj, kurse asistenca sociale fillon nga 25 deri në 150 euro, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG