Ndërlidhjet

Largimi i serbëve bllokon sistemin e drejtësisë në veri


Ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, dhe stafi tjetër serbë i gjykatës, duke u larguar nga ndërtesa pas dorëzimit të dorëheqjeve. 7 nëntor 2022.

Pas largimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës, ka nisur ngadalësimi i punës në Prokurorinë dhe Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, në këtë institucion ka numër të madh lëndësh dhe pas largimit të punonjësve serbë, lëndët kanë mbetur pa prokurorë.

“Mund të ketë ngadalësim dhe mund të reflektojë [në punë], për arsye se kanë qenë një numër i madh i prokurorëve serbë. Edhe më herët kemi pasur një mungesë të prokurorëve nga radhët e shqiptarëve dhe kjo mungesë nuk është plotësuar dhe tani kemi edhe minus dhjetë [prokurorë]. Do të thotë, jemi në mungesë të 13 prokurorëve dhe kjo gjithsesi se reflektohet”, thotë Ujkani për Radion Evropa e Lirë.

*Video: Kronologjia e rritjes së tensioneve në veri

Ngjarjet që iu paraprinë tensioneve në veri
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:08:23 0:00

Më 5 nëntor, zyrtarët e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – njoftuan se serbët në veri do të largohen nga institucionet, përfshirë ato të drejtësisë, të rendit, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

Punonjësit e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – prokurorët dhe stafi mbështetës – dorëzuan dorëheqjet e tyre më 7 nëntor.

Kjo prokurori përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës kishte 19 prokurorë dhe 65 punëtorë staf mbështetës. Nga ta ishin dhjetë prokurorë serbë dhe 22 punonjës administrativë e staf mbështetës.

Departamenti më i ngarkuar, me një prokuror

Ujkani thotë se ngarkesa më e madhe është në departamentin e përgjithshëm, ku aktualisht po punon vetëm një prokuror, kurse në departamentet e tjera të kësaj prokurorie, situata është më ndryshe.

“Lidhur me hapat e mëtejmë se si do të veprohet është ende herët, por mendoj se kjo çështje përmes Këshillit [Prokurorial] do të rregullohet sepse është një situatë ku një numër i madh i prokurorëve janë larguar. Janë dhjetë prokurorë që janë larguar dhe me të gjitha lëndët që kanë qenë të ngarkuar, është problem që ato të shpërndahen. Në departamentin për të mitur është më ndryshe situata, edhe në krimet e rënda. Por, në departamentin e përgjithshëm është më problematike sepse është vetëm një prokuror dhe atij do t’i jepen të gjitha lëndët. Është ngarkesë, sepse ai ka pasur edhe lëndë të veta”, thotë Ujkani.

Ai thotë se Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të bëjë një zgjidhje dhe Ujkani përmend si mundësi edhe transferimin e prokurorëve nga komunat e tjera të Kosovës. Por, deri sa të bëhet një zgjidhje, prokurorët në Mitrovicë, sipas tij, do të vazhdojnë punën aty ku munden.

“Do të evidentohen të gjitha lëndët me të cilat [prokurorët serbë] kanë qenë të ngarkuar, dhe ato të natyrës urgjente si dhe lëndët e tjera. Më pas do të vendoset çfarë të bëhet më tutje dhe kjo do të bëhet përmes Këshillit”, thotë Ujkani.

Lëndët që janë në proces do të vazhdohen, ndërkaq sa i përket përfaqësimit të seancave, duhet kohë që prokurorët të përgatiten me to, thotë kreu i organit të ndjekjes në Mitrovicë. Por, mungesa e stafit administrativ po ashtu po shihet si pengesë e madhe në mbarëvajtjen e punës.

Këshilli Prokurorial gjatë mbledhjes së mbajtur më 8 nëntor, ka vlerësuar situatën e krijuar në veri, por nuk ka shqyrtuar dorëheqjen e prokurorëve dhe stafit administrativë nga radhët e komunitetit serb. Kjo pasi, siç u tha në një njoftim për media, kërkon “një analizë dhe vlerësim të gjendjes së krijuar nga organet kompetente lidhur me përgjegjësit eventualë që kanë shkaktuar këtë gjendje”.

Me vështirësi po përballet edhe Gjykata Themelore e Mitrovicës, thotë drejtuesi i saj, Bekim Veliqi.

“Kemi raste të gjyqtarëve që kanë punuar në krime të rënda. Na është dorëzuar një numër i madh i rasteve që janë me masa të paraburgimeve, veprave penale të natyrës së rëndë, sikurse vrasje. Tani, të gjitha këto raste duhet t’i shpërndajmë nëpër gjykata dhe është problem të formohen trupa gjykues për këto raste. Bashkë me mua, janë edhe katër gjyqtarë për krime të rënda”, thotë Veliqi.

Ai tregon se degët e gjykatës në disa komuna në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe, tashmë janë mbyllur.

“E kam obligim që ta bëj një plan veprimi brenda këtyre ditëve për organizimin e punës, që të mos mbetemi keq dhe për çështjen e degëve të gjykatës në Leposaviq dhe Zubin Potok, që tashmë janë mbyllur”, thotë Veliqi.

Sipas tij, mbajtja e seancave gjyqësore për çështjet penale po dështojnë.

Lilana Stevanoviq, që dha dorëheqje nga posti i kryetares së Gjykatës Themelore, tha më 7 nëntor se rreth 150 serbë janë larguar nga gjykata.

Këto largime të serbëve, sipas ish-kryeprokurorit në Mitrovicë, Shyqri Syla, janë të gabuara dhe të nxituara, që do të lënë pasoja të mëdha në sistemin e drejtësisë dhe sigurisë së Kosovës.

“Që të dy këto organe, Gjykata dhe Prokuroria kanë mbetur me një kapacitet të përgjysmuar të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe është e vështirë që të dilet mbanë me kaq pak gjyqtarë dhe prokurorë që kanë mbetur tani në ato institucione në veri. Do të jetë e vështirë për Gjykatën që të formojë edhe një panel për të gjykuar në krime të rënda. Kjo do të lë pasoja jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në segmente të tjera të sigurinë në veri”, thotë Syla.

Ai shpreson që Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor të mos aprovojnë kërkesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë që janë dorëhequr, pasi sipas tij, një gjë e tillë do t’iu mundësonte këtyre personave “të reflektojnë dhe të kthehen në sistemin e drejtësisë”.

“Për ndryshme ju e dini që plotësimi i këtyre vendeve vakante merr kohë për faktin se procedurat janë të tilla që zgjasin me vite”, thekson ai.

Serbët ishin integruar në sistemin e drejtësisë dhe atë të rendit, pasi Kosova dhe Serbia më 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, kishin arritur marrëveshje për një gjë të tillë.

Ndërkaq, sipas Ligjit për gjykata, me dorëheqjen eventuale të një gjykatësi apo prokurori, ligjërisht përfundon mandati i tyre.

Legjislacioni thotë se për të krijuar efekte juridike dorëheqja e një gjyqtari ajo duhet së pari të miratohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

“Pas miratimit të dorëheqjes së paraqitur nga një gjyqtar, KGJK dërgon vendimin për lirim nga detyra e gjyqtarit te Presidenca, ku kjo e fundit brenda 30 ditësh, pas pranimit të propozimit nxjerr dekret për lirimin nga detyra e gjyqtarit. Pra, dorëheqja e një gjyqtari arrin të marrë efekt juridik kur presidentja e vendit [Vjosa Osmani] nxjerr dekretin për lirim”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë, Gzim Shala, hulumtues i lartën në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

E njëjta procedurë vlen edhe për dorëheqjet e prokurorëve në sistemin prokurorial të Kosovës.

XS
SM
MD
LG