Ndërlidhjet

Prokuroria ende nuk i ka njoftuar të akuzuarit në rastin ‘Veteranët’


Protesta në Prishtinë ku është kërkuar shkarkimin i Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, i cili ka hetuar rastin e njohur si “Veteranët”
Protesta në Prishtinë ku është kërkuar shkarkimin i Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, i cili ka hetuar rastin e njohur si “Veteranët”

Të akuzuarit për rastin e njohur në opinion si 'Veteranët', thonë të mos jenë njoftuar zyrtarisht nga Prokuroria lidhur me atë se për çfarë akuzohen.

Në mesin e 12 personave për lëndën e njohur si 'Veteranët', është edhe ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku, njëherësh kryesues i Komisionit për verifikim të veteranëve.

Çeku dhe të tjerët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Çeku thotë ai nuk ka marrë asgjë apo njoftuar zyrtarisht nga institucionet kompetente lidhur me këtë aktakuzë.

“Unë jam në dijeni vetëm nga portalet se jam i pari në mesin e të akuzuarve, por ende asnjëherë zyrtarisht nuk jam informuar dhe po hezitoj edhe të deklarohem se nuk po di cilës aktakuzë, asaj që e bëri prokurori Elez Blakaj e la në gjysmë, apo asaj që është publikuar në ‘Koha Ditore’ apo tash një e re që thuhet se është ndryshuar. Të gjitha mediat po e kanë të gjitha, po e komentojnë, por ne të akuzuarit as unë dha asnjëri nuk jemi njoftuar, as nuk jemi ftuar dhe e gjithë kjo po më bën të ndihem shumë i zhgënjyer se si po menaxhohet ky problem tejet serioz”, thotë Çeku.

Numri i veteranëve të luftës të cilët kanë marrë pagesa nga buxheti i Kosovës për muajin gusht është mbi 38 mijë persona. Por, pas hetimeve që janë duke u bërë rreth këtij rasti rreth 20 mijë prej tyre, dyshohet se përfituan statusin e veteranit në mënyrë të kundërligjshme.

Veteranët morën 6.4 milionë euro në gusht

Shqipe Krasniqi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se numri i veteranëve nga muaji në muaj ndryshon, varësisht nga lista që merret nga Administrata Tatimore e Kosovës.

“Për çdo muaj pasi të pranojmë listën e veteranëve, shumë prej tyre gjatë kontrollit hasim që kanë filluar punën ose kanë ndërprerë punën. Në këtë pasqyrë, në mënyrë automatike çdo aplikues që nuk ka burim të hyrash, aktivizohet. Në muajin e kaluar në janë 38.051 veteranë si shfrytëzues të skemës. Shuma e shpenzuar është 6.4 milionë euro për muajin e kaluar”, thotë Krasniqi.

Ndërkohë, pas aktakuzës të ngritur për rastin e njohur “Veteranët”, nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në mediat vendore ka qarkulluar lista e veteranëve të cilët dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm statusin e veteranit të luftës.

Në mesin e kësaj liste është edhe deputetja Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, ajo thotë të ketë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se kontributi i saj i dhënë në luftë nuk vihet në dyshim.

“Unë jam krenare për kontributin që e kam dhënë për vendin. Unë mburrem me atë që e kam bërë dhe kjo që ka ndodhur nuk më ka shqetësuar, por është shqetësuese fakti i gjithë këtij procesi. Kjo listë është bërë pa verifikimi. Në mesin e kësaj listë janë luftëtarë që kanë kontribuar dhe në mesin e tyre gjendet edhe emri im. që është për t’u çuditur. Qëllimi i prokurorit Elez Blakaj ka qenë që të shqetësojë opinionin e gjerë me lajmin se ai po kërcënohet”, thotë Kadrijaj.

Blakaj: Aktakuza u ndryshua, listës iu shtuan edhe 2,000 persona

Ndërkohë, pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe publikimit të listës nga mediat në Kosovë, prokurori i dorëhequr Elez Blakaj përmes profilit të tij në Facebook ka shkruar se nuk mban përgjegjësi për aktakuzën ,e cila siç shkruan ai, ‘ka ndryshuar, plotësuar dhe nënshkruar nga një prokuror tjetër’.

“Ajo çka po shoh tash nga informacionet e publikuara në media, që i referohen aktakuzës së veteranëve, duke i publikuar edhe emrat dhe të dhënat personale është se janë rreth 2.000 persona, të cilët del se janë shtuar në listën e emrave që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar, në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët”.

“Këtë sqarim po e bëj për të informuar publikun se së pari aktakuza paska pësuar ndryshime nga ajo që e kam përpiluar unë, sepse janë rreth 2.000 persona më shumë, për të cilët nuk kam as informacion se si janë selektuar dhe sesi janë përfshirë në aktakuzë”, ka shkruar Blakaj.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë euro.

Në bazë të ligjit, veteran luftëtar i UÇK –së, është qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK- së, dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK së, dhe i cili ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.

Sipas ligjit, këtë benificion, veterani nuk mund ta marrë nëse është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti në Republikën e Kosovës, apo është i punësuar në sektorin publik dhe privat në vend.

XS
SM
MD
LG