Ndërlidhjet

Protestat në Iran janë shtypur, por nuk janë harruar


Një protestuese në Iran

Sfida më e madhe e establishmentit iranian në vitet e fundit u shua pas disa javëve të protestave të dhunshme, por derisa pakënaqësia e gjerë tani për tani është heshtur, qetësia nuk do të zgjasë përgjithmonë.

Burimet e protestave - frustrimi i rinisë për shkak të mungesës së lirisë dhe mundësive - fshihen nën sipërfaqe. Dhe derisa gjenerata e re shpreh hapur vullnetin për të dalë në rrugë për të shprehur mllefin për status quo-n [gjendjen aktuale], përgjegjësia bie mbi udhëheqjen e moshuar të Republikës Islamike të ngushtojë dallimin në rritje ndërmjet gjeneratave.

"Iranianët e rinj kane pritje te mëdha, kanë qasje më të madhe në informacion dhe në botën e jashtme, dhe aspirojnë më shumë liri dhe mundësi”, thotë Ahmad Majidyar, ekspert për Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme në Institutin për Lindjen e Mesme ne Uashington.

Për establishmentin e moshuar, për të cilin momenti përcaktues kishe ardhur me Revolucionin Islamik të vitit 1979, gjetja e mënyrës për të ia dalur me një shumicë në rritje, të atyre qe ende nuk kishin lindur që të shohin ngjarjet që rezultuan në krijimin e një këso shteti, nuk do të jetë punë e lehtë.

Afër 60 për qind e 82 milionë banorëve të Iranit janë nën moshën 35 vjeçare, dhe afër 70 për qind e tyre nuk kanë lindur kur ishte krijuar Republika Islamike.

Dhe, sipas Majidyar, “ata janë thellësisht të dëshpëruar me ngecjen ekonomike dhe politike të vendit, dhe nuk e konsiderojnë establishmentin politik aktual si të aftë për t’i trajtuar nevojat e tyre”.

‘Dy gjenerata’

Derisa protestat vdekjeprurëse në mbarë vendin kanë pushuar, Presidenti Hassan Rohani foli për dallimin mes gjeneratave duke nënvizuar nevojën për një qasje të re.

“Nuk mundemi që ta imponojmë një stil të jetës tek gjeneratat e reja”, ka thënë 69 vjeçari Rohani, i konsideruar si disi më i moderuar.

“Problemi është qe ne dëshirojmë që dy gjenaratat pas nesh të jetojnë ashtu siç ne do të dëshironim që ata të jetojnë.”

“Njerëzit kanë kërkesa, disa prej të cilave të natyrës ekonomike, sociale apo të sigurisë, dhe të gjitha këto kërkesa duhet trajtuar,” shtoi Rohani.

“Ne nuk kemi zyrtarë të pagabueshëm, dhe çdo autoritet mund të kritikohet.”

Protestat filluan më 28 dhjetor në qytetin Mashhad për shkak të papunësisë së madhe dhe ngritjes së çmimit të vezëve, por kur autoritetet reaguan ashpër duke arrestuar dhjetëra njerëz, protestat shpejt u shtrinë në gjithë vendin. Protestat u zhvilluan në më shumë se 100 qytete në mbarë vendin, duke shfaqur kështu ankesat e qytetarëve.

Me shpërndarjen më të madhe të protestave, u rritën edhe kërkesat. Protestuesit çdo herë e më tepër po kërkonin liri politike e shoqërore, dhe thirrjet fillestare në qytetin Masshar që Rohani të dorëhiqet evoluuan në kritika të hapura edhe ndaj establishmentit klerik, përfshirë këtu ndaj Liderit Suprem Ayatollah Ali Kahmenei.

Kur populli i uritur shndërrohet në armik
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:08:59 0:00

Rreth 3700 protestues janë ndaluar dhe 25 persona – përfshirë forca të sigurisë – janë vrarë.

Që nga viti 1979, pushteti është mbajtur i monopolizuar nga një gjeneratë e vjetër e udhëheqësve që e kanë formësuar qeverisjen në Iran.

Në krye është lideri suprem, aktualisht 78 vjeçari Khamenei. Dy autoritete të fuqishme të vendim-marrjes – Kuvendi i Ekspertëve dhe Këshilli të Gardianëve– udhëhiqen nga 90 vjeçari Ayatollah Ahmat Jannati, një klerik konservator i vijës së ashpër. Në anën tjetër, Ali Larijani, 60 vjeç, është kryetar i Kuvendit, kurse vëllai i tij, Sadeq Larijani, 59 vjeç, udhëheq sistemin e fuqishëm të gjyqësorit.

“Ne jemi në mes të një fazë kur njerëzit po e rimendojnë legjitimitetin dhe përgjegjshmërinë e udhëheqësve të tyre,” thotë Scott Lucas, një specialist për Iranin në universitetin britanik të Birminghamit dhe redaktor i faqes EA World View.

Lucas thotë se udhëheqësit e Iranit duhet të reagojnë ndaj kërkesave të qytetarëve përmes një “procesi të përshtatjes dhe akomodimit”.

Në të kundërtën, ndjenja kundër establishmentit mund të vlojë sërish, thotë analisti Majidyar.

“Zemërimi dhe frustrimi që nxiti protestat do të mbetet, ndoshta edhe të rritet më shumë, dhe të rishfaqet në forma të tjera në të ardhmen”. thotë ai.

A është Rohani shpëtimtari?

Protestat e fundit kanë ngritur pyetjen nëse Presidenti Rohani, i cili ka qenë cak i kritikave, porse që nga fillimi i karakterizoi pakënaqësitë si shans për dialog, është njeriu që mund ta udhëheqë Iranin drejt një faze të përshtatjes.

Derisa konsiderohet si relativisht më i moderuar, Rohani është i lidhur fort me establishmentin klerik që i jep kahje një sistemi që e përzien qeverisjen federale me rregulla islamike. Ai ka kërkuar më shumë liri politike dhe shoqërore, por nuk ka kërkuar rishikimin e plotë tëvetë sistemit. Por, edhe tentimet modeste për reforma nuk janë mirëpritur nga udhëheqësit e fuqishëm të vijës së ashpër në sistem, duke e lënë Rohanin të hapur ndaj kritikave nga njerëzit që e kanë votuar atë për shkak të zotimeve për ndryshim.

Mosha mesatare e kabinetit të tij qeverisës është 58 vjet, dhe përbëhet kryesisht nga anëtarë të gardës së vjetër. Ministri i Komunikimeve, Mohammad Jahromi, 36 vjeç, është i vetmi që mund të konsiderohet si pjesë e gjeneratës së re.

Edhe ai që sot mund të cilësohet si kampi reformues, e që përkrahet nga shumë të rinj, të arsimuar dhe klasa e mesme e Teheranit, udhëhiqet nga një anëtar i gardës së vjetër. Ish-presidenti reformist Mohammad Khatami, lëvizjet dhe aktivitetet e të cilit janë nën kontroll të rreptë, është 74 vjeçar. Mir Hossein Musavi, udhëheqës i një grupi tjetër opozitar, Lëvizjes së Gjelbër, është 74 vjeçar, dhe është në arrest shtëpiak që nga viti 2011.

“Protestuesit po shfaqin zemërimin ndaj të gjithë udhëheqësve, dhe duket se janë njëjtë të zhgënjyer si me konservatorët ashtu edhe reformistët”, thotë Majidyar, që shton se udhëheqësit e Republikës Islamike kanë humbur kontaktin me qytetarët.

Rohani ka shprehur vullnet për t'u marrë me shqetësimet e protestueseve, thotë eksperti Lucas, por duhet parë si do të duket qasja e tij publike.

Kjo nënkupton që Rohani – ose kushdo që e merr përsipër sfidën për të ngushtuar dallimin e gjeneratave – do të jetë në një pozitë të dobët nëse të pakënaqurit vërejnë ndonjë shenjë të mosgatishmërisë ose pamundësisë që të përmirësohet situata e tyre.

“Siç e pamë në protestat e fundit, kjo pakënaqësi mund të përshkallëzojë në vënien në pyetje të legjitimitetit të institucioneve iraniane – dhe as lideri suprem nuk është i përjashtuar nga kjo”, thotë Lucas.

Përgatiti: Nektar Zogjani
XS
SM
MD
LG