Ndërlidhjet

Protestë e dhunshme në Tiranë


Pamje nga një protestë e mëhershme e organizuar nga opozita në Shqipëri.

Të paktën 12 persona, policë e qytetarë, kanë marrë ndihmë mjekësore pasi janë plagosur si pasojë e përplasjes mes vete gjatë protestës së organizuar nga opozita në Shqipëri.

Portestuesit, pasi u mblodhën para ndërtesës së Kryeministrisë për të kërkuar largimin e Qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, iu drejtuan Parlamentit ku edhe hodhën fishekzjarrë e shashka në drejtim të policisë.

Policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe autobote uji në përpjekje për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Sandër Lleshaj ka bërë të ditur në Twitter numrin e policëve të plagosur dhe tha se përgjegjësit e dhunës do të dënohen me ligj.

Në përmbyllje të protestës, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se koha e fjalëve “po mbaron” dhe se në protestën tjetër do të vendosin qytetarët.

“Është hera e fundit që drejtohem me fjalë dhe argumente, koha e fjalëve po mbaron, në protestën e radhës fjalën do ta ketë vetëm sovrani. E gjithë bota e di që ky është një pushtet i marrë nga dhuna e krimit. Ne nuk pranojmë pushtet të marrë me dhunë, harrojeni se do ta mbani pushtetin e dhunë, kthejani sovranit atë që i keni marrë, hapini rrugë zgjedhjeve të lira si e vetmja zgjidhje”, u shpreh Basha.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dënuar dhunën e ushtruar gjatë protestës dhe ka kërkuar nga partitë opozitare që të angazhohen në dialog konstruktiv.

“Ambasada e SHBA-së dënon dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte. Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj Qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht. Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik. Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv”, thuhet në reagimin e tyre.

Edhe misionet tjera diplomatike me seli në Tiranë kanë reaguar duke dënuar dhunën dhe duke thënë se mbështesin protestat paqësore si e drejtë e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre, por se organizatorët duhet të marrin përgjegjësi për mbajtjen e qetësisë.

Protesta e së dielës është e shtata protestë kombëtare e organizuar nga opozita e cila kërkon largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie transitore deri në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Shqipëria, e cila është në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, ndodhet në një krizë të thellë politike, pasi dy partitë opozitare dhe aleatët e tyre të djathtë kanë djegur mandatet e tyre në Kuvend dhe kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhje më 30 qershor dhe kanë thënë se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se ai dhe qeveria e tij nuk do të japë dorëheqje, apo dhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, meqë janë qeveri legjitime e zgjedhur nga qytetarët.

Disa ditë më parë Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014 dhe pritet të fillojë negociatat për anëtarësim në muajin qershor të këtij viti.

XS
SM
MD
LG