Ndërlidhjet

Puna si terapi


Foto nga ekspozita
Foto nga ekspozita

Disa gra, të cilat kanë përjetuar dhunë në forma të ndryshme, sidomos viktima të trafikimit, kanë hapur të premten një ekspozitë në Prishtinë me punimet e tyre të dorës. Ato kanë punuar qafore me rruaza ose stoli, por edhe byzylykë me rruaza për dorë. Këtë projekt e ka bërë organizata joqeveritare “Art Polis”, me ndihmën e Bashkësisë Evropiane.

Shumë nga këto gra, për shkak të dhunës që kanë përjetuar, kanë probleme me shëndetin mendor, andaj ato janë nën përkujdesje të psikologëve dhe psikiatërve dhe marrin trajtim në Qendrën për Shëndetin Mendor në Prishtinë.

Ekspozita me punë dore të disa prej grave që kanë përjetuar dhunë.
Ekspozita me punë dore të disa prej grave që kanë përjetuar dhunë.

Njëra nga to është Hava. Ajo ka qenë e trafikuar. Jeta e saj para dy muajsh ka marrë një kthesë tjetër. Ndonëse kishte hezituar të inkuadrohet në projekt për të punuar, angazhimi në punë, beson se ia ka ndryshuar jetën për të mirë.

“Unë rregulloj rruaza, i fus në varg për qafë dhe dorë. Punojmë me lloj-lloj nuance. Unë më herët nuk kam punuar. Kjo është hera e parë. Sidomos tani, pasi që po shpërblehet, pasi po shiten produktet tona. Unë punoj qe dy muaj, me rruaza”.

“Më parë kur nuk kam punuar edhe jeta ime ka qenë më ndryshe. Tash jeta po më duket më e bukur. Sidomos shoqet që i kam takuar këtu... është diçka shumë e bukur. Gjatë punës ndonjëherë këndojmë, ndonjëherë qeshim, thjeshtë relaksohemi dhe kënaqemi shumë”, thotë Hava.

Sapo mbaron me një punë të caktuar, Hava thotë se po ndihet më e vlefshme në jetë.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për Shëndetin Mendor në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se puna për viktimat e trafikimit është e një rëndësie shumë të madhe. Këto gra, thekson ai, kanë mungesë të vetëbesimit dhe në momentin kur kanë filluar ta kuptojnë se mund të punojnë, ato ndihen më të vlefshme, çka sipas Rexhepit, ndikon edhe në kthimin e vetëbesimit.

“Puna është terapia më e mirë dhe më e lirë. Puna ka ndikuar shumë në përmirësimin e gjendjes. Qendra jonë është e vogël për t’i mbuluar të gjitha shërbimet. Te gratë që kanë qenë të trafikuara dhe kanë probleme emocionale, puna iu ndihmon atyre pasi që nënkupton sukses në kreativitet”, thotë Rexhepi.

Foto nga ekspozita
Foto nga ekspozita

Sipas tij, kështu, këto gra kanë kohë të merren edhe me gjendjen emocionale që i ka sjellë deri këtu ku janë.

Në anën tjetër, psikologja Behare Bojaxhiu, e cila ushtron edhe detyrën e terapeutes vokacionale (terapi epunës), thotë se e gjithë puna është bërë që këtyre grave t’u kthehet vetëbesimi. Ajo shton se këto kanë qenë në një formë të margjinalizuara. Andaj, siç thotë ajo, ri-integrimi i tyre në shoqëri, është shumë i rëndësishëm.

“Puna te këto gra, ka ndikuar në ngritjen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit. Kemi pasur gra që kanë qenë të mbyllura dhe nuk kanë folur fare, por puna ka ndikuar shumë pozitivisht në ngritjen e kënaqësisë tek ato, bisedat, socializimi ka ndikuar mirë në jetën e tyre”, thekson Bojaxhiu.

Kurse Venera Ismaili, zyrtare për informim në organizatën joqeveritare “Art Polis”, organizatë kjo që ka iniciuar këtë projekt, thotë se me ndihmën e Qendrës për Shëndetin Mendor, i kanë identifikuar gratë që kanë nevojë për ri-integrim.

Ajo shton se tashmë puna e tyre është finalizuar me ekspozitë dhe të hollat nga shitja e aksesorëve, që është simbolike, do t’u shpërndahen po këtyre grave në mënyrë që t’i motivojnë për punë të mëtutjeshme.

“Kjo ekspozitë vjen si rezultat i tetë sesioneve të punëtorisë, mendimi kreativ i fuqizimit të viktimave të trafikimit dhe viktimave potenciale të trafikimit. Fillimisht në këtë projekt ishin inkuadruar vetëm tetë gra, por më pas atyre u janë bashkëngjitur 15 gra, duke e parë disponimin dhe atmosferën që është krijuar gjatë këtyre sesioneve”, thotë Ismaili.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se Qeveria e Kosovës nuk e ka përmbushur as nivelin minimal të standardeve për eliminimin e trafikimit me njerëz. Raporti përmend faktin se Qeveria e Kosovës uli fondet për strehimore të OJQ-ve për të katërtin vit radhazi, duke detyruar OJQ-të të mbështeten në donatorë të huaj.

XS
SM
MD
LG