Sanimi i rrëshqitjeve të dheut, mbrojtja nga shembjet në shpate përmes pyllëzimit, vendosja e rrjetave dhe spërkatjes me beton, janë disa prej hapave që po merren aktualisht në terren në autostradën Kërçovë - Ohër. Kjo autostradë kushton pothuajse 600 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e mjeteve tashmë janë paguar. Mesatarisht, shteti paguan 9.7 milionë euro për një kilometër autostradë.
Pothuajse e gjithë shuma e projektuar së fundmi për autostradën Kërçovë–Ohër është paguar. Të dhënat tregojnë se deri më tani janë ndarë rreth 560 milionë euro për këtë segment.
E nisur zyrtarisht për ndërtim në vitin 2014, disa muaj pasi u nënshkrua kontrata në nëntor 2013, autostrada edhe pas 12 vjetësh nuk është përfunduar.
“Deri në këtë moment janë realizuar 557.985.782,11 euro ose 93.3 për qind e shumës së paraparë për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër”, thuhet në të dhënat e fundit nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRSH) të cilat i ka parë Radio Evropa e Lirë.
Nëse shuma e paguar deri më tani përbën 93.3 për qind të totalit të paraparë, atëherë vlera përfundimtare, sipas projeksioneve aktuale, do të arrijë në 598.055.500 euro. Kjo është mbi 200 milionë euro më shumë sesa 374 milionë eurot e projektuara fillimisht, të bëra publike më shumë se një dekadë më parë.
Segmenti është i gjatë rreth 57 kilometra, që do të thotë se një kilometër i kësaj arterie të rëndësishme rrugore për Maqedoninë e Veriut do të kushtojë rreth 9.7 milionë euro.
Shikojeni edhe këtë video: Autostrada që ndalet para kufirit me Kosovën
Çfarë po punohet në terren?
Nga NPRSH bëjnë të ditur se aktualisht “ndërtimi është në fazë të avancuar”.
“Po punohet në sanimin e rrëshqitjeve të reja të dheut, si dhe në përgatitjen e masave mbrojtëse në shpate, përmes pyllëzimit, vendosjes së rrjetës gjeokompozite dhe spërkatjes me beton. Më pas, në disa shpate po zbatohet zgjidhja me të ashtuquajturat galeri”, thonë nga Ndërmarrja Publike.
Qëllimi është që sa më shumë pjesë të segmentit të bëhen funksionale, për të lehtësuar “udhëtimin drejt qendrës turistike në Ohër”.
Qyteti i Ohrit, i vendosur në bregun e Liqenit të Ohrit, në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, ka mbi 50 mijë banorë. Ai është edhe destinacioni më i njohur turistik në vend, ku sipas raporteve të Komunës, në vitet 2023 dhe 2024 janë regjistruar mbi 1.1 milionë netëqëndrime turistike për secilin vit.
Nga problemet me projektin dhe mungesa e punëtorëve deri te përplasjet politike
Sipas informacioneve të fundit në dispozicion për autostradën, e cila pritet të lehtësojë udhëtimin në këtë rajon, deri më tani janë përfunduar rreth 40 kilometra nga gjithsej 57.
Autostrada po ndërtohet nga kompania kineze Sinohydro, ndërsa Enti Shtetëror i Revizionit në një nga raportet e tij për Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, e ka cilësuar atë si “investimi më i madh infrastrukturor me ndërtim shumëvjeçar”.
Që në vitin 2022, revizorët konstatuan se vlera e projektit ishte rritur për të paktën 45 për qind, dhe se kjo autostradë kishte zgjatjen më të madhe të afatit të ndërtimit. Ajo duhej të përfundonte për katër vjet.
Arsyetimet që autoritetet i kanë dhënë për zvarritjen janë evidentuar edhe nga revizorët, të cilët kanë vërejtur se ndër shkaqet kryesore për dinamikën e ngadalësuar përmenden: mangësi në projekt, shpronësime të vonuara, marrëdhënie të pazgjidhura pronësore-juridike, dislokim objektesh, mungesë e stafit teknik, mekanizimit dhe pajisjeve.
Përveç këtyre problemeve, aktorët politikë prej vitesh kanë akuzuar njëri-tjetrin për ngecjen e projektit. Kur në qershor 2025 u hapën 20 kilometrat e parë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski nga VMRO-DPMNE, paralajmëroi se segmenti duhet të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2026, duke akuzuar se projekti më herët ishte shndërruar në “simbol të ngecjes” dhe “pasqyrë të turpshme të një shteti që numëron në vend”.
Nga ana tjetër, partia opozitare LSDM, në qeverisjen e së cilës aludoi zëvendëskryeministri, pretendon se kur mori pushtetin në vitin 2017, në terren gjeti vetëm 30 për qind përparim të punimeve, pa shpronësime, pa projekte kyç të përfunduara, dhe me një sërë problemesh, por se arriti të realizojë 83 për qind të projektit.
Projektin e kanë shoqëruar edhe kontestime që përfunduan me aktakuzë nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP) në lëndën “Trajektorja”, për shkak të dyshimeve për dëmtim të buxhetit të shtetit në vlerë mbi 150 milionë euro. Të akuzuar ishin ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, dhe ish-drejtori i NPRSH-së, Ljupço Georgievski. Proces gjyqësor pati, por nuk u arrit vendim i formës së prerë, pasi lënda u parashkrua.
Pjesë e kësaj aktakuze ishte edhe kontrata për autostradën Miladinovci–Shtip, e arritur në të njëjtën periudhë me atë për Kërçovë-Ohër. Megjithatë, kjo autostradë prej 47 kilometrash u përfundua dhe u lëshua në përdorim në qershor 2019. Sipas NPRSH-së, në të janë investuar 177 milionë euro, ose mesatarisht 3.8 milionë euro për kilometër.