Ndërlidhjet

Qeveria dorëlirë në prag të zgjedhjeve


Qeveria e Kosovës, të mërkurën, më 27 tetor ka ndarë mbi 36 milionë euro për pensione dhe skema sociale.

Buxheti i shtetit po keqpërdoret në funksion të fushatës së rundit të dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 nëntor dhe kjo mund të rrezikojë qëndrueshmërinë buxhetore, thonë Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, dhe Pal Lekaj, anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, të mërkurën, më 27 tetor ka ndarë mbi 36 milionë euro për pensione dhe skema sociale. Ndarja e këtyre mjeteve është bërë në kuadër të zbatimit të masave të Pakos së ringjalljes ekonomike, konkretisht në kuadër të zbatimit të masës 3.2 ku thuhet “mbështetja për pensionistët dhe familjet në asistencë”.

Por, vlera për këtë masë në këtë pako të miratuar në muajin korrik nga Qeveria e Kosovës, ishte vetëm 17 milionë euro.

Arton Demhasaj dhe Pal Lekaj në parim e përkrahin rritjen e skemave sociale për shkak të ngritjes s çmimeve, por thonë, se me këto vendime po shënjestrohet pjesa më e madhe e pensionistëve që paraqiten pjesë aktive e elektoratit.

Në Kosovë, çmimet e artikujve të konsumit në muajin shtator janë shtrenjtuar deri në pesë për qind dhe ky shtrenjtim ka vazhduar edhe gjatë muajit tetor.

Çmimet më të larta deri në 30 për qind vërehen te vajrat dhe yndyrnat ushqimore, ndërkaq për 20 për qind te pemët dhe perimet.

Demhasaj: Po shënjestrohen qytetarët aktivë të elektoratit

Demhasaj nga Organizata “Çohu” thotë se vetë fakti se qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, po merr vendime para fushatës së rundit të dytë zgjedhjeve lokale mund të ketë tendenca të rrisë numrin e votave në balotazh, pasi në rundin e parë nuk ka fituar asnjë komunë.

“Shënjestër nuk janë vetëm pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, por janë edhe familjarët e pensionistëve, është një gamë shumë e madhe e qytetarëve që preken nga ky vendim. Ata preken në aspektin pozitiv, sepse ata përfitojnë në mënyrë financiare. Por, nëse kjo përkthehet në votë, atëherë mund të llogaritet se në 30 për qind të familjeve, Lëvizja Vetëvendosja ka përfituar politikisht nga ky vendim në rundin e dytë të zgjedhjeve. Tash mbetet të shihet a do të ketë një efekte të tillë apo jo, por dyshimet ekzistojnë”, thotë ai.

Në komunikatën për media të Ministrisë së Financave, të datës 27.10 thuhet se kjo masё (3.2 -mbështetja për pensionistët dhe familjet në asistencë) për nga vëllimi i familjeve është më madhja që është miratuar ndonjëherë në qeveri, me afërsisht 330 mijë familje përfituese.

Lekaj: Buxheti i shtetit në funksion të votave

Pal Lekaj, anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës, thotë se Qeveria Kurti po e keqpërdor buxhetin për shkak të balotazhit dhe kjo krijon një jostabilitet në vija buxhetore.

Lekaj konsideron se me këto masa qeveria po i joshë votuesit me shtimin e privilegjeve, qoftë me rritjen e pensioneve, pavarësisht mundësive që ka arka e shtetit. Kjo, sipas tij, do të ketë kosto të lartë në planin afatmesëm dhe atë afatgjatë.

“Qeveria po shpërndanë para duke mos menduar për stabilitetin buxhetor. Unë nuk e di konkretisht se ku po merren paratë, në cilat vija buxhetore. Por, në ditët në vijim mendoj se Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere duhet të bëjë një analizë për këtë çështje”, thekson Lekaj.

Edhe Arton Demhasaj, thotë se buxheti i Kosovës vazhdimisht ka qenë i ngarkuar me skema sociale, por vendimet e tilla po e ngufatin edhe më shumë.

“Kjo ka arsyetim në aspektin ekonomik dhe financiar, pasi ka ngritje të madhe të çmimeve dhe shuma e pensioneve është shumë e vogël. Rritja ka kuptim edhe përkundër që mund të jetë ngarkesë buxhetore, por vetë fakti se vendimet po merren në mes zgjedhjeve, kjo po i jep hije të zezë kësaj çështjeje”, shton ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq, tha se ndarja e mjeteve bëhet në bazë të përgatitjeve dhe vlerësimeve të brendshme dhe jo nga agjendat elektorale.

“Ne, këto vendime i marrim duke u bazuar në përgatitjet për vendimet, jo në agjendat politike, qofshin ato elektorale apo të tjera. Gjithçka që bën, do qëllojë pas ndonjë date, e para një date tjetër. Por, ky nuk është preokupimi im”, deklaroi Kurti të premten, më 29 tetor në një konferencë për media.

Buxheti për vitin 2021 ishte paraparë të jetë mbi 2.4 miliardë euro.

Baza e politikave sociale në Kosovë, përbëhet nga skema të shumta sociale e pensionale. Në këto kategori hyjnë mbi 420 mijë qytetarë të Kosovës dhe nga buxheti i shtetit çdo vit, ndahen deri në 400 milionë euro.

Përveç 36 milionë eurove, për shtesa të pensioneve dhe familjeve me asistencë sociale, Qeveria e Kosovës të enjten, më 28 tetor, në kuadër të Pakos së ringjalljes ekonomike, ka ndarë 40 milionë euro për subvencionimin e kredive për bizneset prodhuese dhe mbështetjen e eksportit.

Ministria e Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a po ngarkohet buxheti me kategoritë e shumta sociale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG