Ndërlidhjet

Voudouri: Qeveria greke po përpiqet të ulë tensionet me Shqipërinë


Policia e Shqipërisë, foto nga arkivi.
Policia e Shqipërisë, foto nga arkivi.

Vrasja e 35-vjeçarit me përkatësi etnike greke pas përleshjes me policinë shqiptare, ka rritur tensionet midis dy vendeve ballkanike, të cilat kanë qenë afër arritjes së marrëveshjes për një sërë çështjesh të pazgjidhura ndërmjet tyre rreth pakicave etnike. Por, duket se qeveria në Athinë po kujdeset që situata të mos eskalojë, thotë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Aleksandra Voudouri, redaktore për çështje të diplomacisë në radion Athina 9.84, si dhe analiste në portalin Macropolis.gr.

Sipas raportimeve, 35-vjeçari Konstantinos Kacifas, të dielën më 28 tetor, vendosi flamurin grek në fshatin Bularat, 250 kilometra në jug të Tiranës, i veshur me uniformë ushtarake dhe i armatosur me armë të tipi kallashnikov, me të cilin ka shtënë në ajër si dhe në veturën patrulluese të policisë. Pas kësaj ai iku në një mal afër ku edhe u vra gjatë përleshjeve me forcat speciale të policisë shqiptare.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të ndikojë ky incident në raportet midis Shqipërisë dhe Greqisë?

Aleksandra Voudouri: Duket se qeveria greke po përpiqet të zbusë tensionet midis Tiranës dhe Athinës. Ministria e Jashtme paraqiti një notë proteste të hënën për shkak të vrasjes së 35-vjeçarit me përkatësi etnike greke, mirëpo gjatë dy ditëve të fundit, përmes deklaratave publike nga anëtarët e qeverisë, është më se e qartë se Athina po përpiqet – siç ka thënë ministri i Jashtëm Jorgos Katrouglas – të “ruajë nivelin e bashkëpunimit midis dy vendeve” dhe jo të kundërtën.

Ministria e Jashtme greke të hënën vendosi të thërrasë në bisedë ambasadorin shqiptar, për t’i kërkuar qeverisë në Tiranë që autoriteteve greke të iu lejojë të bashkëpunojnë me ato shqiptare në hetimin e rrethanave të vdekjes së Konstantinos Kacifas. Përveç kësaj, ambasadori u thirr edhe për t’i shprehur pakënaqësinë lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili në ditën kur ndodhi incidenti e quajti viktimën “një person të çmendur” në përgjigje ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke, e cila vrasjen e cilësoi si të “papranueshme”.

Në deklaratat publike, zyrtarët e qeverisë greke kanë shmangur përmendjen e deklaratave të kryeministrit shqiptar, si dhe iu kanë bërë thirrje të dyja palëve dhe të përmbahen nga retorika e cila do të mund të çojë në përkeqësimin e raporteve.

Duket se qeveria në Athinë po tenton të parandalojë tensionet e mëtejshme, të cilat i po i “ushqejnë” disa media këtu.

Radio Evropa e Lirë: A mundet që edhe më tutje të rriten këto tensione?

Aleksandra Voudouri: Prej fillimit, të dyja qeveritë kanë mbajtur të hapura kanalet e komunikimit. Pikërisht për këtë ka ardhur deri te një përgjigje e shpejtë përmes kanaleve diplomatike, me kërkesën që një patolog grek të këqyrë trupin e 35-vjeçarit. Autoritetet shqiptare, duket se, gjithashtu janë ta gatshëm të pranojnë edhe kërkesën tjetër që të lejojnë policinë greke të marrë pjesë në hetim.

Ekzistojnë shqetësime për rritjen e tensioneve në komunitetin grek në Shqipëri gjatë ditëve në vijim kur do të varroset Konstantinos Kacifas, sepse disa organizata që përfaqësojnë pakicën greke thonë se vdekja e tij ka mundur të shmanget duke e përshkruar vrasjen si “vrasje me gjakftohtësi”.

Ato akuzojnë Tiranën për mbajtjen e një “klime të dhunës psikologjike” kundër komunitetit grek. Në anën tjetër, mediat shqiptare e kanë përshkruar Kacifas si një “ekstremist grek” i cili veproi në interes të qarqeve nacionaliste në Greqi në mënyrë që të dëmtojnë Shqipërinë. Gjithashtu e kanë ndërlidhur me partinë e djathtë “Agimi i Artë”.

Në Greqi, në protestën e vetme e cila u organizua para përfaqësisë diplomatike shqiptare, pjesëmarrës kanë qenë një numër i vogël i njerëzve, kryesisht pjesëtarë të “Agimit të Artë”.

Deklaratat ekstremiste, siç është ajo që Greqia do duhej të bombardonte disa pjesë të jugut të Shqipërisë, gjithashtu janë dëgjuar nga ana e politikanëve të ekstremit të djathtë, të cilët nuk janë pjesë e Parlamentit.

Partitë opozitare, siç është Demokracia e Re, janë ngutur të pranojnë informacionet fillestare se Kacifas u vra derisa u përpoq të vendosë flamurin grek, mirëpo janë përmbajtur ditëve të fundit nga deklaratat e mëtejshme apo me presione ndaj qeverisë për të vepruar në një mënyrë të caktuar.

Kjo ngjarje është temë kryesore në media. Disa prej tyre i kanë pranuar pretendimet e pakicës greke; kjo me siguri krijon një atmosferë të caktuar, por pa një ndikim të qartë – të paktën tani për tani- në shumicën e grekëve.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të ndikojë kjo situatë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndërsjella sa i përket çështjes së pakicave?

Aleksandra Voudouri: Të dyja palët i kanë kërkesat e tyre për çështjen e pakicave, migrantëve, pronave e kështu me radhë. Të dyja qeveritë hapën një diskutim për çështjet të caktuara më 2016, dhe kanë qenë afër marrëveshjes. Megjithatë, pas Marrëveshjes së Prespës, qeveria e vendosi këtë çështje anash duke e ditur se kjo mund të ngjallë një reagim të njëjtë sikurse marrëveshja për emrin e ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Dorëheqja e Ministrit të Jashtëm, Nikoz Kotzias, detyrën e të cilin e morri kryeministri Alexis Tsipras, i cili padyshim është i zënë me çështje tjera, nuk ofron shumë shpresë se dialogu midis dy vendeve do të vazhdojë së shpejti.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG