Ndërlidhjet

Qeveria pranon bashkëkryesimin e dialogut me opozitën 


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, foto nga arkivi.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, foto nga arkivi.

Qeveria e Kosovës po i vazhdon përpjekjet për gjetjen e një konsensusi që do t’i siguronte mbështetjen e opozitës për të marrë rolin prijës në dialogun politik me Serbinë. Dialogu në këtë nivel, kryesisht është udhëhequr nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por, së fundmi, zyrtarët e Qeverisë i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për t’i dhënë Qeverisë rol prijës në këtë proces.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka prezantuar në vazhdimësi një pozicion ndryshe me presidentin Hashim Thaçi në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, duke kundërshtuar sidomos idenë për ndryshimin e kufirit, e cila kishte dalë si ide nga dy akterët kryesorë të bisedimeve në Bruksel, përkatësisht nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria ka propozuar që kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj të marrë rolin e kryesuesit të ekipit negociator.

Endrit Shala, nga Nisma Socialdemokrate, njëherësh ministër i Tregtisë dhe Industrisë tha se zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili është propozuar si udhëheqës i ekipit, ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë unitet nga të gjitha subjektet politike për dialogun me Serbinë.

"Kryetari Limaj që nga emërimi i tij si udhëheqës i delegacionit për negociata me Serbinë, ka shprehur qëndrimin e tij se është i interesuar që pjesë e këtij ekipi të jetë edhe opozita. Përpjekjet e zotit Limaj që në këtë ekip ta ketë edhe opozitën kanë qenë të parreshtura dhe ne shpresojmë që shumë shpjet do të kemi rezultat në këtë aspekt", tha Shala.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se për çështjen e dialogu nuk duhet të ketë ndarje midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Aktualisht, Qeveria Haradinaj po mbështetet nga dy parti opozitare, Partia Socialdemokrate e cila ka 12 deputetë në Kuvend dhe Alternativa për Kosovën, që përfaqësohet nga dy deputetë.

Po ashtu, Haradinaj ka marrë edhe konfirmimin e një pjese të shoqërisë civile për angazhim në dialog, nëse ndërkohë arrihet të krijohet një konsensus i gjerë politik. Por, nisma e Haradinajt, nuk e ka mbështetjen e dy partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy të fundit, po insistojnë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe dialogu të udhëhiqet nga institucionet e reja që do të dalin më pastaj.

Zyrtarët e Partisë Socialdemokrate (PSD), thonë se ka kaluar më shumë se një javë kur subjekti i tyre, bashkë me disa të tjera, kanë paraqitur para grupeve parlamentare rezolutën dhe projektligjin për dialogun me Serbinë.

PSD thotë se rezoluta pas votimin në Kuvend, do ta themelojë ekipin shtetëror si organin përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të dialogut, kurse me Ligjin për dialogun, Kuvendi i Kosovës do të mbajë rolin qendror në procesin e dialogut. Visar Ymeri, nënkryetari i PSD-së ka deklaruar se i gjithë procesi tashmë ka mbetur në Partinë Demokratike të Kosovës për të thënë mendimi e saj përfundimtar.

"Ne kemi qenë gati që nga e marta e kaluar dhe jemi gati edhe sot. Kjo varet tash nga vullneti i partive politike dhe prapë po them të një partie, në këtë rast të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila duhet ta thotë po-në përfundimtar, në mënyrë që të votohen këto dy dokumente", tha Ymeri.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti është përfolur se mund të jetë bashkëkryesues i ekipit negociues, së bashku me Fatmir Limajn.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se PDK-ja nuk është pengesë për të shkuar tutje në miratimin e rezolutës edhe ligjit që ka të bëjë me dialogun.

Ai tha se fakti që është pranuar Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti që të jenë bashkëdrejtues, tregon për hapjen e mirëfilltë që ka PDK-ja në raport me këtë temë dhe seriozitetin, të cilin e shtron ajo.

"Do të thotë ne mendojmë që Kosova duhet ta ketë një ekip, i cili përbëhet prej partive të koalicionit në Qeveri, prej kolegëve që vijnë nga opozita dhe kemi siguruar mbështetje të nevojshme. Por, si do të duket rezoluta, si do të duket platforma për negocim, si do duket projektligji apo rregullorja e cila do të duhej ta rregullojë çështjen e ekipit negociator, këto janë çështje që duhet të trajtohen prej grupeve parlamentare”, tha Hoxhaj.

“Çdoherë përmes kompromisit, përmes negocimit, mund të arrihet përafrimi i pozicioneve mes subjekteve politike. Por, ne e kemi një qasje serioze, jemi të vendosur, dhe shpresojmë që gjatë këtyre ditëve ta votojmë ekipin, i cili në bashkëpunim dhe koordinim me presidentin, duhet ta përfaqësojë vendin në Bruksel. Unë mendoj se ky ekip, së bashku me presidentin, do ta krijojë një unitet të brendshëm. Ajo për të cilën ka nevojë Kosova është që ta kemi një unitet të brendshëm", tha ai.

Hoxhaj tha se qasja e Partisë Demokratike është që mbështetë dialogun dhe siç tha ai, kërkohet shpejtësi në dialog, pasi ai procesi do të jetë i vështirë dhe duhet unitet i brendshëm.

"PDK-ja për temat e karakterit nacional, çdoherë konsultohet, koordinohet me liderët institucionalë. Ne jemi parti e cila ka qëndruar shumë gjatë në pushtet, kushdo që ka qenë në pushtet e ka pasur respektin dhe mbështetjen tonë, siç e ka edhe presidenti Thaçi, dhe unë mendoj se tema e dialogut nuk është temë as Qeverisë, as e Kuvendit, as e presidentit, por është temë e të gjithëve, mbi të gjitha është temë e qytetarëve të Kosovës”, tha Hoxhaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha për Radion Evropa e Lirë, se mes grupeve parlamentare kanë një dakordim për rregulloren dhe Ligjin për dialogun, por sipas tij, tashmë ka mbetur që kryetarët e partive politike të pajtohen dhe të marrin një vendim të shpejt.

Sherifi thekson po ashtu se Partia Demokratike e Kosovës, ka disa kërkesa të veçanta sa i takon Ligjit dhe kompetencave për presidentin.

"Ajo që unë di është se PDK-ja ka rezervat e saja sa i takon ligjit, sidomos ligjit ku bëhet fjalë për kompetencat e presidentit në ketë proces. Pra, ata duan një rol më të madh të presidentit në krejt këtë proces", tha Sherifi.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë Kosovës, Ahmet Isufi, tha se ka përparime në drejtim të miratimit të rezolutës dhe Ligjit për dialogun.

"Ka mbetur që Partia Demokratike e Kosovës me Partinë Socialdemokrate ta shikojnë çështjen në nivel liderësh tani, sepse grupet parlamentare kanë kryer punën e vet, ndërsa ka mbetur në nivelin e liderëve të rregullohet", tha Isufi.

Në projekt-rezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, thuhet se delegacioni shtetëror do të përbëhet nga përfaqësues politikë të votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Delegacioni shtetëror sipas rezolutës, ka dy bashkëdrejtues që vijnë nga radhët e opozitës dhe pushtetit. Të dy bashkëdrejtuesit do të duhej të votoheshin nga Kuvendi, së bashku me delegacionin shtetëror.

Po ashtu, duke synuar përfaqësimin sa më të gjerë dhe të barabartë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, sipas rezolutës, do që duhej që një përfaqësues të jetë nga shoqëria civile, si anëtar i rregullt i delegacionit shtetëror. Edhe ky anëtar, do të duhej të merrte votat nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të votimit të platformës për dialog. Delegacioni shtetëror është paraparë që të ketë 11 anëtarë.

XS
SM
MD
LG