Ndërlidhjet

Qytetarët ndëshkuan me votë politikat nacionaliste


Zgjedhjet lokale në Maqedoni

Qytetarët e Maqedonisë me votën e tyre dënuan politikat populiste dhe ato nacionaliste të VMRO-DPMNE-së në krye me Nikolla Gruevskin, thonë njohësit e çështjeve politike duke komentuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve vendore të së dielës, me ç’rast socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev shënuan fitore të thellë duke siguruar drejtimin e 46 komunave, përfshirë këtu dhe qytetin e Shkupit kundrejt VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski e cila ka fituar vetëm 3 komuna.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Ivo Kotevski për Radion Evropa e Lirë ka bërë të ditur se kryesia e partisëë shtë duke analizuar rezultatin zgjedhor, megjithëse nuk ka dhënë përgjigje nëse në parti është diskutuar për dorëheqjen e Nikolla Gruevskit nga kreu i i partisë.

Në këto zgjedhje u shfaqën më shumë se 44 mijë fleta të pavlefshme.

Nikolla Dujovski njohës i çështjeve politike për Radion Evropa e Lirë thotë se në këtë mënyrë vetë anëtarësia e VMRO-DPMNE-së, e cila kishte dalë për të votuar, ka shprehur revoltën e saj ndaj politikave të udhëheqësit të partisë, Nikolla Gruevski .

VMRO-DPMNE-së i duhen reforma të thella në kuadër të partisë, nëse dëshiron të mbetet lojtar real në skenën politike të Maqedonisë”.

Derisa në krye të kësaj partie qëndron Nikolla Gruevski, do të vazhdojë rënia e kësaj partie. Nevojiten njerëz të rinj të cilët nuk ndiqen penalisht për vepra kriminale. Pra, duhen njerëz të rinj të cilët nuk do të merren me flluska politike, siç është nxitja e frikës nga migrantët, apo paralajmërimi i investimeve të huaja, nga të cilat askush nuk ka përfituar. Qytetarët dëshirojnë të shohin prosperitet, prandaj e dënuan këtë parti udhëheqësit e së cilës duhet të përballet me drejtësinë”.

Në krye të partisë do të duhet të vijnë personalitete të dëshmuara të cilët nuk është vështirë të gjinden në këtë parti, e të cilët do të zhvillojnë polikë të arsyeshme sepse Maqedonisë i duhet një opozitë e fortë siç din të jetë VMRO-DPMNE për të shtyrë para proceset”, thotë Dujovski.

Ndryshe, VMRO-DPMNE në këto zgjedhje ka shënuar rënie të votave prej 110 mijë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor të 2016 .

Reforma në VMRO-DPMNE menjëherë pas shpalljes së rezultateve zgjedhore u kërkuan nga të ashtuquajturit iniciativa për reforma në VMRO-DPMNE, të cilët theksuan se “koha e Gruevizmit në Maqedoni mbaroi”.

Përderisa Nikolla Gruevski në paraqitjen të vetme pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve vendore tha se ai si lider i VMRO-së bartë përgjegjësinë për rezultatin që ka shënuar partia e tij, megjithëse nuk dha përgjigje konkret nëse do të largohet nga drejtimi i partisë.

Në këtë kontekst, Xhelal Neziri njohës i çështjeve politike për Radion Evropa e Lirë,duke komentuar fitoren e thellë të social demokratëve thotë se rezultati zgjedhor imponon nevojën e riformatimit të partive politike, veçanërisht VMRO-DPMNE-së, kundrejt realitetit në Maqedoni.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se kemi një votim më masiv mbietnik , mendoj se u shkua më tej nga ajo që u pa gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor të 2016-tës, përveç se shqiptarët etnik votuan partitë politike maqedonase, në këto zgjedhje kemi rastin ku maqedonasit etnik votuan kandidatët shqiptarë të partive politike shqiptare, siç ishte rasti në Çair të Shkupi, Tetovë dhe Gostivar”.

Kjo do të detyrojë partitë politike që në të ardhmen të ridefinojnë qasjen e tyre në skenën politike dhe njëherësh të riformatojnë politikat e tyre kundrejt realitetit ët ri në Maqedoni”, thotë Neziri.

Ndryshe, në bllokun politik shqiptar se kush do të drejtojë komunat me shumicë shqiptare, siç është ajo e Çairit të Shkupit dhe Sarajit, Tetovës, Gostivarit, Likovës, Dibrës dhe Strugës do të dihet pas përfundimit të raundit të dytë më 29 tetor, ku në balotazh do të përballet Bashkimi Demokratik për Integrim në pesë komuna me Aleancën për Shqiptarët dhe në shtatë të tjera me Lëvizjen Besa. BDI në dy komuna të tjera do të përballet me partitë e tjera politike joshqiptare.

XS
SM
MD
LG