Ndërlidhjet

Avokatja Venkateswari Alagendra dhe Jakup Krasniqi në gjykatore më 13 shkurt 2026.
Avokatja Venkateswari Alagendra dhe Jakup Krasniqi në gjykatore më 13 shkurt 2026.

Drejtpërdrejt Mbrojtja e Krasniqit: Trupi gjykues duhet ta shpallë të pafajshëm Krasniqin

E përditësuar

• Më 13 shkurt zhvillohet dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Deri më tani fjalët përmbyllëse i kanë shpalosur Prokuroria, ekipi mbrojtës i viktimave, dhe mbrojtja e Thaçit dhe Veselit.

• Ndonëse Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar, avokatët e Thaçit dhe Veselit i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe kanë deklaruar se klientët e tyre janë plotësisht të pafajshëm.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

15:52

Mbrojtja: Prokuroria është bazuar shumë në dokumentet që ka marrë nga Serbia

Avokatja Venkateswari Alagendra tani po shqyrton materialet që Prokuroria ka marrë nga Serbia. Ajo tha se ato janë përdorur pa iu nënshtruar një kontrolli.

“Prokuroria është bazuar shumë mbi dokumentet që ka marrë nga shteti serb pa një kontrollim të tyre. Pa këtë kontroll, trupi gjykues nuk mund të vlerësojnë ligjshmërinë apo edhe autenticitetin dhe besueshmërinë dhe vetëm ky gabim duhet të ngrejë shqetësime për këto dokumente”, tha ajo.

Sipas mbrojtjes së Krasniqit, dokumentet u grumbulluan në kohën kur Beogradi ishte dënuar nga ndërkombëtarët për “për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe për dhunë në Bosnje dhe Kroaci”, duke shtuar se Kosova ishte në qendër të politikës serbe në atë kohë.

“Kjo rrit rrezikun që materialet të jenë të politizuara dhe falsifikuara”, tha Alagendra.

15:32

Mbrojtja: ZPS nuk vërtetoi autorësinë e materialeve të sekuestruara në shtëpinë e Krasniqit

Mbrojtja e Krasniqit tha se ZPS-ja nuk ka verifikuar autorësinë, autenticitetin apo besueshmërinë e materialeve që u sekuestruan në nëntor të vitit 2020 në shtëpinë e klientit të tij.

Avokatja Venkateswari Alagendra, tha se dihet që Krasniqi ka botuar libra dhe Prokuroria “nuk merr parasysh provat se Krasniqi po mblidhte materiale në lidhje me UÇK-në pas luftës për të shkruar librin e tij dy dekada më parë”.

Sipas saj, Krasniqi e dinte që ZPS po hetonte në Kosovë shumë më herët sesa kur u ngrit aktakuza ndaj tij, dhe fakti që nuk i ka shkatërruar këto materiale që mund ta inkriminojë, duhet shihet si pozitiv dhe pretendoi se është fakt që ai është i pafajshëm.

“Nëse Krasniqi do të kishte menduar se materialet hulumtuese dhe dokumentet e tjera në shtëpinë e tij do të ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, ku dhe ai bënte pjesë, apo që ishin inkriminues për të, pse t'i mbante ato. Fakti që i mbajti dhe nuk i shkatërroi duhet parë në favor të tij sepse ai është i bidur që është i pafajshëm”, tha ajo.

Avokatja tha se Prokuroria ka shtrembëruar fjalën hyrëse të Krasniqit, duke thënë se ai ka pranuar se dokumentet ishin të tij.

“Ai asnjëherë nuk ka thënë se materialet e gjetura në shtëpinë e tij kanë qenë të shkruara prej tij. Ai në fakt ka pranuar se ka bërë disa shënime për të shkruar një libër, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërish materialet ishin për konfliktin. I përket Prokurorisë të vërtetojë se këto dokumente lidhen me akuzat përfshirë autorësinë e Krasniqit dhe të vërtetojnë autenticitetin dhe besueshmërinë e dokumenteve, diçka që nuk e kanë bërë deri më tani”, tha ajo.

15:13

Mbrojtja: Prokuroria mbylli sytë para provave që nuk i përshtateshin narrativit të saj

Avokatja e Krasniqit tha se ZPS-ja ka mbyllur sytë para “çdo prove që nuk i është përshtatur” narrativit të saj.

Në këtë drejtim, ajo tha se Prokuroria nuk ka përfillur dëshmitë e dëshmitarëve të saj lidhur me emërimin e Jakup Krasniqit si zëvendëskomandnat i UÇK-së.

“Trupi gjykues ka marrë dëshmi të shumta se emërimi i Krasniqit si zëvendëskomandant nuk njihej në të gjitha nivelet e UÇK. Ai nuk njihej si zëvendëskomandant për mbështetje për ndërkombëtarët që kishte komunikim”, tha avokatja Venkateswari Alagendra.

“Dëshmitarët e ZPS kanë konfirmuar se Krasniqi e ka mbajtur këtë post për një periudhë të shkurtër kohore, përafërsisht 3 muaj dhe ka dhënë dorëheqje më 27 shkurt 1999. Të njëjtët dëshmitarë të Prokurorisë thanë se emërimi i Krasniqit nuk u pranua asnjëherë, më saktë u kundërshtua nga komandantët e zonave. Prokuroria në dosje nuk i ka kundërshtuar këto fakte”, shtoi ajo.

14:54

Mbrojtja: ZPS nuk ka vërtetuar lidhjen e Krasniqit me krimet e pretenduara

Avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen e pretenduar të klientit të saj me krimet.

“Prokuroria ka dështuar të vërtetojë lidhjen mes Krasniqit dhe krimeve të pretenduara dhe në veçanti që komunikatat, rregulloret e hartuara nga Jakup Krasniqi kanë ndihmuar, inkurajuar ose kanë pasur ndonjë lidhje me krimet e ngritura në aktakuzë. Në fund, Prokuroria tërhoqi pretendimin e saj se Krasniqi ka vizituar ku kanë qenë persona të ndaluar në Malishevë. Ky ishte i vetmi pretendim i ZPS-së që Krasniqi ka parë me sytë e tij një viktimë që ka qenë në ndalim. Një prokuror i përgjegjshëm nuk do të kishte ngritur kurrë një akuzë të tillë”, tha ajo.

Ajo pretendoi po ashtu se Prokuroria nuk ka bërë punën siç duhet, pasi nuk ka ftuar dëshmitarë kyç që do të ofronin informacione për kontekstin e luftës dhe të ofronin informacione për hierarikën e UÇK-së.

Ajo e cilësoi si “të shtrembëruar dhe të paplotë” dokumentacionin e ofruar nga ZPS-ja, dhe tha se trupi gjykues do të përballet me hetime selektive të kryera nga organi ndjekës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG