Pika e radhës
Avokati tani po i trajton pretendimet e Prokurorisë për dokumentet me shkrim dore.
"Nuk qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë"
Sipas avokatit Tully, Prokuroria nuk është përpjekur fare që të provonte që Ministria e Rendit Publik, e drejtuar nga Selimi, ishte strukturë që kishte mundësi të ushtronte kontroll operativ mbi një forcë policie në mbarë vendin.
“Për rrjedhojë, ky pretendim i Prokurorisë nuk qëndron dhe është tërësisht i pambështetshëm”.
Më tutje, avokati Tully ka thënë se Prokuroria u referohet disa dokumenteve pa datë dhe të panënshkruara.
“Mungesa e dokumenteve është një lloj dëshmie që nuk ekzistonte një strukturë e mirëorganizuar e Rendit Publik... mendojeni për një çast sa i rëndësishëm do të ishte roli i shefit operativ të policisë së një vendi, edhe në një situatë jashtë konfliktit në Kosovë. Kjo do të ishte një detyrë herkuliane. Minimalisht do të kishim pritur të shihnim urdhra, udhëzime që të buronin prej këtij komandanti operativ drejtuar vartësve, por s’kemi parë asnjë të tillë. Asnjë shembull të ndonjë urdhri, një udhëzimi, në asnjë moment, në asnjë zonë të Kosovës nuk është lëshuar asnjë dokument, as nga zoti Selimi, dhe as në emër të zotit Selimi”.
Pretendimet për kontrollin e Selimit mbi policinë
Avokati Tully kalon te tema e dytë: pretendimet për kontrollin e Selimit mbi policinë.
Ai ka thënë se pavarësisht një numri të madh të dokumenteve të pranuara nga trupi gjykues, Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta.
“Ekziston një mungesë e tërë e dokumenteve operative të dërguara nga Ministria e Rendit Publik në drejtim të policisë, ose e kundërta, gjë e cila nuk vërteton përfshirjen e zotit Selimi, apo që ai ka pasur kontroll mbi policinë. Prokuroria nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e zotit Selimi si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë dhe që ai është përgjegjësi për veprimet e personave tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë”.
Mes tjerash, avokati ka përmendur edhe mospërputhjet në dosjen e Prokurorisë, për mënyrën se si i referohet Selimit: diku si person me kontroll operacional mbi policinë, ndërsa diku tjetër pretendon se ai kishte autoritet operacional mbi policinë, dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar persona.
"Nuk kishte polici të UÇK-së nën komandën e Selimit"
Avokati i Selimit nis me kundërargumentimin e pretendimit të parë të Prokurorisë kinse Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik.
“ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.
Sipas tij, termi “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)” është një tezë e Prokurorisë, "e hartuar si një kosh ku Prokuroria mund t’i hidhte sa më shumë dëshmi përmes provave jogojore" për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një lloj policie dhe që drejtohej nga Selimi si ministër i Rendit Publik.
“Pas qershorit, UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë nën përgjegjësinë e zotit Selimi. Nuk ka ekzistuar një polici e tillë e UÇK-së, ose ministrisë së Rendit Publik, që është mbikëqyrur nga zoti Selimi, siç pretendon ZPS-ja”.
Sipas avokatit, nuk kishte asnjë forcë policie të krijuar në prill të vitit 1999, duke marrë parasysh rrethanat në atë kohë, dhe nuk ka asnjë provë konfirmuese të paraqitur nga dëshmitarë apo ZPS-ja që vërtetojnë një pretendim të tillë.