Ndërlidhjet

Haradinaj: Mogherini e ka mbytur dialogun


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka fajësuar shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për siç tha “mbytje” dhe “çrregullim” të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj tha se pikërisht lejimi i diskutimit të këtyre temave në dialogun me Serbinë, do të shkaktojnë dëme në rajon, që sipas tij do të çojnë në destiablizim.

“Mendoj se zonja Mogherini e ka mbytur dialogun, e ka çrregulluar, nga një dialog për normalizimin e ka kthyer në një dialog për territore e kufi, e për shkëmbime e që në Ballkan dihet çka nënkupton – destabilizim. Ajo realisht i ka shkaktuar dëm rajonit tonë, qoftë duke lejuar diskutimin (për ndryshim kufiri), qoftë duke guxuar që edhe në publik të deklarohet për këtë”, tha Haradinaj.

Komentet e Haradinajt vijnë një ditë pasi Mogherini, e cila ndërmjetëson dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimit të kufijve mes dy vendeve, por theksoi se një ndryshim i mundshëm, nuk duhet të bazohet në vija etnike.

“Pavarësisht se për cilat adoptime do të pajtoheshin palët në të ardhmen, rezultati nuk duhet të ishte spastrimet etnike të vendeve. Në çfarë do rasti, të dyja vendet duhet të mbesin shumetnike”, ka deklaruar Mogherini.

*Video: Mogherini nuk e përjashton ndryshimin e kufijve

Mogherini nuk e përjashton ndryshimin e kufijve
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:02 0:00

Haradinaj tha se për të është i papranueshëm qëndrimi i Mogherinit.

“Është shumë për keqardhje pra, që pas një investimi kaq të madh të BE-së, që të lejohet një çrregullim kaq i madh. Është i papranueshëm për mua, qëndrimi i saj është i papranueshëm edhe kuptohet që nuk vlen. Pra, mendimi i saj nuk vlen, për mua të paktën dhe besoj edhe për një pjesë të madhe të Kosovës”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, kushdo që ia lejon vetës që të flas për opsionet e ndryshimit të kufirit, apo shkëmbimit të territoreve “është kundër paqes”.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Evropën nuk janë të lidhura me një komisionar apo me një kryeministër, apo dikë tjetër – sepse unë nuk e kam personale me askënd – por, kushdo që i lejon vetës që të fliten si opsione kufijtë e territoret, e di që është kundër Ballkanit, e di që është kundër paqes, kundër normalizimit. Ato pikërisht na kanë sjell pikërisht ku jemi sot, këto çrregullime të dialogut”, tha Haradinaj, duke shtuar se daljen nga kornizat e dialogut, janë shkaktuar nga debate të tilla.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përfaqëson Kosovën në dialogun me Serbinë, kohët e fundit ka proklamuar idenë për ndryshimin e kufirit, apo siç e quan ai “korrigjim” të tij. Sipas Thaçit, kjo gjë do të nënkuptonte bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës.

Kjo ide e Thaçit është kundërshtuar nga partitë opozitare, por edhe nga vetë kryeministri Haradinaj, i cili më parë ka deklaruar se ndryshimi i kufirit, mund të bëhet vetëm me luftë.

Dialogu në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka nisur më 2011, njëherë në nivelin teknik e më pas edhe atë politik. BE-ja kërkon që në fund të dialogut, të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje për normalizim, e cila përveç tjerash, do t’u hapet rrugën drejt integrimeve evropiane të dyja shteteve.

XS
SM
MD
LG