Ndërlidhjet

Haradinaj: S’ka nevojë për kreativitet, duhet t’i respektojmë kufijtë


Fotografi nga takimi joformal në Durrës të Shqipërisë.
Fotografi nga takimi joformal në Durrës të Shqipërisë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur në favor të ruajtjes së kufijve aktualë të Kosovës. Komentet e tij, Haradinaj i bëri në Durrës të Shqipërisë ku po merr pjesë në takimin joformal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ai ka përsëritur se nuk duhet një kreativitet i ri në dizajnim e kufijve dhe se duhet të respektohen kufijtë që janë.

Çështja e korrigjimit të kufijve, po lansohet si temë qendrore në marrëveshjen eventuale për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova i ka kufijtë e vet, i ka më Shqipërinë, i ka me Malin e Zi, me Maqedoninë dhe i ka me Serbinë. Ne i respektojmë këta kufi dhe nuk mendojmë që duhet një kreativitet i ri në dizajnim të tyre, por duhet t’i respektojmë kufijtë që kemi”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, Komisionieri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn i pyetur nga gazetarët lidhur me marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se nuk është i gatshëm të komentojë.

Por, ai përsëriti qëndrimet e Bashkimit Evropian se nuk do të pranohet asnjë vend i ri anëtar në BE, pa zgjidhjen paraprake të kontesteve dhe mosmarrëveshjeve.

“Nuk është e përshtatshme në këtë fazë të bëjmë komente lidhur me diskutimet dhe negociatat në vazhdim. Takimi javën e ardhshme në Bruksel (ndërmjet presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq) nuk do të jetë takimi i fundit, do të jetë një tjetër takim dhe sigurisht do të kërkojnë kohë që të gjendet një marrëveshje”, tha Hahn.

“Nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment, përveç atij siç është parashtruar në strategjinë tonë të Ballkanit Perëndimor se ne nuk do pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe”, theksoi Hahn.

Ajo që ka vlerë për Bashkimin Evropian, nënvizoi Hahn, është stabiliteti në rajon.

“Duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit, por duhet të jetë e kundërta, duhet të kontribuojë për stabilitet në rajon”, tha Hahn.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama theksoi se pajtohet me deklaratën e komisionarit Hahn.

“Keni edhe nënshkrimin tim të fjalës që sapo tha komisionari Hahn”, tha shkurt Rama.

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë të mbajtur në fundjavë, kanë folur së bashku për herë të parë se ndryshimi i kufijve është opsioni më real për arritje të marrëveshjes mes dy vendeve.

Të dy presidentët pritet që më 7 shtator të takohen në Bruksel për të vazhduar dialogun politik që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini.

Ndërkohë, udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në takimin joformal kanë diskutuar për thellimin e integrimit rajonal, me fokus në ekonomi, tregti dhe energjetikë.

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë theksuar se është e rëndësishme që të promovojnë rajonin në nivel global si një brend. Ata kanë theksuar domosdoshëmrinë e rritjes së partneritetit rajonal dhe veprimet e shteteve rreth lehtësimit të lëvizjes ndërkufitare të mallrave si dhe transportit.

Kryeministrii Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Kosova po e kryen pjesën e vet për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor në veçanti në infrastrukturën rrugore, por që sipas tij, Kosova ka vështirësi krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi disa vështirësi që dallojnë nga vendet tjera, siç është liria e lëvizjes. Ne kemi ende vështirësi në qarkullim të lirë kur kalojmë nëpër Serbi, qytetarët tanë presin me orë të tëra, po ashtu nuk mund shkojmë në Bosnje. Ndërsa, për të komunikuar me Kroacinë na duhen vizat, e që e bën më të vështirë jetën tonë ekonomike. Ajo që e kemi më lehtë dhe që do të avancohet në nivelin e duhur, është marrëdhënia me Shqipërinë”, theksoi Haradinaj.

Ndryshe, ky takim i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor mbahet në kuadër të “Procesit të Berlinit”, të cilin e ka nisur kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014.

Procesi i Berlinit, synon përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të rajonit të Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet tyre, si dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik.

XS
SM
MD
LG