Nga bilbordet me mesazhin “Trump, serb”, te zhgënjimi.
Sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), tarifat për produktet nga Serbia, që janë më të lartat në rajon, si dhe bllokimi i importeve të gomave të automobilave nga fabrika kineze Linglong në Serbi, janë masa që administrata amerikane ka ndërmarrë që kur Donald Trump mori mandatin më pak se një vit më parë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tani e pranon se në vend të përparimeve të mëdha të pritura, nga administrata Trump kanë ardhur vendime që nuk janë në interes të Serbisë.
Ky vlerësim vjen një vit pas zgjedhjeve amerikane, kur në Beograd fitorja e Trumpit u “festua” me pritjen për një qëndrim më të favorshëm ndaj Serbisë.
“Mendoj se [Vuçiqi] donte që Trump ta pranonte dhe ta shihte si figurë kyç të paqes në rajon. Duhet të jetë i zhgënjyer që kjo nuk ndodhi”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë profesori Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.
Departamenti amerikan i Shtetit i referohet Ambasadës në Beograd
Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes së Radios Evropa e Lirë për komentet e presidentit të Serbisë, por u referua te një deklaratë e Ambasadës amerikane në Beograd.
Në atë deklaratë u transmetua fjalimi i të ngarkuarit me punë, Aleksandar Titolo, në hapjen e një pjese të Korridorit të Moravës pranë Vërnjaçka Banjës, në Serbinë qendrore, më 24 dhjetor.
Titolo tha atëbotë se nën udhëheqjen e Vuçiqit dhe Trumpit, bashkëpunimi mes Serbisë dhe SHBA-së është tani “më i fortë se kurrë dhe sot mund të shohim disa nga frytet konkrete të partneritetit tonë të fortë dhe në rritje”.
Punimet në Korridorin e Moravës i kryen konsorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka, ndërsa Titolo shtoi se viti 2025 ishte “një vit i rëndësishëm, sepse kemi hyrë në një epokë të re të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë”.
“Këtë vit patëm takime historike në nivel të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe serbë. Të përmendim vetëm takimin mes sekretarit amerikan të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, i pari pas pothuajse dy dekadash. Ne kemi njoftuar edhe për Dialogun e ri Strategjik mes dy shteteve tona”, shtoi ai.
SHBA-ja zhvillon Dialog Strategjik me dhjetëra vende të botës me qëllim përmirësimin e raporteve dypalëshe. Nga vendet e rajonit, dialog strategjik me Uashingtonin kanë zhvilluar Rumania dhe Sllovenia – anëtare të Bashkimit Evropian – si dhe Maqedonia e Veriut, e vetmja nga Ballkani Perëndimor.
Megjithatë, fakt është se SHBA-ja nuk ka ambasador në Serbi prej gati një viti.
Edhe pse Trump në mars e kishte nominuar republikanin Mark Brnovich për atë post, në fillim të tetorit administrata e tërhoqi këtë propozim, pa dhënë ndonjë arsye.
Pse Beogradi kishte pritje të mëdha nga Trumpi?
Kur Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, përfaqësuesit nga pushteti në Serbi nuk e fshehën gëzimin.
Presidenti Vuçiq deklaroi se në një bisedë telefonike me Trumpin kishte theksuar se Serbia ishte vendi ku ai kishte mbështetjen më të madhe në të gjithë Evropën.
“Jam i sigurt se, me mbështetjen e miqve, dhe me miq nënkuptoj gjithë rrethin e presidentit Trump, do të mund ta bëjmë atë ta bëjë Amerikën Madhështore, ndërsa ne ta bëjmë Serbinë një vend të dinjitetshëm që do të bashkëpunojë shumë mirë me Shtetet e Bashkuara”, shkroi Vuçiq më 11 nëntor 2024 në Instagram pas asaj bisede.
Një vit më vonë, në një fjalim në Konferencën e Ambasadorëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë në Beograd, Vuçiq tha se deri më tani nuk ka përparime.
Ish-ambasadori i Serbisë në Uashington, Ivan Vujaçiq, thotë për REL-in se sot marrëdhëniet Serbi-SHBA nuk janë aspak të mira, gjë që e shpjegon me tarifat më të larta në rajon, sanksionet ndaj NIS-it dhe ndalimin e gomave të Linglong-ut.
“Ka pasur mbështetje për Trumpin dhe u krijua një opinion publik që shpresonte se ai do të kishte shumë më tepër mirëkuptim për Serbinë në një sërë çështjesh. Kjo doli të jetë e pasaktë”, u shpreh ai.
Ai shton se është tentuar afrimi me administratën Trump përmes projektit të revitalizimit të kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm, duke vlerësuar se kjo u bë në një “mënyrë të keqe”.
“Dhëndri i Trumpit në një moment kuptoi se po futej në një situatë që kishte elementë korrupsioni dhe vepra penale dhe u tërhoq”, thekson ai.
Kompania Affinity Partners e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, njoftoi së fundi se heq dorë nga ndërtimi i një kompleksi luksoz në qendër të Beogradit në vendin e ish-Shtabit të Përgjithshëm, të shkatërruar në bombardimet e NATO-s më 1999.
Më herët, Prokuroria në Serbi ka akuzuar ministrin e Kulturës të Serbisë, Nikolla Sellakoviq, për falsifikim dokumentesh mbi bazën e të cilave Shtabi i Përgjithshëm e humbi statusin e trashëgimisë kulturore.
Zyrtarët e justifikuan projektin me pretendimin se ai do t’i afronte marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së, duke akuzuar kundërshtarët se e kishin sabotuar dhe kishin larguar investitorët.
I pyetur pse në Beograd besonin se Trumpi do të mbante një qëndrim më të favorshëm ndaj Serbisë, Serwer thotë se ata ishin ndier se ishin trajtuar mirë gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.
“Dhe shpresonin se interesat e familjes Trump në Beograd do të mbizotëronin”, thekson ai.
Takimi i Vuçiqit me Trumpin në mandatin e parë
Aleksandar Vuçiq u takua me Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë, në shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, kur së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, nënshkroi Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës.
Jo të gjitha obligimet nga ajo marrëveshje, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit, janë zbatuar deri më sot.
Pikërisht për çështjen e Kosovës, zyrtarët në Beograd prisnin më shumë mirëkuptim nga administrata amerikane, por qëndrimi amerikan nuk ka ndryshuar.
SHBA-ja ishte ndër të parat që e njohu shtetësinë e Kosovës, ndërsa Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e saj.
Një takim i ri mes Vuçiqit dhe Trumpit nuk ndodhi, edhe pse Vuçiq në fund të prillit paralajmëroi se gjatë një vizite në SHBA në maj do të takohej dy herë me presidentin amerikan.
Megjithatë, Vuçiq ndërpreu papritur vizitën, për siç u tha, dhimbjeve të forta në gjoks dhe tensionit të lartë.
Më vonë, më 23 shtator, Vuçiq u takua në Nju Jork me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas Vuçiqit, ata diskutuan për forcimin e dialogut politik, përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe sfidat e përbashkëta të sigurisë, me fokus në zgjidhjen e çështjes së tarifave amerikane.
Administrata amerikane në prill i vendosi Serbisë tarifën më të lartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor – 37 për qind.
Pak para se Vuçiq të pranonte se nga Uashingtoni nuk kishte përparime siç priste, Doganat dhe Mbrojtja e Kufijve e SHBA-së urdhëroi ndalimin e importit të gomave të prodhuara në fabrikën kineze Linglong në Serbi, për shkak të dyshimeve për punë me detyrim.
Po ashtu, si pasojë e sanksioneve amerikane ndaj NIS-it për shkak të pronësisë shumicë ruse, u pezullua puna e rafinerisë së NIS-it për përpunimin e naftës së papërpunuar.
Sa e rëndësishme është Serbia për SHBA-në?
I pyetur për të ardhmen e marrëdhënieve serbo-amerikane, ish-ambasadori Ivan Vujaçiq thotë se SHBA-ja nuk e ka shumë në qendër të vëmendjes Serbinë.
“Nuk jemi shumë lart në radarin e tyre”, shprehet ai.
“Gjërat po ndodhin sipas një inercie që vjen ende nga administrata Biden, si sanksionet ndaj rusëve, por në thelb kjo është presion ndaj Rusisë në kuadër të përpjekjeve për paqe në Ukrainë”, shton Vujaçiq.
Nga ana tjetër, ekziston edhe animozitet ndaj Kinës.
“Kështu që ndikimi kinez këtu, sidomos investimet kineze, nuk do të shihen me sy të mirë”, vlerësoi Vujaçiq.
Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që nga dhjetori 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull negociues. Kjo kryesisht për shkak të refuzimit për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, si dhe për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura me Kosovën dhe gjendjes së demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend.
Përveç kësaj, Serbia po forcon bashkëpunimin me Kinën – politik, ekonomik dhe vitet e fundit edhe bashkëpunimin ushtarak.
Profesori amerikan Daniel Serwer thotë se ekziston pakënaqësi e qartë, dypartiake, në Kongres dhe në Departamentin e Shtetit ndaj Serbisë dhe sjelljes së saj.
“Serbia është një vend kyç në Ballkan, por për sa kohë që zgjedh të rreshtohet me Rusinë dhe Kinën, mund të presë marrëdhënie të ftohta nga ata në SHBA që ndjekin zhvillimet në Ballkan”, thotë Serwer.
I pyetur nëse rëndësia e Serbisë ka ndryshuar krahasuar me administratat e mëparshme, Serwer vlerëson se “ndoshta ka ndryshuar perceptimi i Uashingtonit për vullnetin e mirë të Beogradit”.
“‘Loja e dyfishtë’ e Vuçiqit lidhur me Ukrainën dhe shkaktimi i problemeve në Kosovë kanë hedhur një hije të madhe. Heqja e saj kërkon vendime që Vuçiq, me sa duket, nuk është i gatshëm t’i marrë. Pres që ai të provojë, ndoshta me metodat e Dodikut: lobistë të shtrenjtë dhe marrëveshje jotransparente”, shton ai.
Shtetet e Bashkuara në fund të tetorit i hoqën nga lista e sanksioneve Millorad Dodikun, anëtaren e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës Zhelka Cvijanoviq, anëtarë të familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorë të afërt.
Dodik ishte sanksionuar për veprimtari kundër Marrëveshjes së Dejtonit, pra për minimin e shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, ndërkaq Departamenti i Shtetit e arsyetoi heqjen e sanksioneve me vendimet e Kuvendit të entitetit Republika Sërpskas, duke thënë se ato duhet të “përmirësojnë stabilitetin e Bosnjë e Hercegovinës”.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, ku përmenden edhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja për integrimin e tyre euroatlantik dhe uljen e varësisë energjetike nga Rusia.
Në këtë ligj përmendet gjithashtu shqetësimi për gjendjen e demokracisë në Serbi dhe thuhet se Serbia dhe Kosova duhet të synojnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Po ashtu, theksohet se SHBA-ja duhet të vazhdojë të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohje të ndërsjellë.