Ndërlidhjet

Mlladiq u dënua me burg të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid


Mlladiq dënohet me burgim të përjetshëm
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:26 0:00

Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krime të luftës në Hagë e ka dënuar ish-komandantin serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, me burgim të përjetshëm, pasi e shpalli fajtor për akuzat për krime të luftës kundër njerëzimit, përfshirë gjenocidin, gjatë luftës në Bosnjë, në periudhën 1992-95.

Duke e shpallur vendimin, gjyqtari i Tribunalit ndërkombëtar për krime të luftës për ish-Jugosllavinë, Alphons Orie, tha:

“Për kryerjen e këtyre krimeve, dhoma e dënon zotin Ratko Mlladiq me burg të përjetshëm”, tha gjyqtari Orie.

Gjykata në Hagë sot e dënoi Mlladiqin për 10 prej 11 pikave të aktakuzës.

Komisionari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat të njeriut, Zeid Raad Al Hussein, e ka përshëndetur këtë vendim si “moment i fitores për drejtësinë” dhe Mlladiqin e ka quajtur “shembull të djallit”.

Mlladiqi është shpallur fajtor për komandimin e forcave përgjegjëse për krime, përfshirë mizoritë më të tmerrshmme të luftës – rrethimin trevjeçar vdekjeprurës të Sarajevës dhe masakrën e afro 8 mijë burrave e djemve myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995.

Tribunali i Hagës: Në Srebrenicë është kryer gjenocid
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

Gjyqtari Orie ka urdhëruar largimin e të akuzuarit Mlladiq nga salla e gjykatës për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta të Mlladiqit.

“Ata po gënjejnë, ju po gënjeni, nuk po ndihem mirë” ka thënë Mlladiq, para se është larguar nga salla nga dy rojtarë të sigurisë të Kombeve të Bashkuara.

Ky vendim i gjykatës është i fundit i Tribunalit të Hagës, që ishte formuar në vitin 1993 për t’i gjykuar krimet e kryera në luftërat në Ballkan në vitet e 90-ta.

Mlladiq, që ishte cilësuar si “Kasap i Bosnjës” nga armiqtë e tij, ishte akuzuar për 11 pika për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.

Ratko Mlladiq,75 vjeçar, ishte i akuzuar për gjenocid, për organizim të ekzekutimit kolektiv të afro 8 mijë burrave e djemve myslimanë në enklavën lindore Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, që është vlerësuar si mizoria më e tmerrshme e kryer në Evropë prej Holokaustit.

Nuk ka drejtësi për qytetarët e Srebrenicës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Duke pasur parasysh akuzat e rënda, rasti i Mlladiqit ishte shndërruar në një proces gjyqësor të profilit të lartë të krimeve të luftës, prej procesit të Nurembergut, kundër udhëheqjes së nazistëve gjermanë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Prokurorët thanë se ushtarët e Mlladiqit i kishin detyruar paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara nga Holanda të largohen, e pastaj i kishin ndarë meshkujt prej femrave për t’i ekzekutuar, ndërsa të moshuarit, femrat dhe fëmijët, me autobusë dhe kamionë i kishin dërguar në territorin e kontrolluar nga boshnjakët.

Burrat dhe djemtë i kishin larguar e pastaj i kishin goditur me të shtëna armësh në shpinë, dhe i kanë hedhur në varre masive. Mbetjet e afro 6,900 personave të vrarë janë identifikuar nëpërmjet të analizave të ADN-së, por konsiderohet se edhe shumë prej tyre ende nuk janë gjetur.

Në vitin 2007, Tribunali i Hagës ka vendosur se masakra në Srebrenicë ishte gjenocid i kryer nga forcat serbe të Bosnjës.

Prokurotë thanë se plani përfundimtar i Mlladiqit, pastaj liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, ishte që ta pastrojnë Bosnjën nga jo-serbët, në procesin e njohur “si pastrim etnik”, dhe për ta krijuar “Sërbinë e Madhe”.

Në akuzat e tjera kundër Mlladiqit përfshiheshin edhe persekutimi, vrasja, tortura, dhunimi, dëbimi, bombardimi, qitjet me snajperë në Sarajevë, terrorizmi dhe marrja peng e trupave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Akuzat kundër Mlladiqit nga Tribunali ishin shpallur në vitin 1995, por ai fshihej në Serbi. Beogradi e arrestoi atë në maj të vitit 2011 dhe e dorëzoi në Tribunal.

Gjatë gjithë procesit kundër tij, avokatët e tij e kanë shtruar çështjen e gjendjes së përkeqësuar të tij shëndetësore.

Në vitin 2016, Tribunai e shpalli fajtor, Radovan Karaxhiqin, shefin politik të Mlladiqit, lidhur me akuza të ngjashme, përfshirë gjenocidin, duke e dënuar atë me 40 vjet burg. Ai është ankuar kundër këtij vendimi.

Ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviqi vdiq në burgun e Hagës në vitin 2016, ndërsa procesi gjyqësor kundër tij përfundoi pa vendim.

Avokatët e Mlladiqit kanë thënë se do të ushtrojnë ankesë kundër vendimit për burgim të përjetshëm.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG