Ndërlidhjet

REL-i dënon ndërprerjen e transmetimit të tij në 13 qytete afgane


Burrat afganë duke dëgjuar një radio. Fotografi ilustruese.

Radio Evropa e Lirë dënoi vendimin e Qeverisë afgane, e cila udhëhiqet nga talibanët, për ndërprerjen e transmetimit të saj në 13 qytete afgane.

REL-i tha se do të vazhdojë transmetimit nga jashtë vendit, pavarësisht vendimit afgan, thuhet në njoftimin për media të 1 dhjetorit.

Në këtë njoftim thuhet se transmetimet e Radio Azadit – shërbim i Radios Evropa e Lirë në Afganistan - kanë qenë element kryesor i jetës së përditshme në Afganistan, dhe se programet e radios janë dëgjuar në mjedise publike, nga tregjet deri te taksitë.

"Radio Evropa e Lirë nuk do të ndryshojë përmbajtjen e saj për t’iu përshtatur talibanëve", tha presidenti i REL-it, Jamie Fly, i cili shtoi se tani do të gjinden opsione përmes platformave tjera për të arritur tek audienca në Afganistan.

"Ne e dimë nga përvoja se audienca jonë bën përpjekje të mëdha për të na gjetur", tha ai. "E vërteta nuk mund të shtypet plotësisht".

Abdul Haq Hammad, një zyrtar në ministrinë e Informacionit në Qeverinë e udhëhequr nga talibanët, shkroi në Twitter më 1 dhjetor, se transmetimet në radio do të ndërpriten për të gjitha mediat e financuara nga SHBA-ja.

Zëri i Amërikës tha gjithashtu se u hoq nga transmetimi.

Hammad tha se ka "mospërputhje me parimet gazetareske dhe transmetime të njëanshme" nga ana e mediave të pavarura të financuara nga SHBA-ja.

Në përgjigje të ndalimit të transmetimit nga talibanët për të gjitha mediat që financohen nga Qeveria amerikane, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), Amanda Bennett, tha se kjo është përpjekje e talibanëve për të kufizuar qasjen e qytetarëve afganë më informacionet e pa-censuruara.

“Populli i Afganistanit ka të drejtë të dijë të gjitha faktet, përfshirë informacionin që talibanët shpresojnë të censurojnë, në këtë sulm flagrant ndaj lirisë së shtypit”.

“Qeveritë represive në mbarë botën, si kjo, e kuptojnë qartë fuqinë e mediave të pavarura – prandaj shpenzojnë kaq shumë kohë dhe përpjekje për t’i luftuar ato”, shtoi ajo.

Një hulumtim i fundit i bërë nga Agjencia Amerikane për Media Globale, agjenci e pavarur federale që ka për mandat promovimin e lajmeve të paanshme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë jashtë SHBA-së, thotë se mbi gjysma e të anketuarve afganë, të moshës së rritur, kanë dëgjuar çdo javë përmbajtjen e Radio Azadit.

Kjo agjenci mbikëqyr Radion Evropa e Lirë, Radion Azia e Lirë, Zërin e Amerikës, dhe transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë të financuar nga SHBA-ja.

Pavarësisht presionit të konsiderueshëm nga talibanët, REL-i ka vazhduar të ofrojë mbulim të historive të shtypura nga mediat shtetërore afgane, në temat si ekstremizmi i dhunshëm, trajtimi i grave dhe vajzave, dhe komuniteti LGBT, thuhet në njoftimin për media.

Radio Azadi dhe Zëri i Amerikës në Afganistan prej disa vitesh transmetojnë 24 orë në frekuencat FM, në disa qytete të mëdha.

Sipas grupeve që mbrojnë median e lirë, që kur talibanët rimorën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, Qeveria ka ushtruar presion mbi media.

Shumë gazetarë janë sulmuar ose burgosur, dhe punonjëseve gra nëpër media u është ndaluar të punojnë.

Për shkak të këtyre presioneve dhe problemeve ekonomike, dhjetëra televizione private, radio dhe media të shkruara kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre në Afganistan, duke lënë pa punë qindra gazetarë dhe punonjës të medias.

XS
SM
MD
LG