Ndërlidhjet

Reperi iranian akuzohet për kritika ndaj regjimit islamik


Reperi iranian, Toomaj Salehi.
Reperi iranian, Toomaj Salehi.

Me tekste që kritikojnë udhëheqësin islamik të Iranit – duke kundërshtuar shtypjen e shtetit dhe mungesën e drejtësisë – reperi, Toomaj Salehi, ka fituar mbështetje në mesin e iranianëve që janë të zemëruar në udhëheqësit e shtetit.

Tekstet e tij kanë shqetësuar autoritetet iraniane, të cilat kanë urdhëruar arrestimin e tij më herët gjatë këtij muaji.

Salehi ka qenë i vetëdijshëm se mund të shënjestrohej nga regjimi iranian për tekstet e tij. Disa ditë para arrestimit, ai ka shkruar në Twitter se ka qenë duke u monitoruar dhe mund të ketë shkaktuar zemërim te agjentët iranianë të sigurisë.

Më 13 shtator, disa agjentë të sigurisë kanë arritur në shtëpinë e Salehit në qytetin iranian, Isfahan, dhe e kanë çuar atë në një lokacion të panjohur, kanë treguar të familjarët e tij.

Reperi është liruar me kusht më 21 shtator, ndërkohë që arrestimi i tij është kundërshtuar ashpër nga mbështetësit dhe grupet për të drejta të njeriut.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka thënë se Salehi është shënjestruar “vetëm pse ka ushtruar të drejtën e tij për liri të shprehjes”.

Në një video të publikuar pas lirimit të tij, Salehi ka thënë se është habitur nga mbështetja që ka marrë sa ka qenë në mbajtje.

“Unë vetëm dua ta falënderoj secilin prej jush që keni qenë zëri im. Kur kam qenë në mbajtje, unë kam menduar nëse dikujt po i bie në mend për mua. Mirëpo kur jam liruar, e kam kuptuar se kam gabuar”.

Duke falënderuar mbështetësit e tij, Salehi ka premtuar se do të flasë më shumë në të ardhmen me ata që e pëlqejnë.

“E kam thyer telefonin gjatë arrestimit. Do të flasim kur ta kem një të ri më vonë”, ka thënë ai në një video.

Salehi nuk ka ofruar të dhëna për arrestimin e tij apo me akuzat që përballet.

Më herët gjatë javës, avokati i Salehit ka thënë se reperi është akuzuar për “shpërndarje të propagandës kundër shtetit”.

Këto akuza zakonisht drejtohen kundër aktivistëve, intelektualëve dhe personave që udhëheqësia iraniane dëshiron t’i heshtë.

Avokati, Amir Raeisian ka thënë për faqen e lajmeve, Rouydad24, më 20 shtator, se akuza i është prezantuar “jozyrtarisht’ babait të Salehit.

Salehi ka fituar vëmendje për tekstet që përfshijnë tema kundër korrupsionit, varfërisë, ekzekutimeve shtetërore dhe vrasjeve të protestueve në Iran.

Këngët e tij po ashtu vënë në pah hapësirën e madhe në mes të iranianëve të zakonshëm dhe udhëheqësisë iraniane, duke akuzuar autoritetet për “ngufatje” të njerëzve, duke mos marrë parasysh mirëqenien e tyre.

Tekstet e tij me zemërim janë reflektim i shumë iranianëve që janë të pakënaqur nga udhëheqësia e klerikëve dhe nga politikanët që nuk përmbushin premtimet e tyre për ndryshim.

Salehi ka shpërndarë këngët e tij në llogaritë që ka në Instagram dhe Twitter. Mirëpo këto llogari janë bërë të paqasshme derisa ai ka qenë në mbajtje.

Në njërën këngë, të quajtur Normal, ai i referohet ekonomisë së Iranit – e cila është dëmtuar rëndë nga sanksionet amerikane dhe disa vjet të keqmenaxhimit.

Duke kënduar në gjuhën farsi, ai ka thënë: "Këtu njerëzit janë vetëm të gjallë. Ata nuk kanë jetë. Fëmijët tanë flenë të uritur natën. Më falni, por si fle ndërgjegja juaj natën?”.

Shumë iranianë kanë fajësuar udhëheqësinë iraniane për dëme ekonomike që përfshijnë inflacion të lartë dhe rritje të çmimeve të ushqimit.

Shumë persona janë të zemëruar për mungesën e llogaridhënies për shtypjen që u është bërë protestuesve kundër pushtetit në nëntor të vitit 2019.

Qindra persona janë vrarë në atë shtypje, përfshirë fëmijë.

Iranianët janë të zemëruar edhe për rrëzimin e një aeroplani ukrainas të pasagjerëve më 2020 nga ushtria iraniane, duke lënë të vdekur 176 persona.

Salehi këndon: "Po, po zotëri. Jeta është normale. Ne nuk duam të drejtat tona, le të bëhet kjo gjë krim. Zotëri, a i keni parë të nënshtruarit? Tavolinat e zbrazta? Ju keni kaq shumë dritë. A e keni parë qytetin e errësuar? Ne jemi të vdeur që nuk mund të mendojmë për vdekjen, sepse nuk kemi para për ceremoni varrimi dhe gurë mbi varr”.

Në këngën e tij të fundit, të titulluar, Vrima e miut, Salehi ka kritikuar gazetarët iranianë, artistët, dhe të tjerë – si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit.

Ai ka sugjeruar se ata janë bashkëfajtorë dhe i mundësojnë regjimit iranian këtë qasje, kur mbyllin njërin sy ndaj abuzimeve të të drejtave të njeriut.

Ai u ka thënë atyre që të “fshihen në një vrimë miu”.

“Nëse keni parë dhimbjen e njerëzve dhe keni mbyllur sytë, nëse keni parë shtypje të personave të pafajshëm dhe vetëm jeni larguar, nëse e keni bërë këtë gjë nga frika, apo për fitoret tuaja personale, ju jeni aleatë të tiranit, kriminelë të njëjtë”, ka kënduar ai.

“Pa fshehjet tuaja, sistemi është i pakompletuar. Irani ka mjaft burgje për t’ju mbajtur të gjithëve”.

Salehi ka përdorur edhe gjuhë vulgare për të kritikuar lidhjet e regjimit të Iranit me Rusinë dhe Kinën – duke përfshirë marrëveshjen 25-vjeçare për bashkëpunim në mes të Teheranit dhe Pekinit, që shumë iranianë e kanë përshkruar si shitje te Kina.

“A nuk na keni ngufatur mjaftueshëm? A nuk keni luajtur mjaftueshëm me ne? A nuk na keni vjedhur mjaftueshëm? Tani dëshironi që gjysmën ta ndani me Kinën dhe pjesën tjetër me Rusinë”, ka thënë ai në një prej këngëve të tij.

Shumë iranianë kanë përdorur rrjetet sociale për të protestuar arrestimin e Salehit dhe kanë bërë thirrje për lirimin e tij.

Disidenti iranian i larguar nga shteti, po ashtu reper, Hichkas, i konsideruar nga pëlqyesit e tij si babai i repit persik, u ka thënë më shumë se 300,000 mbështetësve që ka në Twitter se Salehi është duke “sfiduar Republikën Islamike” dhe është “zëri i njerëzve që janë duke vuajtur nën rregullin e Republikës Islamike”.

Irani ka histori të shënjestrimit të artistëve dhe intelektualëve që nuk përcjellin linjën e regjimit dhe trajtojnë tema që konsiderohen të ndjeshme.

Shumica e reperëve iranianë publikojnë muzikën e tyre pa miratimin e Ministrisë iraniane për Kulturë dhe Udhëzime Islamike - degë e regjimit që rregullon punën artistike dhe praktikon censurën.

Shumë reperë janë ndaluar në vitet e fundit, derisa të tjerë kanë vendosur që të jetojnë jashtë shtetit.

Vitin e kaluar, reperi iranian kontrovers, Tataloo është ndaluar në Turqi, pasi Interpoli ka lëshuar “alarm të kuq”, për të, në bazë të një fletarresti iranian.

Tataloo ka qenë kritik i autoriteteve iraniane.

Ai më pas është lëshuar nga Turqia.

Policia iraniane ka thënë se autoritetet gjyqësore kanë kërkuar arrestimin e Tataloos, për “inkurajim të qytetarëve, sidomos të të rinjve për të përdorur droga, sidomos droga psikotropike dhe për përhapje të korrupsionit”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG