Ndërlidhjet

Richard Grenell, i dërguar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi


Richard Grenell
Richard Grenell

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zgjodhi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t'i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t'iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e mirëpriti vendimin e presidentit amerikan, duke thënë se do të bashkëpunojë me Grenellin për të siguruar arritjen përfundimtare të paqes në Ballkan.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se për të është befasues lajmi i emërimit të Richard Grenell dhe shtoi se do të zhvillojë një bisedë telefonike me të.

“Presidenti amerikan, Donald Trump, tash ka bërë një emërim të ri dhe unë menjëherë sot do të kem një bisedë telefonike me ambasadorin Grenell. Ai, padyshim se është njeri serioz dhe ka besimin e presientit Trump. Pra, do të shohim se në çfarë drejtimi do të shkojë”, tha Vuçiq.

Bashkimi Evropian po punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Reagimi i BE-së vjen pas emërimit të Grenell në postin e të dërguarit të SHBA-së për dialogun Kosovë—Serbi.

"SHBA-ja ka dhënë një kontribut të çmuar në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për suksesin e dialogut (Kosovë-Serbi). SHBA-ja dhe BE-ja ndajnë interesin e fuqishëm për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të përparuar”, ka thënë Kocijançiq, duke konfirmuar gatishmërinë e BE-së për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj mirëpriti emërimin e ambasadorit Grenell si i dërguar i SHBA-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se do të punojnë “bashkë për arritjen e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se emërimi i Richard Grenell, tregon përkushtimin e Qeverisë amerikane për një përparim të shpejt drejt një të ardhme paqësore për rajonin.

“Mezi presim të punojmë me ambasadorin Ric Grenell si të dërguarin e posaçëm të presidentit për negociatat e paqes në Serbi dhe Kosovë. Emërimi i tij, krahas Matt Palmer (i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor), tregon përkushtimin e Qeverisë amerikane për përparim të shpejtë drejt një të ardhme paqësore për rajonin”, ka shkruar Kosnett në rrjetin social Twitter.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka vlerësuar se ndër tjera, emërimi i Grenellit ka si qëllim të tregojë se Shtetet e Bashkuara duan që procesi i dialogut të përfundojë me njohje reciproke. Andaj, sipas tij, presidenti amerikan do ta mbështesë këtë qëllim.

Ndërkohë, në Beograd, ministrja për Integrime Evropiane në Qeverinë e Serbisë, Jadranka Joksimoviq tha se Grenell është një "njeri serioz".

"Do të shohim se çfarë mund t’i sjellë si ndihmesë këtij procesi”, tha ajo, duke shtuar se edhe pas këtij emërimi, nuk ndryshon formati i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, pasi që ai mbetet nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.

“Kjo tregon interesin e shtuar të SHBA-së", tha Joksimoviq për televizionin publik të Serbisë.

Kush është Richard Grenell, i dërguari i SHBA-së për dialogun?

Richard Grenell nga Kalifornia, do të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës dhe si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë.

Richard A. Grenell ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga 8 maji i vitit 2018. Grenell është shkrimtar dhe komentues i politikës së jashtme dhe ka themeluar firmën ndërkombëtare konsultuese Capitol Media Partners në vitin 2010.

Për gati dy dekada ai ka shërbyer si këshilltar kryesor për komunikime për zyrtarët publikë në nivelin federal, shtetëror, lokal dhe ndërkombëtar, si dhe për kompanitë të ranguara në Fortune 200.

Grenell është personi që ka shërbyer më së gjati si zëdhënës i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara (2001 – 2008) dhe gjatë kësaj kohe ai ka punuar për katër ambasadorë.

Ai ka diplomuar në Evangel University dhe ka magjistruar në fushën e administratës publike në Fakultetin e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit.

Ky vendim, megjithatë, shihet si befasues, pasi administrata amerikane, në fund të gushtit, ka emëruar diplomatin Matthew Palmer të dërguar të posaçëm për Ballkanin, i cili mendohej se, mes tjerash, do të merrej edhe me dialogun.

Eksperti për Ballkanin, Florian Bieber pyeti se cili do të jetë roli i Matthew Palmer, pas emërimit të Richard Grenell si i dërguar i SHBA-së për dialogun në Bruksel.

“Nëse Trumpi emëron Richard Grenell si të dërguar të posaçëm për Kosovën dhe Serbinë, cili është roli i Matthew Palmer? Gjithashtu një mesazh shqetësues për pozicionin e përbashkët BE-SHBA: Grenell ka histori armiqësore me Gjermaninë dhe BE-në si ambasador (p.sh ai bën thirrje për mbështetje të së djathtës/ të djathtës ekstreme). Nuk është sinjal i mirë”, ka shkruar Bieber.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se Grenell do të jetë një urë e bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të BE-së, sa i përket çështjes së Ballkanit.

“Ambasadori amerikan në Gjermani ka shumë role. Është i afërt, i besueshëm i presidentit Trump. Është i dërguar për të punuar në Gjermani, për të përafruar marrëdhëniet me Gjermaninë, është njohës i çështjeve të Ballkanit dhe përmes Berlinit provohet që të ndikohet dhe të përshpejtohet procesi i dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë Rashiti.

Sipas Rashitit, emërimi i Grenell dhe i Palmer, tregojnë angazhimin dhe gatishmërinë e SHBA-së, për të përfunduar procesin e paqes në Ballkan.

E keqja e vetme sipas tij, është se kjo po ndodh në vitin e zgjedhjeve në SHBA dhe do të ketë pak kohë për të provuar për të ndërtuar këto procese.

“Në shumë aspekte janë duke punuar që i gjithë procesi i arritjes së paqes në Ballkani të jetë më gjithëpërfshirës. Por, prapë edhe pse angazhimi i tyre është shumë i madh, mbetet të shihet sa do të kenë sukses. Ata asnjëherë nuk mendojnë ta bëjnë vetë, por do të provojmë të koordinohen me vendet kryesore të BE-së”, ka thënë Rashiti.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur qëkur Kosova iu ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase, Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se Serbia fillimisht duhet ta njohë Kosovën.

Autoritetet në Serbi, në anën tjetër, janë pozicionuar për mosvazhdimin e dialogut derisa të hiqet taksa.

Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja vendet që të përparojnë drejt integrimit evropian.

Lexoni edhe këto:

XS
SM
MD
LG