Ndërlidhjet

Parlamenti debaton për rifomatimin e Qeverisë maqedonase


Parlamenti i Maqedonisë - Foto nga arkivi
Parlamenti i Maqedonisë - Foto nga arkivi

Përqendrimi i forcës për shpërndarjen e arkës shtetërore, nuk duhet të kalojë në asnjë mënyrë në duart e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, kanë deklaruar deputetët e opozitës maqedonase gjatë debatit në Parlament rreth zgjedhjes së ministrave të rinj të propozuar nga kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministri Zaev tërhoqi kandidaturën të jetë edhe ministër i Financave pasi Komisioni Anti-Korrupsion tha se kjo paraqet konflikt interesi.

Por, deputetët e VMRO DPMNE-së kanë theksuar se të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me Ministrinë e Financave duhet t’i nënshkruajë zëvendësministrja Shirete Elezi dhe se këtë nuk ka të drejtë ta bëjë kryeministri Zaev, sepse në të kundërtën do të shkelte ligjin.

Deputetët e opozitarë kanë ironizuar dhe qëndrimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut se ai angazhohet “jetë për të gjithë, si dhe konceptin për barazi qytetare”.

Ilia Dimovski, deputet i VMRO DPMNE-së ka pyetur kryeministrin Zaev se pse nuk e ndërton aksin rrugor që lidh Shkupin me Kosovën përmes vendkalimit kufitar të Bllacës, projekt ky që me vite, siç është shprehur ai, po zvarritet, ndërkohë që me procedurë të shpejtuar ka orientuar mjetet në Maqedoninë lindore për ndërtimin e rrugës në Strumicë, vendin e lindjes së kryeministrit.

“Zoti Zaev, gjatë tërë kohës që po qeverisni, udhëhiqeni nga standardet e dyfishta. Rruga që lidh Radovishin me Strumicën po ndërtohet ekspres, por sa i përket autostradës që lidh Shkupin me Bllacën, nuk keni lëvizur as edhe një guralec. Dhe, tani si është ajo shoqëri ku banorëve të Strumicës u ndërtohet ekspres rruga, por në Bllacë nuk ka para të ndërtohet rruga, ndërkohë që tërë kohën e keni gojën plot se angazhoheni për një shoqëri për të gjithë?”, ka thënë Dimovski.

Sipas Dimovskit, aksioni “Fshesa” në fund të ditës doli se është një “fshesëz” mezi e dukshme, sepse dikasteret që më së paku kanë treguar sukses siç është shëndetësia, policia, drejtësia dhe arsimi mbeten të paprekura.

Zaev e ka quajtur jo të ndershme vendosjen e paraleles mes rrugës në Radovish - Shtip drejt Strumicës, dhe atë të Bllacës, sepse ka theksuar se për autostradën drejt Bllacës, nuk ka pasur as projekt fillestar.

“Rruga Shkup-Bllacë nuk kishte asnjë projekt, tani për këtë aks rrugor po bëhet një projekt i ri. Fakulteti i Ndërtimtarisë po e finalizon projektin dhe besoj në korrik ai do të publikohet i kompletuar. Paratë për këtë rrugë janë siguruar, Banka Botërore për Zhvillim do të hapet projekt me dokumentacion të kompletuar, revizion, gjithçka sipas standardeve dhe jo që kjo të fillojë sa për sy e faqe si më parë, për motive pulitke”, ka deklaruar Zaev.

Ndërkaq për zgjedhjen e ministrave të rinj, Zaev tha se bëhet fjalë për personalitete me biografi të pasur profesionale, duke shprehur bindjen e tij se do t’i shtyjnë para proceset reformuese.

Por, deputeti Zijadin Sela, i cili drejton dhe Aleancën për Shqiptarët në opozitë në foltoren e Parlamentit të Maqedonisë tha se nuk bëhet fjalë për asnjë ndryshim në Qeveri përderisa korrupsioni dhe sundimi i drejtësisë mbeten kancer në Maqedoninë e Veriut.

“Shpesh përmendet në fjalorët politikë që normat dhe standardet e Bashkimit Evropian na duhen për ne, këtu. Por, kjo mungon. Dhe, tani jemi dëshmitarë të thirrjeve të ambasadorëve të huaj të Francës, të Holandës, dhe unë shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë këtu që të dalin dhe t’ua drejtojnë gishtin të gjithë funksionarëve politikë pa marrë parasysh a janë të opozitës apo të Qeverisë, e t’u thuhet se kush janë njerëzit e korruptuar dhe të inkriminuar këtu”, është shprehur Sela.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut duhet të votojë për zgjedhjen e pesë ministrave të rinj në Qeverinë 2 të kryeministrit Zoran Zaev: Sadulla Durakut si ministër i Sistemit Politik, Naser Nuredinit si ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Trajan Dimovskit - ministër i Bujqësisë, Pylltarisëdhe Ekonomisë së Ujërave, Hisni Ismailit si ministër i Kulturës dhe Goran Milevskit – ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Riformatimi i Qeverisë pason të ashtuquajturin procesi “Fshesa”, tëtë cilin proces kryeministri Zoran Zaev e kishte paralajmëruar gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale.

XS
SM
MD
LG