Ndërlidhjet

Rusia mban paradë të kufizuar të Ditës së Fitores mes masave të rrepta të sigurisë në Moskë

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke mbajtur fjalim gjatë paradës ushtarake për Ditën e Fitores, që shënon 81-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, në Sheshin e Kuq në qendër të Moskës, Rusi, 9 maj 2026.
Presidenti rus, Vladimir Putin, duke mbajtur fjalim gjatë paradës ushtarake për Ditën e Fitores, që shënon 81-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, në Sheshin e Kuq në qendër të Moskës, Rusi, 9 maj 2026.

Rusia organizoi më 9 maj paradën më të kufizuar të Ditës së Fitores në vitet e fundit, mes frikës së shtuar se Ukraina mund të pengonte zhvillimin e ceremonisë.

Nën presidentin rus, Vladimir Putin, kjo ngjarje që shënon humbjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore është shndërruar në një nga festat më të rëndësishme të vitit, një kremtim i historisë ushtarake sovjetike dhe ruse, si dhe i luftës së vazhdueshme të Moskës në Ukrainë.

Megjithatë, këtë vit ceremonia u zhvillua pa tanke apo pajisje të tjera të rënda luftarake që zakonisht kalojnë nëpër Sheshin e Kuq, për shkak të shqetësimeve të sigurisë pasi një sulm ukrainas me dron goditi një periferi të Moskës më herët gjatë kësaj jave.

Në vend të tyre, ekranet gjigante dhe transmetimet e televizionit shtetëror shfaqën armë si një raketë balistike ndërkontinentale, një nëndetëse bërthamore, një aeroplan luftarak, si dhe dronë dhe artileri të ndryshme.

Kolona ushtarësh dhe marinarësh, përfshirë trupa që kanë shërbyer në Ukrainë, marshuan pranë Putinit, i cili e ndoqi ceremoninë bashkë me veteranë rusë afër Mauzoleumit të Leninit.

Në paradë morën pjesë edhe trupa koreano-veriore që kanë luftuar kundër forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, ndërsa aeroplanë luftarakë fluturuan mbi Kremlin.

Në një fjalim tetëminutësh, Putini e lidhi fushatën aktuale ushtarake të Rusisë në Ukrainë me luftën sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.

“Vepra e madhe e brezit fitues frymëzon ushtarët që po realizojnë sot objektivat e operacionit special ushtarak”, tha Putini në fjalimin e tij, duke iu referuar pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

“Ata po përballen me një forcë agresive të armatosur dhe të mbështetur nga i gjithë blloku i NATO-s. Dhe, pavarësisht kësaj, heronjtë tanë po ecin përpara... Besoj fuqishëm se kauza jonë është e drejtë”.

Pushtimi i Ukrainës nga Moska në vitin 2022, i dënuar ndërkombëtarisht si një luftë agresioni e paprovokuar, është zvarritur në një luftë shumëvjeçare pa një fund të qartë në horizont.

Parada përkoi me një armëpushim treditor të shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe të pranuar nga Moska dhe Kievi, me të dyja palët që konfirmuan gjithashtu se kishin rënë dakord për armëpushimin dhe për një shkëmbim të madh të të burgosurve.

Trump tha se do të “donte të shihte një zgjatje të madhe” të armëpushimit, duke e përshkruar konfliktin si “gjënë më të keqe që nga Lufta e Dytë Botërore për sa i përket humbjes së jetëve”.

Megjithatë, pavarësisht armëpushimit, siguria në Moskë mbeti jashtëzakonisht e rreptë më 9 maj, me patrulla të armatosura dhe barrikada rrugore nëpër kryeqytet, si dhe snajperistë të vendosur në majat e shumë ndërtesave pranë vendit ku u mbajt parada.

Putini gjithashtu u shoqërua nga një numër i madh truprojash gjatë paraqitjes së tij dhe interneti mobil u ndërpre.

Me hyrjen në fuqi të armëpushimit të përkohshëm, si Rusia ashtu edhe Ukraina raportuan më pak sulme gjatë natës së 9 majit, megjithëse ushtria ukrainase tha se forcat ruse kishin lëshuar një raketë dhe dhjetëra dronë drejt Ukrainës që nga dita paraprake.

Me raportim nga Reuters dhe AFP.
XS
SM
MD
LG