Ndërlidhjet

Sa persona janë larguar nga Rusia prej nisjes së luftës dhe kush janë ata?


Shtetasit rusë duke pritur në qendrën për të huajt në Kazakistan. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Shtetasit rusë duke pritur në qendrën për të huajt në Kazakistan. Fotografi ilustruese nga arkivi.

BBC

Qindra mijëra rusë vlerësohet të jenë larguar nga shteti i tyre, prej nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.

Por kush janë ata, ku kanë shkuar dhe pse janë larguar?

Svetlana është në të 30-at e saj, dhe ka lindur në një qytezë të vogël ruse.

Ajo është shpërngulur në Moskë, në moshën 18-vjeçare, për të studiuar Fizikë në universitet. Pas diplomimit, ajo ka punuar si menaxhere produktesh për shumë kompani.

“Nuk e kam menduar kurrë largimin, kam planifikuar të pensionohem në Moskë”, ka thënë ajo.

“E dua Rusinë dhe e kam shijuar jetën atje”.

Rusët kanë qenë duke u larguar prej shtetit të tyre edhe para nisjes së luftës në Ukrainë, përfshirë ata që nuk janë pajtuar me vendimin e Moskës për të aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014, si dhe me ligjet e reja që i lehtësojnë procedurat për t’i ndëshkuar disidentët.

Shumë prej tyre janë nisur drejt shteteve baltike, shteteve të Bashkimit Evropian, apo edhe në Gjeorgji.

Për Svetlanën, lufta e nisur më 2022 në Ukrainë, ka qenë pikë kthese.

“Kur ka nisur lufta, e kam kuptuar se nuk do të përfundojë shpejt dhe se njerëzit nuk do të mund të dilnin në protesta. Si në aspektin emocional, ashtu edhe në atë racional, ka qenë më mirë që të largohem”, ka thënë ajo.

Svetlana tani është në Beograd, në kryeqytetin e Serbisë.

“Kam tentuar të distancohem sa më shumë prej autoriteteve”.

Shumë rusë të tjerë e kanë të njëjtën përvojë.

Vala e parë e largimit nga Rusia është regjistruar në mars dhe prill të vitit të kaluar.

Shumica e të larguarve i kanë thënë transmetuesit britanik BBC, se ata janë kundër luftës, dhe janë të zhgënjyer pse rusët nuk kanë dalë nëpër protesta.

Duke u ndier të izoluar dhe në rrezik, ata e kanë menduar largimin si zgjidhjen më të mirë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nisur një mobilizim ushtarak, në shtator të vitit 2022.

Ndonëse është përshkruar nga autoritetet si “i pjesshëm”, ai në realitet ka nënkuptuar që shumica e burrave kanë qenë në rrezik rekrutimi.

Në shumë raportime është thënë se rekrutimi është përcjellë me trajnime të dobëta dhe mungesë të pajisjeve.

Burrat, bashkë me familjet e tyre, janë nisur me makina drejt kufijve, duke krijuar radhë të gjata në kufijtë rusë me Gjeorgjinë dhe Kazakistanin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka mohuar që rusët janë larguar në masë të madhe, për t’iu shmangur rekrutimit.

Në muajin prill, autoritetet ruse e kanë prezantuar një “thirrje online”, çka nënkupton se rekrutëve do t’iu dërgohet regjistri online dhe jo në mënyrë fizike.

Peskov e ka mohuar, po ashtu, se ky sistem digjital është krijuar për të ndalur fluksin e burrave që po ikin.

Sa kanë ikur – dhe ku?

Nuk ka të dhëna të sakta sa njerëz janë larguar nga Rusia, por vlerësohet se shifra shkon në mbi një milion.

Në muajin maj, Ministria britanike e Mbrojtjes, ka vlerësuar se 1.3 milion persona janë larguar nga Rusia, më 2022.

Në vlerësimet tjera, shifrat janë të ngjashme.

Revista amerikane Forbes, i ka cituar disa burime brenda autoriteteve ruse të kenë thënë se mes 600.000 deri në një milion njerëz kanë ikur më 2022.

The Bell and RTVi – të dyja media të pavarura ruse – kanë publikuar të dhëna të ngjashme.

Ikja nga Rusia mund të bëhet relativisht lehtë, për aq kohë sa keni para dhe nuk jeni thirrur për të shërbyer në ushtri.

Mirëpo, gjetja e një vendi të përhershëm jetese, përbën proces të vështirë.

Disa muaj para nisjes së luftës, shumë shtete, përfshirë edhe ato të Bashkimit Evropian, si dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë bërë të vështirë për rusët që të aplikojnë për viza, përveç nëse kanë familje, apo udhëtojnë për arsye pune.

Në shumë shtete – sikurse në Gjeorgji dhe Armeni – rusët nuk janë përballur me kufizime të tilla dhe kanë mundur të shkojnë në to kur kanë dashur. Dhe ato masa janë ende në fuqi.

Në shtetet tjera, përfshirë Kazakistanin, ligjet kanë ndryshuar gjatë këtij viti, për të ndalur fluksin e migrantëve rusë.

Kazakistani është në mesin e shteteve që e ka përcaktuar numrin e ditëve sa mund të qëndrojnë rusët si turistë atje.

Pa një perspektivë të kthimit në Rusi, secilën herë më shumë rusë duhet të aplikojnë për leje të qëndrimit, ashtu që të mund të punojnë nëpër shtetet tjera – ndonëse disa janë duke tentuar të punojnë nga shtëpitë për punëdhënësit rusë.

Në 15 muajt e fundit, rreth 155.000 rusë kanë marrë leje të përkohshme qëndrimi në shtetet e BE-së, në disa vende të Ballkanit, në Kaukaz dhe Azinë Qendrore.

Rreth 17.000 kanë aplikuar për azil politik në vendet e BE-së, mirëpo vetëm rreth 2.000 i kanë rregulluar dokumentet, sipas Agjencisë së BE-së për Azil.

Ministria e Brendshme e Rusisë, ka thënë se më 2022, është rritur për 40 për qind numri i personave që kanë aplikuar për pasaporta të huaja, në krahasim me vitin paraprak.

‘Jam tmerruar nga ideja që mund të vras njerëz’

Prej nisjes së luftës, BBC ka biseduar me dhjetëra rusë që janë larguar nga vendlindja e tyre.

Ata kanë të kaluar të ndryshme. Disa janë gazetarë, por ka edhe ekspertë të teknologjisë informative, dizajnerë, artistë, akademikë, avokatë, mjekë, specialistë për marrëdhënie me publikun dhe linguistë.

Shumica janë nën moshën 50-vjeçare.

Pjesa më e madhe besojnë në vlerat perëndimore liberale dhe shpresojnë se Rusia do të jetë një ditë shtet demokratik.

Disa i përkasin komunitetit LGBT+ (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).

Sociologët, të cilët janë duke e studiuar emigrimin aktual në Rusi, kanë thënë se ka të dhëna që në mesin e atyre që po ikin janë të rinjtë, të pasurit, dhe ata me edukim më të avancuar.

Në shumicën e rasteve, ata janë nga qytetet e mëdha.

Shembull, njëri prej tyre, Thomasi, është prej Shën Petersburgut.

“Unë jam pacifist dhe jam tmerruar nga ideja që të dërgohem diku për të vrarë njerëz. Jam kundër politikave të Rusisë kundrejt Ukrainës, prej vitit 2014. Pushtimi dhe vrasjet e civilëve janë të papranueshme”, ka thënë ai.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë, ai ka postuar qëndrime kundër luftës në llogaritë e tij në rrjetet sociale, si dhe u është bashkuar protestave në rrugë.

Si homoseksual, ai është shqetësuar për sigurinë e tij.

“Pasi Rusia i ka miratuar ligjet për ‘ndalesë në propagandë të homoseksualëve' dhe ‘lajmeve të rreme’ për ushtrinë ruse, e kam ditur që jeta ime është në rrezik”, ka thënë ai.

Thomas ka aplikuar për azil politik në Suedi dhe ka tentuar t’iu tregojë autoriteteve pse kthimi i tij në Rusi është i rrezikshëm.

Aplikacioni i tij është refuzuar, mirëpo ai e ka apeluar vendimin.

“Meqë kam të drejtë të kufizuar për të diskutuar me avokatin shtetëror, jam duke punuar edhe vetë për mbledhje të dëshmive për rastin tim”.

Për Sergein, rus nga qyteti jugor, Rostov-on-Don, problemet janë të një natyre tjetër.

Ai tani jeton në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Ditën që ka nisur lufta, ai ka biseduar me disa shokë dhe të gjithë janë pajtuar që lufta nënkupton lajm të keq.

“Pavarësisht se çfarë do të ndodhte në të ardhmen, dihej që ekonomia do ta pësonte”, ka thënë ai.

“Një javë më vonë jemi takuar dhe kemi marrë vendim që të largohemi”.

Me kalimin e ditëve, Sergei ka treguar, se si e ka ndier luftën më afër.

“Kemi parë shumë pajisje ushtarake në rrugë për në Ukrainë. Spitalet kanë qenë plot me të plagosur. Aeroporti në Rostov ka qenë i mbyllur për civilët, mirëpo kanë qenë shumë aeroplanë tjerë dhe ne e kemi dituar ku po shkojnë”.

Në shtator, pas fjalimit të Putinit për mobilizim, nëna e Sergeit, e cila e ka kritikuar që nuk është patriot aq sa duhet, e ka telefonuar dhe i ka thënë: Paketohu dhe ik”.

Sergei ka ngarë veturën gjithë natën për të shkuar në Gjeorgji, ku edhe është duke jetuar.

“Gruaja dhe fëmija im janë ende në Rusi. Më duhet të paguaj për shpenzimet e tyre dhe banimin tim këtu. I mbaj dy punë – një nga shtëpia për kompaninë time në Rusi, dhe një tjetër, për një biznes të vogël të një miku”.

Sergei ka thënë se ai është duke kursyer para për ta nxjerrë familjen nga Rusia për në një shtet tjetër.

Gruaja e tij, e cila fillimisht ka hezituar, është pajtuar tani që ata duhet të nisin një jetë të re diku tjetër.

Çfarë nënkupton kjo për Rusinë?

Autoritetet ruse kanë tentuar të zvogëlojnë ndonjë ndikim eventual të ikjes së mijëra rusëve të edukuar me paratë e tyre, por megjithatë, ndikim ka.

Banka më e madhe private e Rusisë, Alfa Bank, vlerëson se 1.5 për qind e gjithë fuqisë punëtorë të Rusisë, mund ta ketë lëshuar vendin.

Shumica e atyre, që janë larguar, janë profesionistë në sektorët e tyre.

Edhe kompanitë, ndërkohë, janë ankuar për numër të vogël të punëtorëve në dispozicion dhe vështirësi në rekrutim.

Banka Qendrore e Rusisë ka raportuar në fazat e para të luftës se rusët i kanë tërhequr rreth 15 miliardë dollarë nga llogaritë e tyre.

Kjo shkallë nuk është parë në Rusi, prej krizës financiare globale të vitit 2008.

Ekonomisti Sergei Smirnov nga Akademia e Shkencave të Rusisë, beson se trendi tregon se individët me më shumë aftësi, do të synojnë të largohen nga shteti.

“Do të ketë më shumë kërkesë që njerëzit të mund t'i rregullojnë makinat, apo të bëjnë këpucë. Nuk i dua skenarët apokaliptikë, mirëpo besoj se diçka e tillë do të ndikojë që produktiviteti në ekonominë rusë të bjerë me kalimin e kohës”.

Sipas tij, këto trende do të prekin fillimisht qytetet më të mëdha, siç është Moska, Shën Peterburgu dhe Jekaterinburgu.

“Pjesa më e madhe e territorit rus nuk do t’i vërejë këto transformime, sepse standardet e jetesës në qytetet e vogla, në qyteza dhe fshatra, kanë qenë gjithmonë më të ulëta, dhe do të vazhdojnë të jenë ashtu”.

Ndërkohë, Svetlana, në Beograd, nuk ka plane për t’u kthyer në Rusi.

“Jam duke punuar për një kompani të re në Moldavi, por së fundi kam aplikuar për një punë në Holandë”.

Sergei në Tbilisi është duke aplikuar për punë të ndryshme në Evropë.

Tani për tani, jeta e tij është e vështirë.

“Nuk e kam asnjë ditë pushim, ndonjëherë as nuk kam kohë të mjaftueshme për gjumë, e bëj gjumin në makinë”.

Thomasi në Suedi shpreson se nuk do të detyrohet që të kthehet në Rusi, ku frikësohet se mund të abuzohet.

Ai është duke e mësuar gjuhën suedeze që të mund të gjejë një punë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG