Ndërlidhjet

Rikonfirmohet perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE


Fotografi e përbashkët mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. 6 dhjetor 2022.
Fotografi e përbashkët mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. 6 dhjetor 2022.

Liderët e Bashkimit Evropian kanë rikonfirmuar të martën përkushtimin e palëkundur për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se fakti që samiti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është mbajtur në Tiranë – për herë të parë jashtë kufijve të bllokut evropian – flet për rëndësinë e partneritetit strategjik mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit.

“BE-ja është më e përkushtuar se kurrë më parë për një të ardhme të përbashkët me partnerët e Ballkanit Perëndimor brenda BE-së. Ne jemi duke shfrytëzuar çdo mundësi për të afruar rajonin me njerëzit tanë. Përmes adresimit të përbashkët ndaj krizës së energjisë, dhe hapjes së mundësive për qytetarët dhe bizneset, përfshirë uljet e tarifave të romingut. Kjo është arritje e madhe”, ka thënë ajo në një konferencë për media pas takimit.

Më herët gjatë ditës së martë, operatorët telefonikë të BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar një marrëveshje në Tiranë për zvogëlim të tarifave të romingut.

Marrëveshja do të nisë së zbatuari më 1 tetor të vitit 2023.

Për të ndihmuar ekonomitë familjare dhe bizneset, pas vështirësive të krijuara si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë, BE-ja është zotuar për ndarjen e 1 miliard eurove si grante për rajonin e Ballkanit Perëndimor, me shpresën që këto fonde do të inkurajojnë investimet.

Përgjatë samitit është diskutuar edhe për thellim të bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit për menaxhim të migrimit, sigurinë kibernetike, më pas në fushën e edukimit dhe asaj për të rinjtë.

Agjencia e BE-së për Kufijtë, Frontex, ka thënë se ka vërejtur më shumë se 22.000 tentime për hyrje të migrantëve në bllokun evropian përmes rrugëve të Ballkanit, vetëm në muajin tetor, përkatësisht gati tre herë më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rreth 500 zyrtarë të Frontex-it është thënë se janë duke punuar me zyrtarë kufitarë të vendeve të Ballkanit, dhe agjencia planifikon të angazhojë pjesëtarë të saj edhe brenda vetë rajonit.

Shefi i Komisionit Evropian, Charles Michel, ka thënë se “është i bindur që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor brenda BE-së”.

“Ne jemi duke punuar shumë për të arritur përparim”, ka thënë Michel.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama (majtas) me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, para nisjes së samitit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama (majtas) me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, para nisjes së samitit.

Kryediplomati i BE-së, Jopsep Borrell, ka theksuar se rritja e angazhimit të BE-së me këto gjashtë shtete është më e rëndësishme se kurrë për të garantuar sigurinë e Evropës, sidomos pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Tensionet janë rritur në rajonin e Ballkanit prej shpërthimit të konfliktit në Ukrainë dhe BE-ja dëshiron të shmangë situata të tilla afër kufijve të saj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka falënderuar presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për mbështetjen dhe vendosmërinë që bisedimet për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor “të mos vdesin në agoni”.

Kroacia është vendi i fundit që ka pranuar BE-ja në bllokun evropian më 2013.

Rruga drejt anëtarësimit është e gjatë, pasi shtetet duhet të përmbushin një mori të kushteve ekonomike dhe politike.

Prej kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të muajit shkurt, zyrtarët e BE-së kanë përsëritur thirrjet për rritje të angazhimit mes bllokut evropian dhe Ballkanit Perëndimor, duke thënë se diçka e tillë është shumë e rëndësishme për ruajtje të sigurisë së Evropës.

Përgjatë samitit, von der Leyen ka paralajmëruar edhe për rritjen e ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Ballkanit Perëndimor, pasi përbën dy të tretat e tregtisë totale të rajonit.

Ndonëse përparimi në rrugën drejt anëtarësimit është bllokuar në vjetët e fundit, disa shtete së fundi bërë hapa në këtë drejtim.

Përgjatë verës BE-ja ka nisur zyrtarisht negociatat për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në bllok.

Bosnje-Hercegovina i është afruar kësaj rruge, pasi Komisioni Evropian ka këshilluar vendet e bllokut evropian që t’i garantojnë këtij shteti statusin e vendit kandidat, pavarësisht kritikave për mënyrën e udhëheqjes.

Kosova ka nisur hapin e parë, duke thënë se do të aplikojë për statusin e vendit kandidat më vonë gjatë këtij muaji.

“BE-ja duhet të kalojë nga fjalët në vepra”, ka thënë të martën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pak para nisjes së samitit.

Aktualisht, Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.

XS
SM
MD
LG