Ndërlidhjet

Në pritje të seancës për Demarkacionin


Kuvendi i Kosovës

Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, sipas partive parlamentare, mund të mbahet gjatë kësaj jave, por që nuk është specifikuar ndonjë datë e saktë.

Deputetë nga koalicioni qeverisës dhe ata nga një pjesë e taborit opozitar, shpresojnë se gjatë kësaj jave do të reflektojnë deputetët të cilët po e kundërshtojnë Marrëveshjen, edhe pse të njëjtat vlerësime i kanë bërë edhe para seancave të kaluara, të cilat u mbyllën pa asnjë vendim.

Kuvendi i Kosovës, deri më tash, ka thirrur tri seanca për ratifikimin e Demarkacionit, por për shkak të mungesës së 80 votave të domosdoshme për kalimin e marrëveshjes, ato janë shtyrë vazhdimisht, përkatësisht janë ndërprerë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur optimist se shumë shpjet do arrihet një konsensus i përbashkët me partitë tjera për ratifikimin e Marrëveshjes, pasi sipas tij, Kosova është vonuar në këtë çështje.

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe partia politike opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, tashmë kanë arritur një konsensus për votimin e Demarkacionit.

Por, të gjitha së bashku nuk e mbërrijnë dot numrin prej 80 votave të nevojshme për ratifikim. Andaj, ato janë në pritje të reflektimeve edhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje apo ata të Listës Serbe.

Zenun Pajaziti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se seanca me gjasë do mbahet gjatë kësaj jave, pasi sipas tij, pritet që të reflektojnë edhe deputetët që po e kundërshtojnë këtë marrëveshje.

“Siç duket edhe të Lista Serbe ka diçka që mund të ndodhë në aspektin pozitiv gjatë kësaj jave. Po presim që kjo të bëhet e ditur sa më shpejtë dhe të caktohet një seancë në të cilën do të bëhen të ditura të gjitha”, tha Pajaziti.

Ndërkaq, deputetja e Mimoza Kusari – Lila nga Alternativa, parti e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka nevojë që të humbet më kohë, por duhet të veprohet shpejtë me votim dhe ratifikim të Marrëveshjes.

“Po besoj se duhet të votohet. Është një prej temave që e ka mbajtur Kosovën shumë gjatë dhe e cila për veç faktit që po pengon Kosovën në rrugën drejtë liberalizimit të vizave, gjithashtu po e pengon një funksionim normal të Kuvendit të Kosovës, për shkak se javë pas jave po lidhemi më caktimin e seancave të jashtëzakonshme për Demarkacionin, përderisa seancat e rregullta po pësojnë shumë, pasi po humb vëmendja për seanca të rregullta dhe trajtim të mirëfilltë të projektligjeve detyra kryesore e cilit është Kuvendi i Republikës se Kosovës”, tha Kusari –Lila.

Lista Serbe edhe pse pjesë e koalicionit qeverisës, deri tani nuk i ka dhënë mbështetje ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit. Ndërkaq, me një pozicion të qartë kundër kësaj marrëveshje vazhdojnë të jenë deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje.

Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kurdo që thirret vazhdimi i seancës, deputetët e kësaj lëvizje do votojnë kundër Demarkacionit.

“Ka shpifje propaganda në këtë drejtim. Por, asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e përkrah një marrëveshje që falë territor. Nuk mund të jesh deputet i Vetëvendosjes që çon dorën lart për një marrëveshje që falë territor”, u shpreh Haxhiu.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, të hënën ka thënë se ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është më afër se kurrë.

Delawie, edhe një herë ka porositur deputetët se ka ardhur koha që t’i jepet fund ratifikimit të kësaj marrëveshjeje këtë javë.

Për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, nevojiten së paku 80 vota të deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e Demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG