Kurti: Presim opozitën të marrë pjesë në votim për presidentin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Lëvizja Vetëvendosje po bën përpjekje maksimale për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Duke hyrë në Kuvend, Kurti u pyet nga gazetarët nëse pritet të zgjidhet presidenti në seancën e sotme.
Ai tha se mbetet të shihet nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në votim.
“Ne bëjmë përpjekjet maksimale, tash ta shohim a po vijnë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim”, u shpreh Kurti.
Në Nenin 22 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës thuhet se “deputeti ka për detyrë dhe obligim që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit”.
Qorolli: Rundi i parë i votimit për president nuk është shteruar
Vigan Qorolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, u tha mediave në Prishtinë se beson se rundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës “nuk është shteruar”, pasi në kuti nuk janë hedhur 80 vota.
“Nuk është konstatuar se zgjedhja e presidentes është valide në këtë rast”, tha Qorolli.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur në Lëvizjen Vetëvendosje se si do të procedohet në seancën e sotme, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndiqeni REL-in edhe në...
Në pritje të seancës...
Edhe pse kanë kaluar 10 minuta nga ora 10:00, kur ishte paraparë të niste vazhdimi i seancës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në sallën e Kuvendit nuk është futur ende asnjë deputet.
Megjithatë, disa deputetë të partive opozitare janë parë duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit.