GLPS: Votimi pa kuorum, shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e cilësoi si rrezik për rendin demokratik vazhdimin e votimit për presidentin pa praninë e dy të tretave të deputetëve.
Lëvizja Vetëvendosje e nisi të hënën votimin për dy kandidate, edhe pse në sallë ishin më pak se 80 deputetë.
Në fund, Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hatixhe Hoxha asnjë, dhe seanca u ndërpre për të vazhduar sot.
Në reagimin e saj, GLPS-ja theksoi se seanca u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën.
Sipas saj, një nga proceset më të rëndësishme shtetërore po shndërrohet në lojë politike.
"Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimet e rasteve Nr. KO 29/11, KO47/16 dhe KO68/26 ka qenë e qartë se për zhvillimin e votimit të presidentit/es kërkohet prania e 2/3 të të gjithë deputetëve. Çdo procedim përtej kësaj nuk është çështje interpretimi, por shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues", thuhet mes tjerash në reagim.
A do të marrë pjesë opozita në seancë?
Derisa kanë mbetur edhe 15 minuta nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ende nuk dihet nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë disa prej tyre, por deri më tani pa përgjigje.
Seanca e 27 prillit u zhvillua pa praninë e opozitës.
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka deklaruar se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti - në këtë rast LVV - t’i kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
Kurti ka thënë se i ka ofruar LDK-së pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta është refuzuar. Një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e cilësoi si joserioze, duke thënë se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.
Më pas, Kurti u ka kërkuar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme.
Në një fjalim para Kuvendit më 27 prill, Kurti tha se përgjegjësia e partive për çështjen e presidentit është në bazë të numrit të votave që kanë marrë.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, LVV-ja ka siguruar mbi 51 për qind të votave dhe 57 deputetë në Kuvend, PDK-ja 20.2 për qind dhe 22 deputetë, ndërsa LDK-ja 13.2 për qind dhe 15 deputetë.
“LDK-ja dhe PDK-ja nuk kanë marrë iniciativë, ndonjë propozim, ndonjë emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen. Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale”, tha Kurti.
Abonohuni falas në newsletter-in e REL-it...
Çitaku: Procesi për presidentin, “maskaradë antikushtetuese”
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, deklaroi se “është për keqardhje që dy gra kanë pranuar të huazojnë emrin e tyre në një maskaradë të rrezikshme dhe antikushtetuese”.
“Vetë ideja që, me vetëdije, i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurtit”, shkroi Çitaku në Facebook.
Në seancën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për postin e presidentes.
Votimi u zhvillua edhe pse në sallë nuk ishin të pranishëm së paku 80 deputetë, siç kërkohet nga legjislacioni në fuqi.
Rushiti, aktiviste e të drejtave të njeriut, mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë. Një votë u shpall e pavlefshme.
Radio Evropa e Lirë tentoi disa herë të kontaktonte Rushitin, por pa sukses.