Nis seanca
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve t'i zënë vendet e tyre për të nisur seancën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Haxhiu ftoi deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë.
Tash për tash, ata nuk shihen në sallë.
Më herët, edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ftoi deputetët të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit, në mënyrë që vendi të ketë president dhe të shmangen zgjedhjet e reja.
Deputetët nisin të hyjnë në sallë
Gati një orë me vonesë, disa deputetë, kryesisht të Lëvizjes Vetëvendosje, shihen duke hyrë në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të vazhdojë seanca për zgjedhjen e presidentit.
Çka thuhet në aktvendimin e Kushtetueses?
Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i lëshuar më 4 prill 2016, përcakton:
"Në mënyrë që rundi i parë i votimit të jetë i vlefshëm, të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk përmbushet, rundi i parë do të jetë i pavlefshëm. Rrjedhimisht, nuk mund të mbahet rundi i dytë. Në mënyrë që rundi i dytë i votimit të jetë i vlefshëm, numri i njëjtë, pra të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk përmbushet, rundi i dytë i votimit do të jetë i pavlefshëm. Vetëm atëherë kur rundi i parë dhe rundi i dytë i votimit janë të vlefshëm, mbahet rundi i tretë. Për të qenë i vlefshëm, rundi i tretë kërkon të paktën praninë dhe votimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit".
Haradinaj në Kuvend
Në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës është parë duke hyrë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Partia e tij është e përfaqësuar me 6 deputetë në Kuvendin e Kosovës.