LDK nuk merr pjesë në seancën për presidentin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti nuk do të merr pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, të paraparë të fillojë në orën 19.
Në një konferencë para mediave, në holl të Kuvendit, Abdixhiku e quajti këtë seancë “show një-partiak”.
“LDK-ja e konsideron se ky show nuk i shërben interesave politike dhe nuk marrim pjesë në show të tillë”, tha ai.
Ai po ashtu e quajti këtë seancë, “përpjekje për të krijuar rast në Gjykatë Kushtetuese”.
“Është kosto shumë e lartë për Republikën. Shteti nuk është hajgare”, shtoi ai.
Lushaku-Sadriu: Kurti nuk dëshiron kompromis me LDK-në
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk po e dëshiron Vjosa Osmanin për presidente.
“Albin Kurti nuk po dëshiron kompromis me LDK-në”, ka shkruar Lushaku- Sadriu në rrjetin social Facebook.
Sipas saj, Albini Kurti deshi të përmbysë rendin kushtetues.
“Kjo në fakt nuk është krizë politike. Është krizë e një njeriu që s’pranon rend e ligj”, ka shkruar ajo.
LDK-ja ka thënë më herët se mund ta propozojë ish-presidenten Osmani për një mandat të dytë.
Donika Emini: Zgjedhjet e pashmangshme
Donika Emini, njohëse e çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë, e intervistuar nga kolegu ynë Bekim Bislimi ka vlerësuar se situata aktuale me zgjedhjen e presidentit është e vështirë të prodhojë ndonjë rezultat tjetër, pos zgjedhjeve parlamentare.
"Tani, çdo vazhdim i një procesi që ka probleme serioze procedurale rrezikon të kthehet në shkelje të hapur të Kushtetutës, çka do të kishte pasoja të rënda për legjitimitetin institucional"tha ajo, ndër tjerash në intervisë.
Sipas saj, kjo situatë ka treguar një mungesë të kompromisit dhe "një fokus të ngushtë në interesa afatshkurtra partiake".
Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:
PDK paralajmëron mobilizim “në mbrojtje të Kushtetutës”
Partia Demokratike e Kosovës, një orë para fillimit të seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, ka paralajmëruar “mobilizim për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Republikës.
Kjo parti në një postim në Facebook, ka njoftuar se pas mbledhjes së Kryesisë, ka mbledhur sot edhe kryetarët e degëve të saj, duke kërkuar “mobilizim të plotë të strukturave partiake në të gjithë vendin”.
“Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, është cituar të ketë thënë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Pa specifikuar format e sakta të reagimit, PDK ka thënë se do të angazhohen “në të gjitha format demokratike dhe institucionale”.