Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, pasi procesi për zgjedhjen e presidentit nuk ka më zgjidhje ligjore, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, kostoja më e madhe e krizës institucionale bie mbi qytetarët, ndërsa vazhdimi i procesit "të kontestuar" mund ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Emini. Si i shihni zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, të cilat lidhen me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit?
Donika Emini: Zhvillimet e fundit në Kuvend tregojnë një thellim të krizës politike dhe institucionale në Kosovë, duke reflektuar një elitë politike që po funksionon pa një sens të qëndrueshëm përgjegjësie dhe vizioni për shtetin.
Radio Evropa e Lirë po ndjek në kohë reale zhvillimet e sotme rreth çështjes së presidentit. Blogun e gjeni KËTU!
Ajo që kemi parë në 24 orët e fundit tejkalon edhe pritshmëritë më minimale për një proces normal demokratik. Nga njëra anë, pushteti (Lëvizja Vetëvendosje) po e shfrytëzon këtë vakum për të shtyrë përpara objektiva që lidhen me kalkulime partiake.
Ka indikacione të qarta për një tendencë drejt dobësimit të rolit të presidentit, duke synuar një figurë politikisht të kontrollueshme, ndërkohë që kufijtë kushtetues po testohen në mënyrë të rrezikshme.
Gjithashtu, kjo strategji e cila qëllimshëm zvarritë proceset ka tendencë për të krijuar kushte më të favorshme elektorale për LVV-në nëse zgjedhjet mbahen në verë 2026 për shkak të faktorit diasporë.
Nga ana tjetër, opozita mbetet kryesisht reaktive dhe e paorganizuar, duke dështuar të artikulojë një alternativë të qartë apo të kontribuojë në mënyrë konstruktive në tejkalimin e bllokadës.
Edhe aty ku ka përpjekje individuale, mungon një qasje e koordinuar që do të mund të ndikonte realisht në proces.
Kjo situatë pasqyron një mungesë të theksuar të kulturës së kompromisit dhe një fokus të ngushtë në interesa afatshkurtra partiake.
Në një moment të ndjeshëm politik, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, kjo qasje jo vetëm që e dëmton funksionimin institucional, por rrezikon edhe besimin e qytetarëve në sistemin demokratik.
Kostoja më e madhe bie mbi qytetarët, të cilët mbeten peng i një klase politike që nuk po arrin të ngrihet mbi kalkulimet e saj të ngushta.
Radio Evropa e Lirë: Partitë opozitare nuk morën pjesë në seancën e së hënës dhe sot për zgjedhjen e presidentit. A mendoni se duhet të kthehet opozita në seancën e caktuar për orën 19:00?
Donika Emini: Në këtë pikë, çështja nuk është thjesht nëse opozita duhet të kthehet në seancën e orës 19:00. Problemi kryesor është legjitimiteti i vetë procesit. Nëse kushtet për kuorum nuk janë përmbushur dhe procedura po vazhdon në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e opozitës bëhet jorelevante.
Radio Evropa e Lirë: A ka indikacione se të gjithë duan të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Donika Emini: Refuzimi i opozitës për të marrë pjesë në këtë pikë të procesit nuk është shkaku që ka për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, sepse ky proces ka filluar keq që nga dje, prandaj dhe pjesëmarrja sot nuk ka rëndësi.
Në të njëjtën kohë, edhe insistimi i pushtetit për të vazhduar një proces të kontestueshëm tregon një lloj kalkulimi politik që mund ta bëjë opsionin e zgjedhjeve më të mundshëm, por me terma dhe kornizë kohore të LVV-së.
Më shumë se një koordinim i qëllimshëm mes palëve për zgjedhje të reja, kjo situatë duket si rezultat i mungesës së kompromisit dhe vullnetit politik për të gjetur një zgjidhje funksionale. Në fund, të gjitha palët, për arsye të ndryshme, po veprojnë në mënyra që mund ta shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe të gjitha këto palë njësoj po e dëmtojnë vendin dhe qytetarin.
Radio Evropa e Lirë: A ka zgjidhje të kësaj situate dhe cila është ajo sipas jush?
Donika Emini: Në këtë fazë, praktikisht nuk ka më një zgjidhje në kuadër të këtij procesi. Zgjidhja do të duhej të ishte arritur përpara nisjes së votimit, kur ende kishte hapësirë për kompromis dhe manovrim politik.
Tani, çdo vazhdim i një procesi që ka probleme serioze procedurale rrezikon të kthehet në shkelje të hapur të Kushtetutës, çka do të kishte pasoja të rënda për legjitimitetin institucional.
Nëse Kushtetuta ka mangësi, ajo mund dhe duhet të ndryshohet përmes procedurave të rregullta, por jo të anashkalohet në praktikë.
Një shkelje e tillë nuk mund të prodhojë një rezultat të qëndrueshëm apo të pranueshëm dhe vetëm sa do ta thellonte krizën, duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe duke krijuar një tjetër bllokadë.
Prandaj, në aspektin ligjor, situata duket e mbyllur. Zgjedhjet e parakohshme duken gjithnjë e më të pashmangshme dhe partitë duhet të përgatiten për këtë realitet të ri.
Çdo përpjekje për një kompromis të minutës së fundit do të ishte më shumë një zgjidhje politike ndaj një problemi ligjor, gjë që do të krijonte precedent të rrezikshëm për të ardhmen.