Sa i kushtojnë zgjedhjet Kosovës?
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dhjetorit, Kosovën e kanë kushtuar rreth 7 milionë euro. Këto ishin të dytat me radhë të mbajtura gjatë vitit 2025.
Ky vit nuk është një vit zgjedhor, që do të thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka mjetet e planifikuara nëse do të mbaheshin zgjedhje të reja.
Në rast se nuk zgjidhet presidenti dhe vendi shkon në zgjedhje, KQZ do të duhet t'i drejtohet Qeverisë për këto mjete.
Haxhiu sërish ndërprenë seancën, ajo vazhdon në orën 23:00
Kryeparlamentarja Haxhiu, disa minuta pasi rinisi seanca, e ndërpreu atë për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve nga partitë opozitare.
Ajo tha se punimet do të rinisin në orën 23:00 – fiks një dorë para se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Nëse deputetët dështojnë të zgjedhin presidentin e ri, Kosova do të shkojë në zgjedhje.
Nis seanca
Në Kuvendin e Kosovës, pa praninë e partive opozitare, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, ka nisur punimet e seancës për zgjedhjen e presidentit.
Abdixhiku: Nuk e kuptoj pse Kurtit po i pengon Osmani, por populli do ta zgjedhë
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë adresimit nga holli i Kuvendit tha se nuk e kupton pse kryeministrit Albin Kurti i pengon ish-presidentja Vjosa Osmani.
“Çfarë nuk arrij të kuptoj unë është çfarë po i pengon Vjosa Osmani, Albin Kurtit, kaq shumë? Ndoshta Kurti nuk dëshiron ta zgjedhë, por ja që jam i bindur që populli i Kosovës do ta zgjedhë”, tha ai para nisjes së seancës.
Abdixhiku foli edhe për 15 nënshkrimet e mbledhura nga partia e tij, duke thënë se nuk kanë treguar se për kë janë mbledhur, pasi për këtë duhet një dakordim me LVV-në, që do të plotësonte pjesën tjetër të 15 nënshkrimeve të kërkuara.
“Ai [Kurti] duhet të na tregojë nëse ka vota për Vjosa Osmanin. Unë me sa e kuptova ai do që Vjosa të jetë kundërkandidate e Ferides. Në këto rrethana ai po kërkon kundërkandidat”, tha Abdixhiku.
Ai tha se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja.