Ndërlidhjet

Kabineti qeveritar duke duartrokitur në fund të seancës për zgjedhjen e presidentit.
Kabineti qeveritar duke duartrokitur në fund të seancës për zgjedhjen e presidentit.
  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin presidentin e ri të Kosovës brenda afatit kushtetues, duke bërë që Kuvendi të shpërndahet dhe zgjedhjet mbahen brenda 45 ditësh.
  • Dy kandidatet për presidente të propozuara nga LVV, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, nuk u votuan në mungesë të kuorumit, pasi opozita refuzoi pjesëmarrjen në seancë.
  • LVV-ja ka thënë se ka bërë përpjekje për të arritur një zgjidhje për presidentin, por ofertat e tij janë refuzuar nga opozita. Partitë opozitare, ndërkaq, kanë kërkuar marrëveshje për presidentin, duke kundërshtuar idenë që LVV-ja t’i ketë tre pozitat: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
00:00 29.4.2026

Deputetët dështojnë të zgjedhin presidentin e ri, Kuvendi shpërndahet

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke bërë që Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“Sipas aktgjykimit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë”, tha kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, në fund të seancës, fiks në orën 00:00.

Pak para mbylljes së afatit, kryeministri Albin Kurti tha se “ndodhemi në këtë pikë në të cilën s’kemi çfarë të bëjmë më shumë”.

“Nuk mund të gjeni një subjekt politik më gjeneroz. Nuk ka vuajtur opozita nga oferat e mazhorancës, por nga mungesa e dëshirës së saj për çfarëdo bashkëpunimi”, tha ai.

Duke iu referuar mungesës së deputetëve të opozitës në sallën e Kuvendit ai tha se shpreson që “votuesit e tyre këtë mungesë të tyre do ta shndërrojnë në një mungesë të përhershme”.

Në seancën e 28 prillit nuk morën pjesë deputetët e opozitës, duke pamundësuar kuorumin për dy kandidatet e LVV-së për presidente: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 25 marsit, pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi duhet të organizojë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

23:56 28.4.2026

Lushaku- Sadriu: Ditë më të mira po vijnë

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka shkruar në rrjetet sociale se Kosova “ashtu siç nuk të deshën si vend, si flamur e si identitet, të përdhosën pa ndalë”.

"Ditë më të mira po vijnë", ka shkruar ajo, teksa edhe disa minuta përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

23:25 28.4.2026

Haxhiu pret që opozita të shkojë në sallë

Kryeparlamentarja Haxhiu tha se ka edhe 40 minuta kohë që deputetët e opozitës të vijnë në sallë, duke u kërkuar që të marrin pjesë në seancë.

“Unë asnjëherë s’e kam ezauruar rundin e parë”, tha Haxhiu.

Një ditë më parë, Kuvendi organizoi një votim për Feride Rushtin dhe Hatixhe Hoxhën, kandidate të LVV-së për presidente të Kosovës. Opozita nuk ishte e pranishme.

Në fund, Rushiti mori 63 vota, një ishte e pavlefshme dhe Hoxha nuk siguroi asnjë votë. Pas kësaj, Haxhiu tha se seanca do të vazhdonte sot.

Deputetët e shumicës parlamentare në seancën për presidentin. 28 prill 2026
Deputetët e shumicës parlamentare në seancën për presidentin. 28 prill 2026
23:16 28.4.2026

Nis seanca

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, rinisi seancën për zgjedhjen e presidentit.

Ajo tha se legjislatura e dhjetë është në minutat e saj të fundit, pasi "përkundër thirrjes" që deputetët e opozitës të vijnë në sallë, ata nuk janë të pranishëm.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG