Rushiti: Kandidova për të ndihmuar Kosovën që të tejkalojë ngërçin politik
Feride Rushiti, që u kandidua nga LVV-ja për presidente, gjatë një konference për media tha se ajo vendosi të kandidohej e bindur se do të ishte një figurë unifikuese dhe që do të mund të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit politik.
Ajo tha se kërkesa për kandidim erdhi nga qytetarët, shoqëria civile, viktimat e dhunës seksuale, “nga partnerët ndërkombëtarë dhe së fundi nga kryeministri Kurti”.
E pyetur se kush janë parnerët ndërkombëtarë që kërkuan kandidimin e saj, Rushiti tha se bëhet fjalë për Ambasadën britanike, ndërkaq sot ka qenë në kontakt me të ngarkuarën me punë në Ambasadën amerikane që e kanë uruar "për guximin që kam marr".
Gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, Rushiti tha se ishte e bindur se ajo ishte një nga kandidatet që është kërkuar nga Qeveria Kurti, por edhe nga partitë opozitare, si figurë jopartiake.
Ajo tha se nuk ka ambicie personale, po qëllimi i saj me këtë kandidim ishte “stabilizimi i institucioneve dhe ecje përpara për Kosovën”.
Rushiti tha se për kandidimin për presidente vendosi pasditen e së hënës.
"Asnjë moment nuk e kam ndjerë veten që jam pjesë e kalkulimeve të kryeministrit Kurti. Thjesht unë kam zgjedhë momentin e fundit, pasi e kam parë që janë konsumuar të gjitha mundësitë e mundshme dhe propozimet që janë bërë nga qeverisja Kurti", tha Rushiti.
E pyetur nëse do të jetë pjesë e listës zgjedhore të LVV-së, ajo tha se do të vazhdojë punën në organizatën e saj.
Bajrami: LVV me duartrokitje e dërgoi vendin sërish në zgjedhje
Hykmete Bajrami, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se Lëvizja Vetëvendosje me duartrokitje e dërgoi vendin përsëri në zgjedhje.
“Sepse Albin Kurti nuk do të qeverisë, ai do të sundojë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj, Kurti për të dytën herë e ka kthyer mbrapsht besimin e qytetarëve.
Shpërndahet Kuvendi
Po ju sjellim disa fotografi të shkrepura nga kamermani i REL-it, Bujar Tërstena, të reagimeve në sallën plenare pas shpërndarjes së legjislaturës së dhjetë.
PDK pas shpërndarjes së Kuvendit: U mbrojt rendi kushtetues
Në një postim në Facebook, Partia Demokratike e Kosovës tha se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit është “shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës”.
Në postim ata thanë se përpjekjet për të "imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese dështuan" dhe se "institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues u mbrojtën".
“Vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. PDK kërkon nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik”, u tha tutje në njoftim.