Ndërlidhjet

Kabineti qeveritar duke duartrokitur në fund të seancës për zgjedhjen e presidentit.
Kabineti qeveritar duke duartrokitur në fund të seancës për zgjedhjen e presidentit.
  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin presidentin e ri të Kosovës brenda afatit kushtetues, duke bërë që Kuvendi të shpërndahet dhe zgjedhjet mbahen brenda 45 ditësh.
  • Dy kandidatet për presidente të propozuara nga LVV, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, nuk u votuan në mungesë të kuorumit, pasi opozita refuzoi pjesëmarrjen në seancë.
  • LVV-ja ka thënë se ka bërë përpjekje për të arritur një zgjidhje për presidentin, por ofertat e tij janë refuzuar nga opozita. Partitë opozitare, ndërkaq, kanë kërkuar marrëveshje për presidentin, duke kundërshtuar idenë që LVV-ja t’i ketë tre pozitat: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
11:08 28.4.2026

Shtyhet seanca

Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës u shty vetëm pak minuta pas nisjes.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se punimet do të vazhdojnë nga ora 14:00.

Ajo e arsyetoi këtë duke thënë se po i pret deputetët e opozitës, që i ka ftuar të marrin pjesë në seancë.

Haxhiu tha se ky është obligim kushtetues i secilit deputet.

"E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit, pra në këtë seancë të jashtëzakonshme që e kemi nisur dje", tha Haxhiu pasi lexoi disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, opinione të Komisionit të Venecias dhe raporte të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për detyrimin e deputetëve për të qenë të pranishëm në sallë.

Kuvendi i Kosovës, 28 prill 2026.
Kuvendi i Kosovës, 28 prill 2026.
11:29 28.4.2026

Për ju që sapo jeni kyçur:

  • Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri nga ora 14:00.
  • Seanca fillimisht ishte paraparë të niste në orën 10:00, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e shtyu atë, me arsyetimin se dëshiron t’i japë kohë opozitës për të marrë pjesë.
  • Deputetët e partive opozitare nuk u futën fare në seancën e sotme. Ata e bojkotuan edhe seancën e 27 prillit, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente - Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
  • Ndonëse pa kuorumin e nevojshëm, votimi u zhvillua dhe Feride Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë. Një votë ishte e pavlefshme.
  • Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit, por pa sukses.
  • Opozita i ka cilësuar si joserioze dhe të papranueshme ofertat e Kurtit - qoftë për pjesëmarrje në Qeveri apo për postin e kryeparlamentarit - duke iu përgjigjur me bojkotim.
11:51 28.4.2026

Të dashur lexues, vazhdoni të përcillni Radion Evropa e Lirë për zhvillimet e fundit nga Kuvendi i Kosovës.

Mbulimin direkt do ta vazhdojnë Doruntina Baftiu dhe Valbona Bytyqi.

Nga unë Valona Tela, mirë mbetshi!

12:09 28.4.2026

Haradinaj thirrje VV-së të ndalë procesin, paralajmëron mobilizim qytetar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas seancës për zgjedhjen e presidentit që u bojkotua nga opozita, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për presione dhe e quajti procesin një rrugë të rrezikshme që cenon rendin kushtetues.

Ai u bëri thirrje LVV-së, deputetëve dhe kandidateve për presidente të ndalen nga ajo që e cilësoi si “puç”.

“Nuk na mbetet rrugë tjetër përpos t’i drejtohemi qytetarit, sovranit, që të mobilizohemi të gjithë dhe ta mbrojmë kushtetutshmërinë e Kosovës”, u shpreh ai.

“E kemi detyrë, e kemi obligim dhe unë besoj që sovrani e ka këtë të drejtë jetike në këtë vend. Kuptohet, me veprime që sovrani vetë i përcakton, që mund të jenë protesta apo veprime të tjera të përshkallëzimit që vlerësohen të nevojshme”, shtoi ai.

Ramush Haradinaj, lider i AAK-së.
Ramush Haradinaj, lider i AAK-së.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG