Ndërlidhjet

“Sikur jetojmë në dy realitete të ndara”: Sektori civil serb kërkon që të dëgjohet nga Qeveria e Kosovës


Pjesëtarë të shoqërisë civile serbe në Kosovë gjatë një konference për media. Nga e majta në të djathtë: Ivan Nikoliq, Aleksandar Rapajiq, Jovana Radosavleviq, Vlladan Trifiq, Darko Dimitrijeviq dhe Miodrag Milliqeviq.
Pjesëtarë të shoqërisë civile serbe në Kosovë gjatë një konference për media. Nga e majta në të djathtë: Ivan Nikoliq, Aleksandar Rapajiq, Jovana Radosavleviq, Vlladan Trifiq, Darko Dimitrijeviq dhe Miodrag Milliqeviq.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe pezullimi i veprimeve që e pengojnë punën e institucioneve serbe në vend, janë kërkesa që sektori civil serb në Kosovë i dërgoi të enjten në adresë të Qeverisë së Kosovës.

Kërkesat u bënë pasi Banka Qendrore e Kosovës - me një rregullore të posaçme, por në përputhje me Kushtetutën e Kosovës - përcaktoi që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke hequr nga përdorimi dinarin serb, por edhe pas mbylljes së disa komunave në jug të Ibrit, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë e që Kosova i konsideron të paligjshme.

Për serbët në Kosovë, heqja e dinarit është shqetësuese, sepse shumica e tyre marrin të ardhura të ndryshme nga Serbia në dinarë.

Pesë organizata joqeveritare serbe, si dhe Radioja lokale e Gorazhdecit nga rajoni i Pejës thanë në një konferencë në Prishtinë, se autoritetet e Kosovës “shkelin në mënyrë flagrante lirinë e mediave dhe sulmojnë sektorin civil”.

Si shembull për këto pretendime, ata përmendën bastisjen e policisë së Kosovës në ambientet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë, me arsyetimin se aty ofrohen “shërbime të paligjshme mjekësore”.

Mbyllja e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.
Mbyllja e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.

Redaktori i Radio Gorazhdecit, Darko Dimitrijeviq, shpalosi një sërë akuzash për sjelljen e policisë së Kosovës gjatë operacionit për mbylljen e komunës paralele të Pejës, e cila funksiononte në Gorazhdec sipas sistemit serb.

Të gjithë ata arritën në përfundimin se autoritetet e Kosovës po krijojnë një atmosferë që “inkurajon tensione ndëretnike”.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës lidhur me këto akuza, por nuk mori përgjigje.

Ambulancë për serbët në Prishtinë apo aktivitete ilegale?

Vlladan Trifiq, nga organizata joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT), tha se ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, “po vizaton shënjestra në ballë” me informacionet se zyra e kësaj qendre në Prishtinë është e angazhuar në spiunazh dhe aktivitete të paligjshme.

Ai shtoi se, në fund, kanë mbetur vetëm akuza për ofrim të “shërbimeve të paligjshme mjekësore”.

Më 31 janar të këtij viti, policia e Kosovës mbylli zyrën e Qendrës për Paqe dhe Tolerancë në qendër të Prishtinës. Ministri Sveçla shkroi në rrjetet sociale se ajo e ka “rrezikuar sigurinë”, por pa shpjeguar se si.

Dyert e mbyllura të Qendrës për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.
Dyert e mbyllura të Qendrës për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.

Kjo zyrë ekzistonte nga viti 1999 dhe, sipas Qendrës për Paqe dhe Tolerancë, shërbente si vend grumbullimi dhe shoqërimi kryesisht për serbët e mbetur në Prishtinë.

“Është e vërtetë që qendrën e kanë vizituar herë pas here mjekë, të cilët ua kanë matur tensionin dhe kolesterolin të moshuarve të mbetur serbë. Aktualisht, në Prishtinë jetojnë shtatë serbë, të cilët i kanë shfrytëzuar ekskluzivisht shërbimet e asaj qendre, në mënyrë që mjekët t’ua matin tensionin e gjakut dhe t’u japin rekomandime për trajtim të mëtutjeshëm”, tha Trifiq.

Këtë qendër e vizitonin më së shumti mjekë të Qendrës Shëndetësore të Prishtinës, e cila punon sipas sistemit serb dhe është e vendosur në Graçanicë - njërën nga komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit.

Krahas kësaj qendre shëndetësore, në zonat me shumicë serbe në Kosovë të gjitha institucionet shëndetësore punojnë nën sistemin e Serbisë dhe Kosova i konsideron si të paligjshme.

Por, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha më 7 shkurt se ka marrë garanci nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se ato do të vazhdojnë të punojnë si më parë.

Radio Gorazhdeci: Policia ndaloi filmimin e aksionit me kërcënime

Një sërë akuzash ndaj policisë së Kosovës bëri edhe redaktori i Radio Gorazhdecit, Darko Dimitrijeviq, i cili tha se krijohet përshtypja se “kundër serbëve po bëhet një fushatë” dhe se kushdo që është serb, “është i dyshimtë dhe bën diçka ilegale”.

Ai tha se gjatë aksionit në Gorazhdec, më 2 shkurt - kur u mbyll komuna e Pejës, e cila funksiononte sipas sistemit serb - policia e Kosovës kërcënoi dhe ndaloi xhirimet, edhe pse, sipas tij, ata janë gjendur në terren publik dhe kanë pasur leje si gazetarë.

Ai nuk deklaroi publikisht se cilat ishin kërcënimet, por tha se të gjitha provat i janë dërguar Inspektoratit të Policisë së Kosovës, deputetëve evropianë dhe institucioneve tjera.

“Më ka mbetur shije e hidhur në gojë, sesi policia e kërcënonte redaksinë tonë gjatë gjithë kohës që të mos fotografonte apo dokumentonte. E, pas përfundimit të aksionit, në portale të shumta të Prishtinës u shfaqën fotografi dhe video ekskluzive, të bëra nga policia. Ajo që ndodhi në Gorazhdec, mua më është dukur si fushatë qeveritare kundër komunitetit të vogël serb, që jeton plotësisht i integruar në Pejë”, tha Dimitrijeviq.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këto akuza.

Në dy raste në rrjetet sociale, ministri Sveçla publikoi video të aksionit të policisë për mbylljen e komunave që punojnë paralelisht në sistemin serb, duke thënë se kjo i jep fund funksionimit të paligjshëm të institucioneve serbe.

Kërkesat iu dërguan Qeverisë së Kosovës

Në emër të sektorit civil serb foli edhe Jovana Radosavleviq, nga organizata joqeveritare Iniciativa e Re Sociale, e cila tha se, me gjithë përpjekjet, institucionet e Kosovës nuk i dëgjojnë thirrjet e komunitetit serb.

“Sikur jetojmë në dy realitete të ndara”, tha ajo dhe paraqiti një sërë kërkesash drejtuar Qeverisë së Kosovës, kryesorja e të cilave ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u pajtuan në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetëson Bashkimi Evropian, qysh në vitin 2013. Ai do të duhej t’i ofronte autonomi më të madhe pakicës serbe në Kosovë.

Kosova refuzoi ta themelonte Asociacionin, me arsyetimin se mund të jetë i dëmshëm për funksionalitetin e brendshëm, por, me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare, në tetor të vitit të kaluar, palëve iu paraqit një draft-statut i ri, i hartuar nga Bashkimi Evropian.

Dokumenti për formimin e Asociacionit, përveç tjerash, parasheh zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura, përfshirë financimin e disa institucioneve nga Serbia dhe funksionimin e tyre.

Sektori civil serb kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’i njohë problemet e paraqitura nga komuniteti serb dhe të mos ndërmarrë veprime pa u konsultuar me personat që preken drejtpërdrejt.

“Fije të këputura” mes serbëve dhe institucioneve të Kosovës

Drejtori i organizatës joqeveritare Aktiv, Miodrag Milliqeviq, tha se duhet urgjentisht të lidhen “fijet e këputura” me institucionet e Kosovës dhe komunitetin shumicë shqiptar.

Sipas tij, komuniteti serb në Kosovë nuk ka qenë kurrë në pozitë më të keqe.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Milliqeviq tha se sektori civil po bën përpjekje të mëdha për të ruajtur dialogun ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, sepse ekzistojnë interesa të përbashkëta.

“Kjo që po ndodh sot, lidhet më shumë me vendimet politike të Qeverisë së Kosovës dhe aty qëndron problemi më i madh, sepse po thellohen ndasitë etnike mes serbëve dhe shqiptarëve”, tha Milliqeviq.

Bashkësia ndërkombëtare i dënoi veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës dhe kërkoi që të gjitha çështjet e hapura, të zgjidhen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha më 4 shkurt se lëvizjet e fundit të Prishtinës zyrtare po rrisin tensione të panevojshme etnike dhe se po e pengojnë SHBA-në të lobojë për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ai theksoi se i takon Qeverisë që të promovojë Kosovë multietnike dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj.

Përgatiti: Valona Tela

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG