Ndërlidhjet

Përtej kufirit, në këmbë e me autobusë për të mbështetur Vuçiqin


Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe nënkryetari Listës Serbe, Milan Radojçiq, takuan më 22 maj në qytetin serb Ljig, një grup serbësh nga Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut që po ecin këmbë për në Beograd për të marrë pjesë në tubimin e 26 majit
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe nënkryetari Listës Serbe, Milan Radojçiq, takuan më 22 maj në qytetin serb Ljig, një grup serbësh nga Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut që po ecin këmbë për në Beograd për të marrë pjesë në tubimin e 26 majit

Transport i organizuar falas, presion për pjesëmarrje, lista të punonjësve që duhet të marrin pjesë në tubim, por edhe vullnet i disave për të mbështetur udhëheqësin serb.

Informacionet e tilla janë duke përcjellë përgatitjet dhe organizimin e një mitingu, që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka paralajmëruar për të premten në Beograd.

Një javë më herët, rreth njëzet serbë nga Kosova janë nisur në këmbë drejt Beogradit, për të qenë të pranishëm në adresimin e tij.

Profesorët e një shkolle në Mitrovicën e Veriut, siç i është thënë Radios Evropa e Lirë, janë në listën e atyre që “duhet” të jenë në Beograd.

Në mbështetje të Vuçiqit, edhe disa shoqata nga Maqedonia e Veriut dhe entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, janë duke organizuar autobusë pa pagesë.

Pas dy vrasjeve masive në Serbi në fillim të majit, opozita ka organizuar dy protesta në Beograd me sloganin “Serbia kundër dhunës”. Dhjetëra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në to.

Ata kanë kërkuar mbylljen e televizioneve me frekuencë kombëtare, të tilla si Pink dhe Happy, që pretendohet se nxisin dhunë, pastaj dorëheqjen e ministrit të Policisë, Bratisllav Gashiq, dhe të kreut të Agjencisë së Sigurimit, Aleksandar Vulin, ndalimin e menjëhershëm të programeve të njohura si “reality show” dhe zëvendësimin e anëtarëve të këshillit REM - Organi rregullator për mediat elektronike.

Protestat në Beograd, sipas Vuçiqit, janë përpjekje për të keqpërdorur pikëllimin dhe “për të shkatërruar gjithçka serbe”.

Ai ka vendosur të organizojë një tubim, të cilin e ka paralajmëruar si më të madhin në historinë serbe, e në të cilin do të flasë edhe vetë.

Në këmbë deri në Beograd

Disa serbë nga Kosova do të ecin për nëntë ditë nga komuna e Leposaviqit - në veri të Kosovës - deri në Beograd, për të mbështetur presidentin e Serbisë në, siç thonë, përpjekjet e tij për ta shpëtuar Serbinë.

Me flamuj serbë, ata kanë veshur bluza në të cilat shkruan: “Serbët nga Kosova dhe Metohia për Serbinë, për Vuçiqin”. Ata kanë nisur ecjen në këmbë para një jave, ndërsa u kanë mbetur edhe dy ditë për të arritur në Beograd.

“Ky është vetëm një gjest i vogël, jemi 12 nga Leposaviqi dhe 11 nga Mitrovica. Rruga është e gjatë. Dua t’iu uroj djemve shëndet të mirë dhe shpresoj se do të arrijmë për nëntë ditë në tubimin mbështetës për presidentin Vuçiq”, ka thënë Dejan Marjanoviq nga Leposaviqi fare në fillim të turneut.

Sipas informacioneve që ka REL-i, kuota e njerëzve që duhet të shkojnë në tubimin e presidentit të Serbisë të premten, duhet të plotësohet nga secila prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Këtë informacion e ka konfirmuar një mësuese e një shkolle fillore në Mitrovicën e Veriut, por me kusht që të mos i zbulohet identiteti. Ajo ka thënë se gjendet në listën e njerëzve që duhet të udhëtojnë për në Beograd të premten. Sipas saj, transporti do të jetë i organizuar dhe pa pagesë.

“Na kanë thënë se nga shkolla jonë duhet të shkojnë 50 punonjës. Këtë e kam marrë si obligim pune. Nuk na ka kërcënuar askush, jemi marrë vesh mes vete. Transporti është i organizuar, por nuk e dimë ende se kur do të nisemi”, ka thënë kjo bashkëbiseduese e REL-it.

Situata është gati identike edhe në zonat e tjera me shumicë serbe, si në jug, ashtu edhe në veri të lumit Ibër, konfirmojnë burime të REL-it, të punësuara në institucionet arsimore dhe shëndetësore.

Këto dy institucione në mjediset me shumicë serbe në Kosovë punojnë sipas sistemit serb dhe financohen nga buxheti i Serbisë. Përveç pagës së rregullt mujore, këta punëtorë marrin edhe të ashtuquajturën shtojcë të Kosovës, gjegjësisht edhe 50 për qind të pagës bazë.

REL-i ka pyetur drejtorin e Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek, dhe shefin e administratës së shkollës, Ivan Zaporozhac, në lidhje me “përmbushjen e kuotave” dhe “detyrimin e punëtorëve” që të marrin pjesë në tubimin e thirrur nga Vuçiqi.

Vetëm Ellek është përgjigjur shkurtimisht, duke thënë se ky është “informacion absolutisht i pasaktë”. I pyetur nëse transporti është ende i organizuar për ata që duan të shkojnë, Ellek ka thënë: “Kush do vullnetarisht, po”.

Pronari i një kompanie private për transportimin e udhëtarëve nga Ferizaji - komunë rreth dyzet kilometra në jug të Prishtinës - ka konfirmuar se më 23 maj ka pasur kërkesë për transport për në Beograd, por se nuk ka pasur pajtim për çmimin.

Ai nuk ka mundur të thotë se kush e ka kontaktuar saktësisht, por se i është thënë se janë të interesuar që t’i marrin të gjithë autobusët që ka.

Edhe një kompani tjetër ka konfirmuar për REL-in se është kontaktuar, por se nuk ka pasur autobusë të mjaftueshëm.

Paralajmërime për pjesëmarrje në mitingun në Beograd ka pasur edhe nga përfaqësuesit e malazezëve në Kosovë. Kryetari i Partisë Liberale Malazeze të Kosovës, Radoman Doderoviq, ka thënë se kryesia, anëtarët dhe votuesit e kësaj partie do të jenë në numër të madh në tubimin e 26 majit.

“Të gjithë do të shkojmë në tubimin në mbështetje të Serbisë sonë”, ka thënë Doderoviq.

Edhe nga Maqedonia e Veriut me autobusë falas

Në Maqedoninë e Veriut janë rezervuar gjashtë autobusë falas, që do të nisen për në Beograd, herët në mëngjesin e së premtes. Rreth 300 qytetarë maqedonas nga Shkupi, Kumanova, Tetova dhe Negotini do të shkojnë për të mbështetur presidentin e Serbisë.

Katër autobusët që do të mbushen nga organizata joqeveritare e Shkupit “Paqe, harmoni dhe stabilitet”, e që do të nisen për në Serbi, nuk financohen nga Qeveria e Serbisë. Ky udhëtim po organizohet nga shoqata me para nga anëtarësimi dhe me donacione nga disa individë, i është thënë Radios Evropa e Lirë.

Kryetari i shoqatës, Dimitrije Nediq, ka thënë se “do të përkrahë një njeri që i mbron interesat maqedonase dhe serbe”.

“Ne do të mbështesim këdo që mbron interesat e popullit serb dhe maqedonas. Faleminderit Zotit, ky tani është Vuçiqi. Ky është mandati i tij i fundit. Mbështetje mund të ketë edhe për presidentin e ardhshëm, i cili mund ta ndjekë të njëjtën rrugë si Vuçiqi”, ka thënë Nediq për REL-in.

Këshilltari i Komunës së Kumanovës, Mirosllav Triçkoviq, ka thënë se do të paguajë nga xhepi i tij një ose dy autobusë, në mënyrë që simpatizantët maqedonas të arrijnë në tubimin e Vuçiqit, por nuk ka treguar se sa do t’i kushtojë ky udhëtim.

“Unë dhe miqtë e mi e kemi marrë një autobus me qira dhe po shkojmë në Beograd. Nuk ka asgjë për të fshehur, asgjë sekrete. Nëse do ta kisha mbështetjen e SNS-së [Partisë Përparimtare Serbe] apo të Qeverisë së Serbisë, apo të kujtdo nga Serbia, do të ishin jo dy, por dyqind autobusë që do të shkonin nga Maqedonia [e Veriut]”, ka thënë Triçkoviq.

Çmimi i biletës së autobusit në një drejtim nga Shkupi për në Beograd është 25 euro, që do të thotë se për këtë “udhëtim falas” për në Beograd, të premten do të shpenzohen së paku 15.500 euro.

Edhe Triviq, edhe Dodik

Qeveria dhe opozita e Republikës Sërpska kanë rënë dakord për një gjë - ta mbështesin udhëheqësin serb kur ai t’i drejtohet kombit nga Beogradi të premten.

Në mesin e atyre që do të udhëtojnë drejt kryeqytetit serb është edhe presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe udhëheqësja e Frontit Kombëtar të opozitës, Jellena Triviq.

Deri më tani, rreth dhjetë autobusë nga Republika Sërpska kanë njoftuar se do të nisen për në Beograd, mëngjesin e së premtes. Ata financohen nga Partia Sërpska e Bashkuar dhe për këtë udhëtim do të ndajnë, siç kanë thënë, mjete nga buxheti i tyre.

“Kemi marrëveshje për bashkëpunimin e grupeve parlamentare, respektojmë gjithçka që është bërë për Republikën Sërpska. Nëse të tjerët do të kishin bërë diçka të tillë, do të kishin treguar empati dhe respekt, ne do të kishim shkuar te të tjerët, por ata nuk e kanë bërë këtë”, ka thënë Nenad Stevandiq, president i Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, për Radion Evropa e Lirë.

Radosavleviq: E parë tashmë në kohën e Millosheviqit

“Meqenëse mjeshtri i jetës politike në Serbi [Aleksandar Vuçiq] është tronditur, ai po kapet për çdo fije kashte dhe po përpiqet të tregojë se është interpretuesi i vetëm autentik i interesave kombëtare serbe”, thotë profesori në Universitetin e Novi Sadit, Dushko Radosavleviq, për Radion Evropa e Lirë.

Një gjë e tillë, thotë ai, është jo vetëm e gabuar, por edhe kundërproduktive.

“Një problem edhe më i madh është përdorimi, nxitja dhe futja e një problemi të brendshëm politik në Serbi - që është zgjedhja e drejtimit në të cilin do të lëvizë në të ardhmen - në vendet ku jetojnë serbët, qoftë si anëtarë të kombit përbërës, siç është rasti në Bosnje e Hercegovinë, ose si pakicë në Kroaci, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut”, thotë Radosavleviq.

Ai beson se e vetmja shenjë e vetëdijes dhe përgjegjësisë së lartë politike, është se serbët nga Kroacia nuk pajtohen me këtë lloj të “shantazhit politik”. Sipas tij, ata kanë një udhëheqje më të pjekur dhe më të balancuar evropiane, me në krye Millorad Pupovacin dhe Këshillin Kombëtar Serb.

“Në të gjitha rastet e tjera bëhet fjalë për një sistem gjykatash të ndërlidhura. Millorad Dodik e di se nuk mund të qëndrojë gjatë në pushtet, kur i bie shefi i tij kryesor nga Beogradi”, thotë Radosavleviq.

Ai beson se është edhe më i rrezikshëm fakti që Republika Sërpska, si dhe serbët nga Kosova dhe Mali i Zi nuk duan të krijojnë dhe zbatojnë politika me njerëzit që jetojnë në shtetet e tyre.

“Në vend të kësaj, ata duan që një njeri nga Beogradi të negociojë në emër të tyre dhe për fatin dhe të ardhmen e tyre, sikur të mos kenë pasur përvojë me politikën e Sllobodan Millosheviqit dhe atë që ai u ka bërë serbëve përtej Drinës”, thotë Radosavleviq.

Ai shpreh bindjen se lëvizjet e këtij lloji, do të ndikojnë keq në situatën në vendet e tjera të rajonit.

“Unë jam përkrahës i idesë së mençur të Marko Nikeziqit [kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Serbisë] kur ai u ka thënë serbëve në Sarajevë, në fillim të viteve 1970: ‘Këtu është udhëheqja juaj, Bosnje dhe Hercegovina është vendi juaj. Aty zgjidhini problemet tuaja’. Kemi një situatë, ku serbët jashtë Serbisë përdoren si një faktor përçarës në vendet ku jetojnë - gjë që u jep të djathtëve të tjerë një justifikim të shkëlqyeshëm për t’i akuzuar ata për destabilizim”, përfundon Radosavleviq.

Opozita serbe akuzon për presion, OJQ-të kërkojnë që tubimi të anulohet

Partitë opozitare në Serbi akuzojnë partinë e Vuçiqit për presione dhe kërcënime ndaj punonjësve të institucioneve shtetërore, për të marrë pjesë në tubim.

Verolub Stevanoviq, deputet i opozitës në Parlamentin e Serbisë dhe ish-kryetar i Komunës së Kragujevcit, ka thënë se presioni i Partisë Përparimtare Serbe mbi punonjësit e sektorit publik në këtë qytet të Serbisë qendrore, po intensifikohet.

“Kuota për Kragujevcin është rreth 9 mijë, me sa di unë. Është e qartë se SNS-ja dëshiron të mbajë një tubim të madh në një mënyrë që nuk është e pranueshme”, ka thënë Stevanoviq.

Sipas disa partive opozitare, ajo që bën SNS-ja për t’i mobilizuar qytetarët nën presion, është vepër penale, për të cilën parashikohen edhe dënime me burg.

Ndërkohë, një grup i organizatave të shoqërisë civile i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 23 maj, që ta anulojë tubimin në interes të uljes së tensioneve dhe parandalimit të përçarjeve të mëtejshme në shoqëri.

“Të vetëdijshëm për rrezikun në të cilin çon rritja e tensioneve dhe polarizimi i mëtejshëm i shoqërisë - që është reflektuar me pasoja të dhunës në një formë që vendi ynë nuk e ka njohur deri më tani - ju bëjmë thirrje që të veproni me përgjegjësi, me arsye dhe në interesin më të mirë të numrit më të madh të qytetarëve, dhe ta anuloni tubimin masiv të paralajmëruar për 26 maj”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga dhjetë organizata.

Në deklaratë theksohet, gjithashtu, se në situatën në të cilën ndodhet Serbia, thellimi i ndarjeve mes qytetarëve është më së paku i nevojshëm.

Sipas Vuçiqit, tubimi i së premtes “nuk është për urrejtje, protestë dhe zemërim”, por për “njerëzit e zakonshëm, të mirë të Serbisë dhe për ata që duan t’i mbështesin ata që kanë humbur të dashurit e tyre”.

Partia e tij e ka quajtur tubimin “Serbia e shpresës”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG