Ndërlidhjet

Në Serbi dënohet një anëtar i grupit që dyshohet për lidhje me sabotimet ruse në Evropë

Ndërtesa e Gjykatës së Lartë në Suboticë, ku D.A. u dënua më 11 shtator 2026. Foto arkivi.
Ndërtesa e Gjykatës së Lartë në Suboticë, ku D.A. u dënua më 11 shtator 2026. Foto arkivi.

Gjykata e Lartë në Suboticë të Serbisë e ka dënuar me një vit burgim, të cilin do ta vuajë në shtëpi, një person nga grupi që dyshohet për lidhje me eksplozivin e gjetur në prill pranë kufirit serbo-hungarez dhe me sabotime në vendet e Bashkimit Evropian për llogari të Rusisë.

Sipas vendimit gjyqësor të anonimizuar, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë (REL), personi me inicialet D.A. është dënuar pasi kishte pranuar të transportonte një dron luftarak me rreze të gjatë veprimi, të pajisur me mekanizma shpërthyes, punë për të cilën do të paguhej 500 euro.

Ai është pjesë e një grupi të organizuar prej shtatë personash, për të cilin Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë ka njoftuar më herët se “siguronte dhe magazinonte eksploziv, pajisje shpërthyese dhe dronë në territorin e Serbisë, të cilët më pas i transportonte drejt vendeve të Bashkimit Evropian”.

Mes tyre janë edhe shtetasit serbë Danillo B. dhe Sllobodan Gj., për të cilët mediat gjermane kanë raportuar javët e fundit se dyshohet se planifikonin vendosjen e eksplozivit në Gjermani për llogari të Rusisë.

Çfarë thuhet në vendimin gjyqësor?

D.A. arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Lartë Publike në Suboticë më 8 shtator. Tri ditë më vonë, gjykata në këtë qytet në veri të Serbisë e shpalli vendimin.

Sipas tij, D.A. u dënua për veprën penale të prodhimit, mbajtjes, bartjes dhe trafikimit të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese, të kryer në bashkëpunim.

Në vendim janë fshehur të gjitha të dhënat personale të të dënuarit, si dhe identitetet e personave të tjerë dhe emrat e vendeve të përmendura në përshkrimin e ngjarjes. Nga të dhënat e bëra publike rezulton se D.A. është pensionist dhe nuk ka qenë i dënuar më parë.

Sipas vendimit, “nga një ditë e papërcaktuar gjatë muajit maj 2026 deri më 29 maj”, ai, në marrëveshje me tre persona të tjerë, kishte bartur pa autorizim “një mjet shpërthyes me fuqi të madhe shkatërruese”, për të cilin nuk kishte leje nga organi kompetent.

Bëhet fjalë për një dron luftarak me rreze të gjatë veprimi, të tipit FPN, i cili drejtohet përmes një lidhjeje video pa tela.

Sipas vendimit, droni kishte një bateri furnizimi, një ndezës mekaniko-elektrik për aktivizimin e ngarkesës shpërthyese dhe një mbajtëse për këtë ngarkesë.

Dy nga të dyshuarit e kishin angazhuar D.A. që, kundrejt 500 eurove, ta transportonte mjetin shpërthyes me një automjet mallrash.

Destinacioni përfundimtar është fshehur në versionin e anonimizuar të vendimit. Megjithatë, në të thuhet se D.A. e kishte dërguar armën në destinacionin e përcaktuar dhe ia kishte dorëzuar njërit prej të dyshuarve më 29 maj, në orën 17:20.

Njëri prej të dyshuarve që e kishte angazhuar D.A. për këtë transport, sipas vendimit, “kishte pranuar paraprakisht një ofertë nga një person ende i panjohur”.

Në vendim thuhet gjithashtu se D.A. punonte si shofer kamioni, me kontratë për kryerjen e shërbimeve, në një kompani private në pronësi të njërit prej të dyshuarve. Ai u dënua me një vit burgim, të cilin do ta vuajë në shtëpi.

Në dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 6 gushti.

Çfarë dihet për incidentin pranë kufirit serbo-hungarez?

Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë njoftoi në fund të gushtit se po hetonte shtatë persona, përfshirë D.A., për eksplozivin e gjetur në prill në territorin e komunës së Kanizhës, pranë kufirit mes Serbisë dhe Hungarisë.

Incidenti ndodhi pranë gazsjellësit Rrjedha Turke, përmes të cilit gazi rus dërgohet në Hungari, një javë para zgjedhjeve të 12 prillit në atë vend.

Në ato zgjedhje, kryeministri Viktor Orban humbi pushtetin pas 16 vjetësh. Orban, i cili kishte kultivuar lidhje të ngushta me Kremlinin, e akuzoi tërthorazi Ukrainën për tentim sabotimi, ndërsa Beogradi zyrtar e hodhi poshtë këtë mundësi.

Agjencia e Sigurisë Ushtarake e Serbisë njoftoi më 5 prill se ishin gjetur eksploziv dhe pajisje për përgatitjen e tij për kryerjen e një sabotimi.

Prokuroria në Suboticë tha se ishin gjetur dy çanta shpine me rreth katër kilogramë të një lënde që dyshohej të ishte eksploziv plastik.

Sipas prokurorisë, gjatë hetimit ishte zbuluar një “grup i organizuar që siguronte dhe magazinonte eksploziv, pajisje shpërthyese dhe dronë në territorin e Serbisë, të cilët më pas i transportonte drejt vendeve të BE-së”.

Dyshimet për lidhje me shërbimet ruse

Ndërkohë, në qershor, pranë Suboticës, në rrugën drejt kufirit hungarez, u arrestuan Danilo B. dhe Sllobodan Gj.

Autoritetet serbe nuk kanë bërë të ditur se për çfarë dyshohen konkretisht. Megjithatë, mediat gjermane kanë raportuar se dy shtetasit serbë dyshohet se ishin angazhuar nga shërbimet ruse të inteligjencës si “agjentë për një përdorim” dhe se kishin planifikuar vendosjen e eksplozivit në Gjermani.

Si funksionojnë agjentët “njëpërdorimësh” të Rusisë? Si funksionojnë agjentët “njëpërdorimësh” të Rusisë?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:43 0:00

Në një raport të gazetës gjermane Bild, të publikuar në korrik, thuhet se eksplozivi ishte gjetur në bagazhet e të dyshuarve, por se nuk ishte e qartë cili ishte objektivi i planifikuar i sulmit.

Sipas këtij raportimi, hetuesit besojnë se objektivi mund të ketë pasur lidhje me prodhimin ose dërgimin e pajisjeve ushtarake në Ukrainë.

Bild ka shkruar gjithashtu se informacionet e autoriteteve gjermane të sigurisë dhe të shërbimeve të inteligjencës kishin qenë vendimtare për arrestimin e tyre.

Policia dhe prokuroria gjermane nuk e kanë komentuar këtë rast për REL-in.

Në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Suboticë të 31 gushtit, Danillo B. dhe Sllobodan Gj. përmenden mes personave që po hetohen lidhur me eksplozivin e gjetur pranë gazsjellësit, afër kufirit serbo-hungarez.

Në fillim të gushtit, në aeroportin Lajpcig/Hale në Gjermani u gjet një dron me një pajisje shpërthyese pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave.

Duke iu referuar burimeve nga hetimi, revista gjermane Der Spiegel raportoi në fillim të shtatorit se hetuesit gjermanë po shqyrtonin kontaktet e mundshme të Danillo B. dhe Sllobodan Gj. me një person të përfshirë në hetimin për tentativën e sulmit në Lajpcig.

Sipas mediave gjermane, njëri prej të dyshuarve për këtë incident është shtetasi rus Oleg L., i cili dyshohet për lidhje me shërbimin rus të inteligjencës ushtarake, GRU.

Sipas këtyre raportimeve, pas qëndrimit në Gjermani, ai kishte udhëtuar në Serbi e më pas në Rusi. Për pjesëmarrje në këtë tentativë sulmi dyshohet edhe shtetasi bjellorus Andrej K.

Për rastin foli së fundmi edhe senatorja amerikane Jeanne Shaheen, në një intervistë për REL-in. Ajo tha se Serbia kishte shërbyer si “pikë kalimi” për rusët e përfshirë në tentativën e sulmit në Lajpcig.

Njëri prej të dyshuarve lidhet edhe me zjarrvënien në një qendër logjistike të kompanisë DHL në Lajpcig, në korrik të vitit 2024.

Procedurat gjyqësore ndaj personave që dyshohet se lidhen me atë sabotim po zhvillohen në Poloni dhe Lituani.

Njëri prej të akuzuarve është shtetasi rus Aleksandar Bezrukavji, i cili u ekstradua nga Bosnja e Hercegovina.

Dënime për spiunazh në favor të Rusisë

Në fund të vitit 2025, një gjykatë në Serbi dënoi tre persona për spiunazh në favor të Rusisë dhe për shkaktimin e incidenteve kundër komuniteteve hebraike dhe myslimane në Francë dhe Gjermani.

Tre shtetasit serbë – Aleksandar Saviq, Fillip Petroviq dhe Nemanja Qevap – u arrestuan së bashku me tetë të dyshuar të tjerë në shtator të vitit 2025 në Smederevë, pranë Beogradit.

Në vendimet gjyqësore, në të cilat REL-i ka pasur qasje, thuhet se grupi kishte kryer katër operacione kundër komuniteteve fetare hebraike dhe myslimane nga prilli deri në shtator të vitit 2025, me qëllim rritjen e tensioneve në Gjermani dhe Francë.

​
XS
SM
MD
LG