Ndërlidhjet

Presidenti afgan i adresohet kombit teksa talibanët vazhdojnë ofensivën


Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u zotua se nuk do të heqë dorë nga “arritjet” që janë bërë në 20 vjetët e fundit, teksa talibanët sulmuan një qytet të madh në veri të vendit dhe raportohet se kanë bërë përparime edhe në pjesë të tjera të vendit. Ky njoftim vjen po ashtu në kohën kur në Kabul arritën trupat amerikane për të asistuar në evakuimin e civilëve.

Paraqitja e parë publike e Ghanit më 14 gusht erdhi në kohën kur talibanët nisën sulmin ndaj qytetit Mazar-e Sherif dhe është raportuar se kanë marrë kontrollin e dy kryeqyteteve të tjera provinciale, jo shumë larg Kabulit.

Gjatë adresimit të tij televiziv, Ghani tha se po konsultohet me liderët lokalë dhe partnerët ndërkombëtarë për situatën në vend. Ai nuk njoftoi se do të japë dorëheqjen edhe pse një gjë e tillë është spekuluar nga disa vëzhgues.

“Si presidenti juaj, fokusi im është të parandaloj që të ketë paqëndrueshmëri të mëtejme, dhunë dhe zhvendosje të qytetarëve”, tha Ghani.

Ai po ashtu tha se “rimobilizimi i forcave të armatosura është top-prioritet”.

Këto deklarata të tij erdhën disa orë pasi talibanët nisën sulmin ndaj qytetit Mazar-e Sharif, qytet i madh në veri të Afganistanit, që ndodhet rreth 100 kilometra larg kufirit me Uzbekistanin.

Zabihullah Mujahid, zëdhënës i talibanëve, tha për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë se qyteti po sulmohej nga katër drejtime. Ky pretendim më vonë u konfirmua edhe nga Munir Ahmad Farhad, zëdhënës i guvernatorit provincial të provincës, Balkh, ku gjendet qyteti Mazar-e Sharif.

Zëdhënësi i policisë në Balkh Adel Shah Adel tha për Radio Azadi se përleshjet janë zhvilluar në tri zona dhe se pozicionet talibane janë sulmuar edhe nga ajri. Ai tha se në mesin e talibanëve ka viktima.

Ghani kishte qëndruar në Mazar-e Sharif – qytet me rreth 500 mijë banorë – më 11 gusht, ku ishte takuar me komandantë të milicive, përshirë edhe Abdul Rashid Dostum dhe Ata Mohammad Noor, që udhëheqin mijëra luftëtarë.

Rrëfimet e afganëve: Talibanët po rrëmbejnë vajza për martesa me detyrim
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:26 0:00

Më 14 gusht, talibanët morën nën kontroll Sharana, kryeqytetin e provincës Paktika që gjendet në juglindje të vendit. Talibanët po ashtu tash kanë nën kontroll edhe Asadabad, kryeqytetin e provincës Kunar.

Këto përparime të reja e sjellin numrin në 20 të kryeqyteteve provinciale që talibanët kanë nën kontroll.

SHBA-ja ndihmon në evakuimin e civilëve

Luftimet e reja vijnë teksa grupi i parë i mijëra prej 3.000 forcave amerikane po dërgohen në Afganistan për të ndihmuar në evakuimin e stafit të Ambasadës amerikane.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se shumica e 3.000 trupave shtesë do të arrijnë në Afganistan deri më 15 gusht dhe “do të jenë në gjendje të zhvendosin mijëra persona brenda ditës” nga Afganistani.

Trupat amerikane po arrijnë në Afganistan teksa ofensiva e talibanëve është përshpejtuar ditëve të fundit, ku talibanët kanë arritur të marrin nën kontroll Heratin në veri dhe Kandaharin në jug të Afganistanit.

Më 13 gusht, kryengritësit gjithashtu morën kontrollin e kryeqyteteve të provincave Zabul dhe Uruzgan në jug, ndërkaq edhe kryeqyteti i provincës perëndimore Ghore ka rënë nën kontrollin e talibanëve.

Po ashtu, qyteti Pul-e Alam është nën kontrollin e forcave talibane, vetëm disa ditë pasi militantët morën kontrollin e qytetit të afërm Ghazni. Nëpër të dyja këto qytete kalojnë rrugët që çojnë për në Kabul.

Me rënien e Kandaharit – qytetit të dytë më të madh afgan – dhe Heratit – qytetit të tretë më të madh në Afganistan – është shtuar frika se sulmi ndaj Kabulit do të ndodhë në ditët në vijim.

Kirby e ka pranuar se luftëtarët talibanë duket se po tentojnë ta izolojnë qytetin, por ai tha se kryeqyteti talibanë nuk ishte “ambient nën kërcënim të afërt”.

Ofensiva e shpejt e talibanëve erdhi pasi trupat ndërkombëtare, të udhëhequra nga SHBA-ja po tërhiqen nga vendi dhe do ta përfundojnë këtë proces më 31 gusht. Ky afat për tërheqjen e trupave u vendos pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden njoftoi në prill se ai po i jepte fund përfshirjes së shtetit të tij në luftën pothuajse 20-vjeçare.

Biden, që më 13 gusht bisedoi me ekipin e tij për siguri kombëtare lidhur me situatën në Afganistan, po përballet me kritika, kryesisht nga republikanët në Kongres, të cilët kanë thënë se tërheqja nga Afganistani është gabim dhe një veprim i planifikuar keq.

Lideri i opozitës në Senat, republikani Mitch McConnell tha më 13 gusht se Shtetet e Bashkuara duhet të nisin të kryejnë sulme ajrore ndaj talibanëve dhe të ofrojnë mbështetje për forcat afgane.

“Nuk është vonë për të parandaluar që talibanët ta marrin Kabulin”, tha McConnell në një deklaratë.

“Administrata duhet të lëvizë shpejt dhe të ndalojë përparimet e talibanëve përmes sulmeve ajrore, duke ofruar mbështetje kritike për forcat afgane që po e mbrojnë kryeqytetin dhe duke parandaluar rënien e qytetit”, shtoi ai.

Nëse administrata e Bidenit nuk bën një gjë të tillë, sipas McConnell, do të rritet kërcënimi i sigurisë së SHBA-së dhe “kostoja humanitare ndaj afganëve të pafajshëm do të jetë katastrofike”.

Biden ka qëndruar pas vendimit të tij për të tërhequr trupat, duke thënë se Shtetet e Bashkuara që një kohë të gjatë e kanë arritur qëllimin, që ka qenë mposhtja e Al-Kaidës pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001 dhe ka hedhur poshtë qëndrimin se marrja nën kontroll e Afganistanit nga talibanët është “e pashmangshme”.

Më shumë se 300.000 trupa afgane, të trajnuara nga amerikanët “duhet të luftojnë për veten e tyre, të luftojnë për shtetin e tyre”, ka thënë Biden më herët gjatë javës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres më 13 gusht ka shprehur shqetësimin për situatën dhe u ka bërë thirrje talibanëve që të ndalojnë ofensivën dhe “të negociojnë”.

“Mesazhi nga komuniteti ndërkombëtar për ata që janë në luftë duhet të jetë i qartë: marrja e pushtetit përmes forcës ushtarake është një pozicion humbës. Një gjë e tillë vetëm do ta prolongojë luftën civile ose do ta izolojë komplet Afganistanin”, tha Guterres.

Guterres po ashtu tha se ishte i shqetësuar nga raportimet për trajtimin e keq të grave në zonat e kontrolluara nga talibanët.

“Është veçanërisht tmerruese të shohësh raporte që të drejtat e grave dhe vajzave afgane, të fituara me mund, po iu merren”, tha Guterres.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG