Ushtria amerikane njoftoi se ka kryer sulme kundër shënjestrave në Iran të premten, në përgjigje të sulmit të Teheranit ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Këto zhvillime të reja përbëjnë kërcënim për armëpushimin e brishtë të arritur mes Uashingtonit dhe Teheranit ditë më parë.
"Forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) kryen sulme kundër Iranit më 26 qershor, si përgjigje e fuqishme ndaj sulmit të djeshëm mbi një anije tregtare që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit", tha ushtria amerikane në rrjetet sociale.
Sulmet ndodhën pak pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tha gazetarëve: "Do ta zbuloni", kur u pyet nëse SHBA-ja do t’i përgjigjej sulmeve të raportuara me dronë nga Irani më 25 qershor kundër anijeve të mallrave në ngushticë.
Në një postim në rrjetet sociale para se të njoftohej për sulmet, Trump shkroi se Irani kishte lëshuar katër dronë kundër anijeve tregtare në ngushticë.
"Njëri prej dronëve goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë transporti mallrash. U shkaktuan dëme, por anija ishte në gjendje të vazhdonte rrugën e saj. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë", shkroi Trump.
Në një postim në X, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se "dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë".
"Irani nënshkroi një marrëveshje armëpushimi. Ne e kemi nderuar atë. Nëse kanë mosmarrëveshje për mënyrën se si po zbatohet Memorandumi i Mirëkuptimit (MOU), mund të telefonojnë. Por, dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë", shkroi ai.
Irani dhe SHBA-ja pritet të rifillojnë negociatat teknike në Zvicër pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi (MOU), i cili synon t'i japë fund luftës në Iran dhe në gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin.
Armëpushimi vazhdon të jetë i brishtë, ndërsa të gjitha palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e tij.
Mediat shtetërore iraniane thanë se një predhë goditi zonën pranë një moli në Sirik, në jug të Iranit, një rajon që goditet rregullisht nga forcat amerikane.
Në përgjigje, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), thanë se marina e tyre ka sulmuar objektiva ushtarake amerikane në rajon, raportuan mediat shtetërore, megjithëse ky informacion nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Ngushtica e Hormuzit ishte bllokuar më herët nga Irani, por ishte rihapur rishtazi pasi Teherani dhe Uashingtoni po përpiqen ta negociojnë një marrëveshje përfundimtare paqeje.
CENTCOM tha se avionët luftarakë amerikanë goditën depo raketash dhe dronësh iranianë, si dhe stacione radari bregdetare, pasi Teherani goditi më 25 qershor anijen e mallrave M/V Ever Lovely, me flamur të Singaporit, me një dron vetëvrasës.
"Agresioni i pajustifikuar kundër anijeve tregtare nga forcat iraniane përbënte shkelje të qartë të armëpushimit. Për më tepër, sjellja e rrezikshme e Iranit minoi lirinë e lundrimit, ndërkohë që tregtia po kalon gjithnjë e më shumë përmes këtij korridori jetik të tregtisë ndërkombëtare", thuhej në deklaratë.
CENTCOM tha se forcat e saj "vazhdojnë të ofrojnë koordinim për kalim të sigurt dhe mbështetje për anijet tregtare që kalojnë nëpër ngushticë".
Një zyrtar i lartë amerikan i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se gjashtë avionë amerikanë kryen sulme ndaj katër objektivave brenda Iranit, përfshirë instalime radarësh dhe depo raketash e dronësh në zonën bregdetare të Sirikut.
Zyrtari tha se objektivat ndodheshin përgjatë bregdetit jugor të Iranit pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në ishullin Qeshm.
Më 26 qershor, Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëroi se kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit nuk mund të garantohet pa koordinim me Teheranin.
Liria e lundrimit nëpër ngushticë është bërë një nga çështjet qendrore në përpjekjet për të siguruar një marrëveshje afatgjatë mes SHBA-së dhe Iranit, pasi Teherani e mbylli këtë rrugë ujore pas sulmeve ajrore amerikano-izraelite më herët gjatë këtij viti.
Para luftës, rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalonte përmes kësaj ngushtice.
Disa incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë gjatë periudhës së armëpushimit, por palët janë zotuar ta ruajnë armëpushimin e përgjithshëm.