Ndërlidhjet

Donald Trump
Donald Trump

Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara

  • Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
  • Ai ka siguruar 295 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president.
  • Trump është zotuar se do ta "shërojë" kombin, teksa u është drejtuar mbështetësve nga Florida.
  • Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, dhe republikani Donald Trump, president nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zgjedhja e Amerikës do t’i formësojë padyshim politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë.
08:53 6.11.2024

Orban reagon sërish

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka reaguar sërish për zgjedhjet amerikane, duke e uruar Trumpin, për, siç ka thënë, fitore.

Rikujtojmë sërish se kandidati i republikanëve nuk është shpallur ende i tillë.

“Rikthimi më i madh në historinë politike amerikane! Përgëzime presidentit Trump për fitoren e madhe. Një fitore shumë e nevojshme për botën”, ka thënë ai në X.

08:42 6.11.2024

Vuçiq dhe Dodik urojnë Trumpin për "fitoren në zgjedhje"

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka përgëzuar Trumpin, për, siç ka thënë, fitoren në zgjedhje.

Agjencitë më të mëdha amerikane ende nuk e kanë shpallur Trumpin fitues dhe janë në pritje të numërimit të mëtejmë të votave.

“Së bashku, ne do të përballemi me sfida serioze. Serbia është e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara për stabilitet, rritje dhe paqe”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Më shumë për qasjen e presidentit serb sa i përket politikës së jashtme:

Fitoren e Trumpit e ka mirëpritur edhe presidenti pro-rus i entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është në listën e zezë amerikane.

"Një nga fitoret më të rëndësishme elektorale në historinë e fundit të SHBA-së, por edhe të botës," ka thënë Dodik në platformën X.

08:33 6.11.2024

Trump: Do t’i ndihmojmë shtetit të shërohet

Republikani Trump po u drejtohet mbështetësve të tij nga Florida.

Afër tij janë familjarët dhe pjesëtarë të ekipit politik, përfshirë të nominuarin për nënpresident, J.D.Vance.

Ai ka thënë para mbështetësve se kjo ka qenë lëvizja më e madhe politike në historinë amerikane.

“Do t’i ndihmojmë shtetit tonë të shërohet”, ka thënë Trump.

Deri më tani, Trump ka fituar 267 vota elektorale, ndërsa Harris 224.

Për të fituar, një kandidat duhet të sigurojë të paktën 270 vota.

“Amerika na ka dhënë një mandat të pashembullt dhe të fuqishëm”, ka thënë Trump, si referencë për fitoren e republikanëve në Senat, i cili deri më tani është kontrolluar nga Partia Demokratike.

Trump duke mbajtur fjalimin.
Trump duke mbajtur fjalimin.

08:30 6.11.2024

Trump fiton edhe në Pensilvani

Kandidati i republikanëve, Trump, ka fituar edhe në Pensilvani, një tjetër shtet i papërcaktuar, raporton AP dhe agjenci tjera amerikane.

Ai veçse ka fituar në Karolinë të Veriut dhe në Xhorxhia, edhe ato shtete të papërcaktuara.

Kështu, Trump ka siguruar edhe 19 vota elektorale shtesë, duke iu afruar edhe më tepër fitores.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG