Ndërlidhjet

Shëndetësia drejt kaosit


QKUK, foto nga arkivi.

Kërkesa e mjekëve për rritjen e pagave përmes miratimit të Projektligjit të ri për pagat, po vazhdon. Kjo kërkesë e kamotshme për rritje pagash nuk po mund të realizohet nga asnjë qeveri, ndonëse profesionistët shëndetësorë thonë se në vazhdimësi kanë marrë premtime.

Si rrjedhojë, ditën e mërkurë, është mbajtur greva e radhës e punonjësve shëndetësorë, që ishte paraparë të zgjasë një ditë. Këshilli Drejtues i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ka vendosur që greva 24 orëshe të shndërrohet në grevë 72 orëshe.

Sipas një njoftimi për media të kësaj sindikate, deri te ky vendim është arritur, pas siç thuhet, institucionet "nuk reflektuan" ndaj kërkesave të tyre, duke shtuar se pas festave të fundvitit, greva "do të vazhdohet pa limit kohor, deri në reflektimin e qeverisjes vendore ndaj kërkesave të punonjësve shëndetësorë".

Megjithëkëtë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për tërë Kosovën, shërbimet emergjente për pacientë janë ofruar. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i këtij institucioni. Shpend Fazliu, sipas të cilit, asnjë njeriu nuk i është rrezikuar jeta, ndonëse i gjithë sistemi shëndetësorë ka qenë në grevë.

“Federata Sindikale e Shëndetësisë me kohë ka lajmëruar se ka organizuar grevë të përgjithshme, dhe janë mbuluar gjitha shërbimet emergjente, kurse pacientët ambulatorë nuk është punuar, pra është respektuar greva. Por, duhet cekur se nuk ka pasur ndonjë rast që iu ka përkeqësuar gjendja shëndetësore për shkak të grevës. Ndërkaq sa i përket operacioneve, ato janë kryer vetëm në Klinikën Emergjente, derisa të tjerat janë shtyrë për shkak të grevës”, tha Fazliu.

Ndërkaq, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla tha se greva e organizuar, siç ka thënë ai, ka rezultuar pozitivisht nga i gjithë stafi mjekësor, në të gjitha institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

“Kemi pasur një grevë shumë të suksesshme sepse 100 për qind e punëtorëve iu kanë përgjigjur kësaj greve dhe për këtë na ka kuptuar edhe popullata, të cilët i falënderoj. Jemi në pritje të ndonjë sinjali nga Qeveria”, tha Syla.

Syla ka treguar se greva, që nisi në orën 7:00 të së mërkurës, do të zhvillohet në të gjitha institucionet relevante të Kosovës, nga njësitë primare, sekondare dhe terciare.

Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka bërë të ditur se qëndron prapa asaj se Ligji për pagat duhet të kalojë sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës. Ai gjithashtu ka thënë se rritja e pagave është pjesë e reformës në shëndetësi, e që ai ka lobuar vazhdimisht që të realizohen këto reforma brenda sektorit shëndetësor.

“Në buxhet parashihet ngritja e pagave për shëndetësinë. Por, pa kaluar buxheti nuk mund të bëhet asgjë. Pra paratë janë në buxhet, por pritet që Kuvendi ta miratojë buxhetin për vitin 2019. Unë jam ai që kam lobuar që mjekët specialistë të trajtohen krejtësisht ndryshe sa i përket pagës së mjekëve, me pagat që i kanë pasur deri tash”, është shprehur ministri Ismaili.

Ndryshe, Syla ka bërë të ditur se kanë bërë përpjekje që me negociata me Qeverinë, si atë të kaluarën ashtu edhe Qeverinë aktuale, që të rriten pagat në shëndetësi. Ai ka treguar se i kanë adresuar kërkesat e tyre te të gjitha instancat përkatëse, por ato nuk janë marr parasysh.

“I kemi konfirmimet zyrtare se në Projektbuxhetin për vitin e ardhshëm nuk është paraparë rritja e pagave për punëtorët shëndetësorë. Kryeministri Ramush Haradinaj na ka premtuar se do të na rriten pagat dhe kjo do të ndodhë me ligj. Kemi kontribuuar shumë në draftimin e Projektligjit për buxhetin, mirëpo asnjë nga kërkesat tona nuk ka kaluar. Prandaj erdhëm deri te greva 24 orësh”, deklaroi Syla.

Ndryshe, mjeku specialist në Kosovë për punën që bën paguhet me rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët me rreth 400 euro në muaj.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG