Ndërlidhjet

Shënohen shkeljet e para në fushatën zgjedhore


Foto nga arkivi

Ndonëse kanë kaluar vetëm gjashtë ditë të fushatës për zgjedhjet lokale, ndaj partive politike pjesëmarrëse, janë paraqitur edhe ankesat e para për shkelje të kodit të mirësjelljes.

Drejtues të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thonë se ankesat janë paraqitur nga subjektet politike dhe organizatat joqeveritare që monitorojnë fushatën zgjedhore.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tash janë paraqitur 46 ankesa, disa prej të cilave janë aprovuar, kurse të tjerat janë në proces të shqyrtimit.

Janë paraqitur 28 ankesa, 24 ankesa janë aprovuar, 4 janë refuzuar dhe 18 ankesa janë në procedurë të shqyrtimit”, thotë Desku.

Numri më i madh i ankesave, sipas Deskut janë paraqitur ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, gjithsej 22 ankesa, kurse 9 janë deponuar kundër Partisë Demokratike të Kosovës.

Natyra e ankesave të parashtruara në PZAP janë të ndryshme, por që sipas Deskut, dominon vendosja e materialeve propaganduese në hapësirat publike e që është e ndaluar më ligj.

Edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren më monitorimin e fushatës zgjedhore pohojnë se numri më i madh i ankesave ka të bëjë me vendosjen e posterëve në hapësirat publike.

Albert Krasniqi, nga koalicioni “Demokracia në Veprim”, tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani, ky koalicion ka adresuar 25 ankesa në PZAP. Ai vlerëson se gjatë kësaj kohe nuk janë evidentuar shkelje të mëdha të kodit të mirësjelljes. Sipas tij, aktivitetet e deritashme nuk janë aq intensive dhe nuk janë mbajtur tubime të mëdha, por kryesisht janë vizita te qytetarët.

Kurse për shkeljet tjera që janë pak më të vogla, në krahasim me të kaluarën, apo diçka që ne nuk po mundemi të identifikojmë është përdorimi veturave zyrtare. Në këtë aspekt po kemi vështirësi t’i identifikojmë, për shkak se shumë vetura zyrtare kanë ndryshuar targat e regjistrimit nga ato zyrtare në ato civile. Ne po e kemi vështirësi t’i identifikojmë dhe t’i paraqesim në PZAP. Gjuha e urrejtjes është më pak e pranishme. Ka përdorim të fëmijëve në fushatë, por jo në masë të madhe”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, Mul Desku thotë se për ankesat e parashtruara, PZAP vendos gjoba varësisht nga lloji i shkeljes së kodit të mirësjelljes.

Pavarësisht shkeljeve gjobat mund të shqiptohen deri në 50 mijë euro, por për natyrën e këtyre shkeljeve, mund të ndodh mbi 500 euro varësisht prej shkeljeve edhe Paneli merr vendim lidhur me këto”, thotë Desku.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të zgjas deri më 20 tetor. Më 21 tetor, do të jetë heshtje zgjedhore. Ndërsa, me 22 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës. Si rezultat do të zgjidhen kryetarët e rinj të komunave dhe këshilltarët nëpër asambletë komunale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 91 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetar komune apo për këshilltar në kuvendet komunale).

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG