Ndërlidhjet

Shkollat me mungesë të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta


Ilustrim

Shkollat në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me problemin e mungesës së asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

Prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta me vite të tëra kanë paguar asistentë për fëmijët e tyre në shkolla.

Nisur nga ky problem, Ministria e Arsimit ka vendosur që 100 asistentë të shpërndahen për gjitha shkollat e Kosovës. Ata, pritet që të fillojnë me këtë punë nga janari të vitit 2019. Por, ky numër i asistentëve, sipas organizatave që merren me të drejtat e fëmijëve dhe prindërve, është fare i vogël dhe i pamjaftueshëm për t’i mbuluar nevojat.

Leonora Shabani Bajraktari, asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës, njëherësh bashkëthemeluese e organizatës Down Sindrom Kosova, tha për Radion Evropa e Lirë se ky numër është më se i pamjaftueshëm.

Ajo shtoi se për Komunën e Prishtinës janë ndarë 12 asistentë, derisa janë gjithsej 40 shkolla, e shumë fëmijë që kanë nevojë për ta.

“Asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta, janë shumë të nevojshëm për komunitetin e aftësisë së kufizuar (nevoja të veçanta), dhe për fat të keq, për Komunën e Prishtinës janë ndarë vetëm 12 asistentë, derisa për gjithë Kosovën 100 veta”.

“Numri i fëmijëve me nevoja të veçanta është mjaft i madh, thuhet se janë mbi 50 mijë, nëse përllogaritet me kokë banori, ashtu si në gjithë botën”, tha Bajraktari.

Tutje Bajraktari shton se gjatë përvojës së saj me prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta, çdo prind ka dëshirë ta inkuadrojë fëmijën në shkollim të rregullt. Andaj edhe në mungesë të asistentëve, prindërit vet kanë paguar shuma të papërballueshme, vetëm që fëmija të inkuadrohet në shkollim të rregullt.

Sipas saj, vet prindërit po konsiderojnë se për të arritur suksese fëmijët me nevoja të veçanta, duhet përfshirë më shumë asistentë dhe kushte më adekuate. Si rrjedhojë, ka prindër që nuk po i dërgojnë fare fëmijët në shkollë, thekson ajo.

“Shkollimi i rregullt, pra integrimi i fëmijëve është i domosdoshëm dhe prindërit janë të interesuar t'i inkuadrojnë, por në mungesë kushtesh shumë nga ta kanë filluar të mos i dërgojnë fare në shkollë”, tha Bajraktari.

Florina Grubi është nënë e fëmijës me nevoja të veçanta. Ajo duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se djalin e saj nuk është duke e dërguar në shkollë.

Arsyeja është mungesa e kushteve dhe humbjes së kohës për fëmijët me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta.

“Nuk ka asistentë, nuk ka logoped, nuk ka mësuese mbështetëse, nuk ka punëtor social. Nuk është vetëm regjistrimi i fëmijës në shkollë dhe dërgimi i tij atje, çështja është që këta fëmijë të arrijnë rezultate”.

“Përndryshe në shkollat e Kosovës, duke u bazuar edhe tek prindërit e tjerë që kanë fëmijë me nevoja të veçanta, nuk janë të kënaqur me rezultatin e fëmijës së tyre. Nëse një fëmijë nuk arrin për pesë vjet me mësuesen që të kap lapsin dhe të bëj të paktën një vijë, atëherë shtrohet pyetja pse t’i dërgojmë në shkolla”, thotë Grubi.

“Asnjëherë askush nuk ka treguar se sa fëmijë me nevoja të veçanta janë në shkolla dhe cili është rezultati i arritur. Kam bërë shumë herë këtë pyetje gjithkund, por asnjëherë nuk kam marrë përgjigje”, tha Grubi.

Zonja Grubi tutje shton se numri prej 12 asistentëve për gjithë Komunën e Prishtinës është skandal. Ky numër asistentësh nuk i mbulon nevojat as për dy shkolla, aq sa kanë nevojë fëmijët.

“Unë për vete nuk do ta dërgoj fëmijën tim në shkollë derisa nuk ka njerëz adekuat që të merren me të. Nuk e kam ndërmend ta dërgoj në shkollë vetëm që ai atje të humb pak kohë. Merrem vetë me të. Socializmi nuk i mungon dhe asnjë aktivitet”, tha Grubi.

Sidoqoftë, bazuar në deklaratat e dhëna nga zyrtarët në Ministrinë e Arsimit në Kosovë, saktësisht në shkolla fillore dhe të mesme janë 6,049 nxënës me nevoja të veçanta, derisa parashkollorë janë 99 prej tyre.

Ndërkaq, thuhet se buxheti nuk ka lejuar që të ketë më shumë asistentë në shkolla, por që me kohë do të rritet numri i tyre, që do t'i asistojnë fëmijët me nevoja të veçanta.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG