Ndërlidhjet

Me zanat e pa punë


Leonit Balaj, që ka përfunduar shkollën profesionale në drejtimin e informatikës, ende nuk po arrin që të gjejë punë. Fotografi ilustruese.
Leonit Balaj, që ka përfunduar shkollën profesionale në drejtimin e informatikës, ende nuk po arrin që të gjejë punë. Fotografi ilustruese.

Leonit Balaj, nga fshati Dobërdelan i Suharekës, ka dy vjet që ka përfunduar mësimet në shkollën profesionale “Skënder Luarasi” në këtë komunë.

Balaj, 19 vjeç, ka kryer drejtimin e informatikës, por nuk ka arritur të gjejë punë.

“Njëherë, në fillim, na ka ndihmuar shkolla. Kemi pasur kontrata me biznese të ndryshme, kam punuar, kam mbajtur praktikë, por tash jam i papunë. Po shikoj të gjej diçka që të punoj”, thotë Balaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se në Komunën e Suharekës, e cila ka rreth 60,000 banorë, tregu është i vogël dhe se nuk ka pasur oferta për profesionin e tij.

“Përderisa ne po bëjmë praktikë, po shkollohemi për këtë punë, do të ishte mirë që shteti, komuna të na ofrojë punë për këtë që kemi mësuar, e jo të rrimë. Nëse gjej punë rri [në Kosovë], por nëse jo, më duhet të ik jashtë vendit”, thotë ai.

Në të gjitha komunat e Kosovës janë më shumë se 37 mijë nxënës që ndjekin mësimet në shkolla profesionale - prej tyre, më shumë se 21 mijë janë djem dhe më se 15 mijë janë vajza.

Sipas një hulumtimi të organizatës ETEA, që merret me arsimin në Kosovë, vetëm 11.4 për qind e nxënësve në vitin 2021 kanë arritur të punësohen pas përfundimit të shkollës profesionale, ndërsa 88.6 për qind nuk e kanë pasur një mundësi të tillë.

Velsa Shabani, hulumtuese në këtë organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se hulumtimi është bërë për të kuptuar se përse po rritet numri i të papunëve.

Në muajin dhjetor, nga Agjencia e Kosovës për Punësim kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se numri i përgjithshëm i punëkërkuesve të regjistruar në këtë zyrë është 120 mijë.

Sipas të dhënave të agjencisë, vetëm gjatë vitit 2021, rreth 12,000 persona janë regjistruar si të papunë.

Velsa Shabani thotë se rezultati i hulumtimit të organizatës së saj është “alarmant”.

“Këta nxënës mund të vazhdojnë edhe në fakultet, por qëllimi kryesor i shkollës profesionale është që këta të rinj të punësohen. E, përderisa kjo nuk po arrihet, ne kemi gjetur se ngecjet për këtë shifër kaq të madhe janë mospërshtatja e profileve dhe cilësia e arsimit”, thotë Shabani.

Fokus i hulumtimit, sipas saj, kanë qenë drejtimet: informatikë, arkitekturë dhe telekomunikacion.

Mospërputhja me tregun e punës

Drejtori i shkollës profesionale “Skënder Luarasi” në Suharekë, Hamdi Bytyqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga rreth 700 nxënës, sa ka kjo shkollë në katër drejtime: makineri, elektro, ndërtimtari dhe rrobaqepësi, çdo vit punësohen më shumë se 100 nxënës të diplomuar.

“Nuk ka nxënës që ka kryer drejtimin si instalues elektrik, e që nuk është punësuar ose vetëpunësuar. Pastaj, te drejtimi i instaluesve të ngrohjes... edhe prej tyre ka një numër të madh të nxënësve që punësohen. Është një ndjenjë e mirë kur shohim vajzat e drejtimit të rrobaqepësisë - të gjitha janë të punësuara nëpër rrobaqepësi të ndryshme”, thotë Bytyqi.

Sipas tij, drejtimet në shkollë përshtaten në bazë të kërkesave të tregut.

Mirëpo, ndryshe thonë disa përfaqësues të bizneseve në Kosovë, të cilët ankohen për, siç thonë, problemin e gjetjes së punëtorëve të kualifikuar.

Nezir Sejdiu nga Klina është pronar i kompanisë “Ginza”, që merret prodhimin e dyerve dhe dritareve të plastikës dhe aluminit.

Ai thotë se për 16 vjet të ekzistencës së kompanisë së tij, pjesa më e vështirë ka qenë gjetja e punëtorëve të kualifikuar.

“Nuk ka saldues... asnjë profil nuk mund ta gjejmë në nivelin e mesëm të shkollimit, që kur të hyjë në prodhim, të paktën ta dijë se çfarë janë makinat e prodhimit, si të mbrohet në vendin e punës”, thotë Sejdiu.

Për të aftësuar një mjeshtër, ai thotë se i duhen dy-tre vjet kohë.

“Të kualifikuar nuk gjej fare. E kam hequr si kriter edhe nga konkursi që të gjej punëtorë që kanë kryer shkollë. Jemi shndërruar vetë në njëfarë shkolle. I trajnojmë dhe i mësojmë vetë, e që po na merr shumë kohë dhe është kosto. Pastaj, pas një kohe, të njëjtit edhe po na e lëshojnë punën dhe shumica po shkojnë jashtë”, thotë Sejdiu, kompania e të cilit aktualisht ka 38 punëtorë.

Shqetësime të ngjashme, sipas kryetarit të Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, kanë edhe shumë biznese të tjera.

Sipas tij, shkollat profesionale nuk i plotësojnë kriteret e aftësimit profesional në bazë të nevojave të tregut.

“Në përgjithësi, prodhimi është në shpërputhje me kërkesën e tregut. Asnjëherë në Kosovë, institucionet nuk i kanë bërë analizë tregut se për çfarë ka nevojë, por vetëm kanë prodhuar, pa marrë parasysh a ka pasur nevojë. Të rinjtë po vazhdojnë të kryejnë shkolla dhe fakultete dhe të mos jenë të aftë për punë dhe të mos e gjejnë vetën në treg të punës”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Cili është roli i Ministrisë së Arsimit?

Në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë (MASHTI), dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se profilet e shkollave përditësohen përmes grupeve punuese, ku anëtarë janë edhe përfaqësuesit e tregut të punës.

“MASHTI planifikon të jetë më i hapur ndaj bizneseve dhe të fuqizojë bashkëpunimin ndërmjet shkollave profesionale dhe bizneseve, sepse arsimi dhe aftësimi profesional nuk mund të funksionojnë pa involvimin e bizneseve”, thuhet në deklaratë.

Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit në organizatën “Ed-Guard”, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka përputhje të kërkesave të tregut me profilet e studimeve, qoftë në shkollat e mesme profesionale, qoftë në universitete.

Sipas tij, nevojitet një strategji kombëtare që do t’i orientonte të rinjtë në profilet e studimeve që gjenerojnë punësim.

“Kjo strategji, e zhvilluar nga nevojat e biznesit, do të shërbente edhe si udhërrëfyes për institucione të arsimit, për profile me interes për studentin, që nxisin regjistrimin dhe mundësojnë punësimin. Është e rëndësishme që të ketë një koordinimin ndërinstitucional, pra një komunikim të strukturuar institucional, të dihet profili i të papunëve dhe çfarë duhet të jetë përgjigjja institucionale karshi kërkesës së tregut për punë”, thotë Qehaja.

Në vitin 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 për qind. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur rritje për 0.8 për qind.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG