Ndërlidhjet

Shkup, partitë sërish dështojnë të caktojnë datën e zgjedhjeve


Takimi i liderëve politikë me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski. Shkup, 18 maj, 2020.

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë dështuar edhe në takimin e dytë të caktojnë datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një takim të thirrur nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Lidhja Social Demokrate në pushtet, që drejtohet nga Zoran Zaev, ka insistuar në mbajtjen e zgjedhjeve në qershor, më 21 apo 28 qershor, si afate më të mira për zgjedhjen e institucioneve të reja, që sipas kësaj partie duhet të përballen me koronavirusin si dhe të përmirësojnë gjendjen ekonomike.

“Kushte për zgjedhje ka dhe për këtë flet edhe misioni i OSBE/ODIHR-së, i cili u deklarua se është gatshëm të monitorojë procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pasi të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme, Komisioni Shtetëror Zgjedhor duhet t’i përmbyllë detyrimet dhe në afat prej 22 ditësh të mbahen zgjedhjet”, ka deklaruar para takimit, Bogdanka Kuzeska nga Lidhja Social Demokrate.

VMRO-DPMNE-ja opozitare mbetet në qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen pas normalizimit të gjendjes me koronavirusin, ndërsa ka shprehur shqetësimin me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi). Kjo parti po kërkon që zgjedhjet të mbahen nga fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit.

“Me rëndësi për ne është shëndeti i qytetarëve, të cilët në këtë situatë të pandemisë kanë nevojë mbrojtjen e shëndetit të tyre. Absolutisht duhet të ndërpritet ankandi për datë të zgjedhjeve për shakak se ato janë lojëra të Zoran Zaevit. Ne këtë nuk e pranojmë. Nevojitet përgjegjësi dhe seriozitet në këto momente në të cilën gjendemi si shtet”, është shprehur zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët insiston që zgjedhjet të mbahen pasi të ketë vlerësime pozitive mbi pandeminë, por gjithashtu kërkon mbajtjen e tyre pasi të jenë hapur kufijtë, për të mundësuar votimin edhe të diasporës.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se shëndeti është mbi të gjitha, por shprehet i gatshëm për pjesëmarrje në zgjedhje në cilëndo datë që do të merren vesh partitë politike.

“Prandaj nuk kalkulojmë me data, por kalkulojmë me çështje të tjera, ajo është si do të reflekton gjendja shëndetësore, a do të ketë kapacitete logjistike dhe si do të arrihet një harmoni politike”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Sipas ekspertëve, kriza me koronavirusin që ka goditur rëndë ekonominë, reflektohet edhe në qëndrimet e partive që të forcojnë pozicionet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Partitë në pushtet synojnë sa më parë të shkojnë në zgjedhje për të mos pritur përshkallëzimin e mëtejmë të ekonomisë, pasi kjo do të reflektohej në rënien e popullaritetit të tyre.

“Është e qartë se do të kemi rënie të ekonomisë dhe supozoj se VMRO-DPMNE-ja kalkulon me këtë, pasi sa më vonë të mbahen zgjedhjet aq më shumë do të përkeqësohet ekonomia e vendit dhe kjo i konvenon asaj që të zhvillojë fushatë kundër qeverisë për përfitime politike. Njëjtë është edhe me LSDM-në, e cila dëshiron zgjedhje më të shpejta që t’i ikë përkeqësimit të ekonomisë dhe në anën tjetër t’i shfrytëzojë masat në ndihmë të bizneseve”, thotë Aleksandar Krzhallovski, njohës i çështjeve politike.

Zgjedhjet në Maqedonisë e Veriut ishin paraparë të zhvillohen më 12 prill, por ishin anuluar për shkak të përhapjes së koronavirusit. Në fuqi ende është gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa vendi drejtohet nga një qeveri teknike.

XS
SM
MD
LG