Ndërlidhjet

Shkup: Proces verifikimi për ngritjen e profesionalizmit në Polici


Policia e Maqedonisë, ilustrim
Policia e Maqedonisë, ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht pjesëtarët e saj, do t’i nënshtrohen vettingut apo verifikimit të ngritjes së tyre profesionale, të kaluarës, por edhe të gjendjes të tyre materiale.

Policia, në veçanti drejtuesit e saj, kanë qenë në shënjestër të kritikave të shumta për rolin kundërthënës gjatë krizave politike dhe të sigurisë.

Një ish drejtues i saj është dënuar me burg për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017 ndërsa ish drejtori i Policisë sekrete po gjykohet në disa procese tjera për shpërdorim të detyrës zyrtare. Drejtues të lartë të Policisë gjithashtu janë akuzuar përgjimet e paligjshme që edhe kishin nxitur krizën e rëndë që në vitin 2015.

“Vettingu në polici, por edhe në institucione tjera të sistemit është më se i nevojshëm. Tani disa muaj po punojmë se si duhet të zbatohet verifikimi i punonjësve të Policisë ndërsa procedura duhet të kalojë edhe në Kuvend…Do të jetë një procedurë që do të bazohet në tri shtylla. Së pari, punësimi dhe karriera e çdo punonjësi të Policisë, së dyti, gjendja materiale dhe së treti integriteti dhe profesionalizmi në kryerjen e detyrave të dhëna. Këto janë tri çështje që do të përpunohen, e të cilat duhet t’i kalojë çdo punonjës i Policisë përmes inspektimeve që do të bëhen”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

​Duke komentuar vërejtjet se çfarë është bërë në dy vitet e qeverisjes dhe pse vettingu apo verifikimi i figurës së punonjësve të policisë nuk është bërë më herët, kreu i MPB-së, thotë se reformat gjatë kësaj periudhë nuk kanë munguar, në veçanti në policinë sekrete, por edhe në miratimin e ligjeve sipas standardeve ndërkombëtare.

“Ne kemi bërë një sërë reformash që kanë të bëjnë me MPB-në dhe kjo është notuar edhe në raportin e progresit. Qëllimi jonë kryesor ishte që pas marrjes së pushtetit të nisim me demontimin e sistemin për ndjekjen e komunikimeve që ishte burimi i krizave në vend. Kjo reformë është kryer dhe nga nëntori i vitit të kaluar kemi sistem të ri. Kemi bërë ndryshime edhe në shërbimet e sigurisë, kemi miratuar të gjitha aspektet ligjore, është formuar agjencia për siguri kombëtare. Kemi rreth 110 punonjës që janë përjashtuar nga detyra për shkak të shkeljeve të bëra, por procesi ende nuk ka përfunduar pasi ende kemi punë për të bërë”, ka theksuar ministri i brendshëm Oliver Spasovski.

Por, njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se për reforma të thella në sektorin e brendshëm nevojitet së pari vullnet politik pasi zgjidhjet ligjore sado që të jenë të mira, nuk do të kenë efekt nëse vazhdon politika të përzihet në çështjet më thelbësore të sistemit të sigurisë.

“Me rëndësi është që partitë politike të heqin dorë nga ndikimet e tyre ndaj politikës apo përzgjedhjes së kuadrove në polici, por edhe në institucione tjera si në gjyqësor e prokurori. Deri sa një parti të vendos se kush do të punësohet në polici, ne nuk do të mund të flasim për institucione të besueshme”, thotë Pavle Trajanov, ish ministër i Punëve të Brendshme..

Ai vlerëson angazhimin që po bëhet për të ngritur sistemin e Policisë dhe të shërbimeve tjera të sigurisë, por efektet sipas tij mund të shihen vetëm me përfshirjen në radhët e tyre të kuadrove të kualifikuar.

“Sugjerimi im është që në këtë shërbim apo agjencisë së sigurisë kombëtare, të pranohet kuadër i ri apo rreth 200 persona, të pangarkuar nga e kaluara të cilët do të kalonin të gjitha trajnimet e duhura që të jenë të gatshëm t'i përgjigjen sfidave të reja. Sa i përket punonjësve të tjera gjithashtu konsideroj se edhe ata duhet t'i nënshtrohen kritereve të forta dhe të gjithë verifikohen, të shihet e kaluara e tyre, pasuria, por edhe aftësia e tyre psikofizike, se a janë apo jo të aftë të jenë pjesë e Policisë”, thotë Trajanov.

Gjendja në Polici dhe strukturat e sigurisë ka qenë pjesë e raporteve të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe raportin e progresit të Komisionit Evropian që në vazhdimësi kanë përfshirë kritika por edhe rekomandime për reforma në përputhje me standardet evropiane.

XS
SM
MD
LG