Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut ‘ngutet’ me miratimin e protokollit me NATO-n


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto nga arkivi.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto nga arkivi.

Njohësit e çështjeve të integrimeve, thonë se nuk është aspak problem që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ta miratojë para kohe protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO, kjo për shkak të afateve për shpërbërjen e kuvendit, si pasojë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për pranverën e vitit 2020.

Këto komente vijnë pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e mbajtur më 28 dhjetor, ka konfirmuar tekstin e propozim-ligjit që ka të bëjë me marrëveshjen përfundimtare për anëtarësimin në NATO, të cilin të hënën e dorëzoi në kuvend për miratim. Qeveria me këtë ka kërkuar nga deputetët ratifikimin e përkohshëm të protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO, por propozim-ligji pritet të hyjnë në fuqi pasi të botohet në Gazetën Zyrtare.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duhet të shpërbëhet më 11 shkurt, si pasojë e marrëveshjes ndërmjet partive politike, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill të vitit 2020.

Ndërkohë, ende mbetet pikëpyetje se kur Parlamenti i Spanjës do ta ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, pasi në këtë shtet që është anëtare e NATO-s, ende nuk ka një marrëveshje për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të mbajtura në nëntor.

Prandaj, ligji që ka të bëjë me marrëveshjen përfundimtare për anëtarësimin në NATO do të dërgohet në Uashington, pasi Spanja ta ketë ratifikuar protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veri-Atlantike.

Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Veri-Atlantik në Maqedoni të Veriut, për Radion Evropa e Lirë, thotë se kjo përbërje parlamentare meriton ta miratojë tekstin e propozim-ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së Aleancës Veri-Atlantike.

“Unë mendoj se nuk prishë punë dhe nuk ka fare problem që protokollin e anëtarësimit në NATO ta miratojë kjo përbërje parlamentare. Madje, do të thosha se kjo përbërje parlamentare e meriton ta ratifikojë protokollin. Këtu Brukseli nuk përbën fare problem, do të thotë do ta japë dritën jeshile që të kalojë protokolli në fjalë, meqë një gjë të tillë e diktojnë rrethanat për shkak të shpërbërjes së Parlamentit të Maqedonisë së Veriut si rrjedhojë e zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thotë Ramadani.

Ndërkaq, kryetari i Unionit të federalistëve evropianë në Maqedoninë e Veriut, Petar Bogojevski tha se qytetarët ende nuk janë të njoftuar sa duhet mbi faktin se sa anëtarësimi i vendit në NATO do ta ndryshojë jetën e tyre.

“Duhet kuptuar se NATO në njëfarë mënyre paraqitet si rojtar sigurie në portën e Bashkimit Evropian. Të gjitha institucionet e vendit, por edhe të gjithë ne duhet të përgatitemi që të bartim përgjegjësinë e të qenit pjesë e strukturave të Aleancës Veri-Atlantike. Në këtë fazë është shumë e rëndësishme të mësojmë që të respektojmë profesionalizmin para çdo interesi tjetër sepse kjo është shtylla bazë mbi të cilën ndërtohet sistemi i vlerave të NATO-s”, deklaroi Bogojevski.

Ndryshe, duke iu referuar përvojës së Malit të Zi, ishte partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE, që hodhi idenë për ratifikimin e parakohshëm të protokollit për anëtarësim në NATO, për shkak të zvarritjes së krijimit të institucioneve të reja në Spanjë. Kjo ide më pas u mbështet edhe nga partitë shqiptare në opozitë.

XS
SM
MD
LG