Ndërlidhjet

Shkupi me rezerva vetëm për dy javë ngrohje


Fotografi ilustruese.

Në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, në Shkup të premten Shkupin ka filluar sezoni i ngrohjes qendrore për amvisëritë dhe objektet afariste.

Rreth 60 mijë amvisëri, të cilat janë të lidhura me sistemin e ngrohjes qendrore, nuk kanë asnjë informacion nëse do të ketë kufizime për sa i përket ngrohjes termike dhe sa do të jetë kostoja e pagesës për ngrohje.

Problemi me ngrohjen termike në Shkupi u shfaq pasi Komisioni rregullator për energjetikë vitin e kaluar ia mori licencën kompanisë “Balkan Energy Group” (BEG), e cila ishte përgjegjëse për furnizimin me ngrohje për Shkupin.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, menaxhimin e ngrohtores së Shkupit ia kaloi Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV) pasi BEG nuk arriti të respektojë kontratën për furnizimin e qytetarëve me energji termike për shkak të rritjes së çmimit të gazit.

Gjatë sezonit të kaluar, Qeveria kishte ndarë nga arka e shtetit gjashtë milionë euro për subvencionimin e çmimit të ngrohjes, pasi BEG nuk arrinte t’i mbulonte shpenzimet.

Nga EMV-ja thanë se gazi si lëndë e parë për ngrohje termike për Shkupin është siguruar vetëm për dy javët e para të sezonit të ngrohjes, përkatësisht deri më 1 nëntor.

Vasko Kovaçeski, drejtor i Elektranave të Maqedonisë së Veriut ka thënë në një konferencë për media më 15 tetor, se nëse nuk sigurohet gaz atëherë ngrohtoret do të përdorin naftën si lëndë djegëse.

EMV-ja është furnizuar me gaz për 15 ditë përmes kompanisë Makpetrol me ç`rast ka paguar 1 mijë 713 euro për 1000 metër kub normal gaz.

Nga kjo kompani thonë se puna e ngrohtores është e lidhur me kapacitetin e energjisë elektrike që do të prodhoj centrali me gaz TE TO, pasi energjia termike e cila prodhohet si nënprodukt nga ky central, shfrytëzohet për ngrohje termike.

Por, drejtuesit e centralit me gaz për prodhimin e energjisë elektrike TE TO, thanë se nuk janë obliguar me asgjë për sa i përket sezonit të ngrohjes.

Ndërkaq, konsumatorët druajnë se rritja e çmimit për ngrohje do të bëhet e papërballueshme.

“Po e kyçi ngrohësen elektrike edhe pse paguaj ngrohjen qendrore. Jam e detyruar të lëshoj pajisjet me rrymë pasi nëna është në moshë, s`ka qarkullim të mirë të gjakut dhe ka ftohtë, pra paguaj dyfish: edhe ngrohjen qendrore edhe ngrohjen përmes energjisë elektrike për shkak të kyçje së pajisjeve plotësuese për ngrohje”, thotë Sanja Nikollovska, nga komuna e Aerodromit që është pjesë e Shkupit.

Në bazë të Ligjit për energjetikë, nëse temperaturat ulen nën 12 gradë , ngrohtoret duhet të furnizojnë me energji termike amvisëritë që nga 1 tetori.
Por, radiatorët mbetën të ftohtë për 60 mijë parapaguesit e ngrohtores së Shkupit, të cilat tani menaxhohen nga EMV-ja.

Edhe Aleksandra Venkoski, pensioniste, shprehet e indinjuar se ngrohje gjatë këtij muaji s`ka pasur asnjë herë me gjithë temperaturat e ulëta që gjatë natës zbritën nën 10 gradë celsius.

“Kur është në interes të pushteteve gjejnë zgjidhje, tani neve na lënë të mërdhimë. Do Zoti nuk do të kemi dimër të ftohtë se te shteti s’kam shumë besim se do të kujdeset për ne” thotë ajo.

Ngrohje qendrore gjatë fillimit të këtij muaji në ditët kur temperaturat ishin nën 12 gratë veçanërisht gjatë natës, kanë pasur 500 amvisëritë që janë pjesë e ngrohtores Shkup Veri.

Drejtori i kësaj ngrohtoreje, Kushtrim Ramadani, thotë se amvisëritë në këtë lagje kanë pasur fat pasi marrëveshja për furnizim me gaz të kësaj kompanie është valide deri në fund të këtij viti.

Por, Ramadani tha se rritja e çmimit të gazit ka shkaktuar probleme që në njëfarë forme nëse nuk gjendet zgjidhje, vihet në rrezik stabiliteti i furnizimit me ngrohje edhe në këtë pjesë të qytetit edhe pse siç tha, i vlerëson si shumë serioze premtimet qeverisë se ngrohje për qytetarët do të ketë.

“Pra, problemi ynë si ngrohtore (Shkup Veri) është financiar dhe aspak teknik.
Ne i kemi dërguar shkresë Qeverisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave pasi nga arka e shtetit na janë ndarë 60 milion denarë, kurse me rritjen e çmimit të gazit shpenzimet për ngrohje janë dyfishuar... Shpresoj të kemi përgjigje pozitive ditëve të ardhshme për menaxhimin çmimeve të larta të gazit natyror”, tha për Radion Evropa e Lirë, Kushtrim Ramadani, drejtor i ngrohtores Shkup Veri, ku janë të kyçur rreth 500 amvisëri.

Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, u zotua se ngrohje termike për qytetarët e Shkupit do të ketë gjatë tërë dimrit. Ai tha se qeveria po bën përpjekje për rritjen e kapaciteteve të furnizimit me gaz nga Bullgaria.

Viktor Andonov, këshilltar për energjetikë në kabinetin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski, tha se deri në fund të prillit sa zgjat sezoni i ngrohjes, ngrohtoret e Shkupit duhet të harxhojnë rreth 250 milionë metër kub gaz natyror.

Autoritet qeveritare kanë theksuar se nëse nuk arrijnë të sigurojnë këtë sasi të gazit me një çmim të arsyeshëm, atëherë ngrohtoret do të kalojnë në shfrytëzimin e burimeve alternative për ngrohje siç është mazuti dhe nafta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG