Kosova ende pa asnjë rast me koronavirus, por me masa të shtuara
Kosova vazhdon të mbetet një nga dy vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë ende raste të regjistruara me koronavirus.
Megjithatë, qytetarët kanë ndërmarrë masa preventive, si vendosja e maskave, apo edhe kanë bërë blerje më të mëdha, sidomos të prodhimeve ushqimore.
Qeveria e Kosovës po ashtu ka mbyllur shkollat dhe ka ndërprerë disa linja tokësore dhe ajrore me disa vende të Evropës.
~ Pamje sot në Prishtinë:
Izolimi në Itali bën punë
Italia është vendi më i goditur në Evropë nga koronavirusi.
Sipas shifrave të fundit nga Universiteti Johns Hopkins, ajo ka 15,113 njerëz të infektuar, 1,016 të vdekur dhe 1,045 të shëruar.
Autoritetet kanë izoluar gjithë vendin.
Dy javë pasi dhjetë qytetet e para janë izoluar dhe janë deklaruar “zona të kuqe”, ato nuk kanë të infektuar të rinj, tha ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio.
"Italia ishte vendi i parë në Evropë që u prek aq keq. Por, unë shpresoj se Italia do të jetë gjithashtu e para që do ta lërë pas emergjencën”, tha Di Maio.
~ Në këto fotografi mund të shihni pamje nga disa pjesë të Italisë këtë javë.
BIK do t’i dezinfektojë xhamitë në Kosovë
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) do t’i dezinfektojë të gjitha xhamitë që janë të hapura për besimtarët në Kosovë, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Këtë e ka bëtë të ditur kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, pas takimit që ka zhvilluar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Tërnava ka thënë se do të kërkohet ndihmë nga institucionet e tjera të Kosovës në procesin e dezinfektimit të xhamive, si dhe menaxhimit të situatës në rast të evidentimit të ndonjë rasti të infektuar me koronavirus.
Kreu i BIK-ut ka thënë se ky institucion do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme ditën e shtunë, ku do të merren vendime sa i takon zhvillimit apo anulimit të aktiviteteve nëpër xhamitë e Kosovës.
Kosova dhe Mali i Zi janë aktualisht vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë raste të konfirmuara me koronavirus.
Mbi një milion fëmijë preken nga mbyllja e shkollave në Austri
Në përgjigje të koronavirusit, Austria do të mbyllë shkollat nga e hëna deri më 4 prill, kur nis pushimi i Pashkëve.
Mbi një milion fëmijë do të preken nga kjo masë.
Mediat raportojnë se Qeveria austriake do që së paku 75 për qind e fëmijëve të qëndrojnë në shtëpi.
Disa shkolla, megjithatë, do të mbeten hapur, me staf minimal, për t’u kujdesur për fëmijët deri në 14 vjeç, prindërit e të cilëve punojnë dhe nuk mund të qëndrojnë në shtëpi.
Ministria e Arsimit tha se po përgatitet për leksione online.
Shkollat janë mbyllur në disa vende të Evropës, përfshirë: Italinë, Danimarkën, Republikën Çeke, Sllovakinë, Francën e Portugalinë.
Këtë javë, shkollat i ka mbyllur edhe Kosova.