Edhe iranianët me këngë kundër koronavirusit
Pas videove të shumta të italianëve duke kënduar në shenjë solidariteti me të prekurit nga koronavirusi, edhe iranianët kanë bërë një gjë të tillë.
Në mediat sociale janë shfaqur video si kjo:
Irani është vendi i tretë i goditur më së keqi nga koronavirusi, pas Kinës dhe Italisë.
Aktualisht, në Iran janë 13,938 njerëz të infektuar, ndërsa 724 pacientë kanë humbur jetën.
Shqetësime në Klinë për ushqim dhe medikamente
Qyteti i Klinës ka hyrë në ditën e tretë të karantinës, që nga koha kur është shënuar rasti i parë i infektimit me koronavirus.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se institucionet lokale në këtë qytet kanë mungesë të pajisjeve mbrojtëse.
“Kemi sasi shumë të vogla të maskave dhe pajisjeve të tjera, për ndoshta edhe dy tri ditë. Jemi të obliguar që t’i ruajmë, t’i përdorim edhe dy apo tri herë”, tha Elezaj.
Vendosja në karantinë e të gjithë qytetit, sipas kryetarit Elezaj, ka shtuar shqetësimin te qytetarët sa i takon furnizimit me barna dhe ushqime.
Detajet mund t'i gjeni këtu.
Krasniqi: Gjendja shëndetësore e të prekurve me COVID-19 është stabile
Gjatë ditës së hënë, në Kosovë janë regjistruar edhe katër raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 13 numrin e personave të infektuar.
Infektologu Valbon Krasniqi i tha Radios Evropa e Lirë se gjendja shëndetësore e të prekurve me koronavirus është stabile.
Vetëm një person i prekur me këtë virus, i moshës 77-vjeçare, kohë pas kohe ka nevojë për oksigjen, tha ai.
“Edhe përkundër asaj se një i prekur me COVID-19 ka nevojë për oksigjen, gjendja shëndetësore është aktualisht stabile. Edhe dymbëdhjetë të tjerët, të prekur me koronavirusin e ri, janë në gjendje të mirë shëndetësore, duke u trajtuar në Klinikën Infektive”, tha Krasniqi.
Të prekurit me koronavirus janë nga Komuna e Vitisë, e Klinës, e Malishevës, e Podujevës, si dhe një shtetase italiane.
Vitia përballet me mungesë të mjeteve mbrojtëse
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se komuna e tij është duke u përballur me vështirësi, për shkak të mungesës së kapaciteteve për të përballuar gjendjen e karantinës së tërësishme të qytetit.
Vitia është futur në karantinë më 13 mars, pas konfirmimit të rasteve të para atje me koronavirus.
Aktualisht, në këtë komunë të Kosovës janë shtatë të infektuar me koronavirus.
Haliti tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët kanë nevojë për maska, rroba profesionale dhe mjete të tjera mbrojtëse nga rreziku i shpërndarjes së virusit.
Ai tha se shtimi i numrit të të infektuarave në komunën që ai drejton, ka ngjallur nevojën për intervenim më të shpejtë të nivelit qendror, për t’iu ofruar ndihmë qytetarëve të izoluar.
Detajet e tjera mund t'i gjeni këtu.